Në mitologjinë indiane, Tvastri, ose siç quhet ndryshe, Visvakarma, është artizani dhe arkitekti i perëndive, njësoj si dhe Hefesti apo Vullkani, për të dymbëdhjetë perënditë e Olimpit. Ambientet hyjnore të perëndive indiane ishin krijuar prej tij, dhe njëkohësisht perënditë e luftës, farkëtimin e armëve të veçanta që ato kishin, ia dedikonin mjeshtërisë së Tvastrit. Gjithashtu, ai mprihte sopatën prej hekuri të Brahmanaspatit (Agnit) dhe njëkohësisht po ai, rrihte e farkëtonte shkrepëtimat dhe vetëtimat e Indras. Ai krijoi botën dhe gjithçka që ndodhet në të dhe po ai, është mbrojtësi i gjithë krijesave të veta. Ndërkaq Tvastri ishte njëkohësisht i lidhur fort edhe me njerëzit. Ishte ai, që krijoi burrin dhe po ai krijoi edhe gruan, duke i bekuar këta që të martoheshin, të bashkoheshin dhe të sillnin mbi dhè pasardhësit e tyre. (1)
Mithet thonë se kur mjeshtri, Tvastri krijoi burrin, mendoi: - “Më duhet që tani të krijoj sa më shpejt edhe gruan, mbasi vetëm kështu, puna ime do të jetë e plotë, e kompletuar.” Dhe vërtet, pasi kaloi ndërmënd materialet me të cilat pat krijuar burrin, vështroi pastaj mirë materialet që kish dhe:
Mori, rrumbullakësinë e hënës së plotë, përdredhjet e bimëve kacavjerrëse, ganxhëzat e degës së pjerrgullës, dridhjen e barit të gjelbër të luadheve, përkuljen e kallamit, butësinë e petaleve të luleve, lehtësinë e gjetheve, shikimin e shpejtë të sorkadhes, zellin për punë si të bletës, kënaqësinë që sjellin rrezet e diellit, lotët që bien prej reve, paqëndrueshmërinë e erës, ndrojtjen e lepurit, kryeneçësinë e ngricës, dinakërinë e krillës, fortësinë e diamantit, ëmbëlsinë e mjaltit, egërsinë e tigrit, shkëlqimin përflakës të zjarrit, freskinë e borës, si dhe të tjera të mira dhe të këqia të tilla të rralla, dhe me to, krijoi gruan, që t’i bëjë shoqëri burrit. (2)
Nxjerrë dhe shqipëruar prej Ilia V. Ballauri: 1) Hindu Mythology, Vedic and Puranic, kap.9-të, nga W.J. Wilkins, [Calcutta1900], 2) Oi laoi milane, Ekdh. Astrapi, nga A. Papas [Athinë, 2010] fq. 253,4.
Â
|