MZ - Aforizmë: Nektar Tërpo - Voskopojari

Papës së Romës ditën e parë që ulej në fronin papal i ndiznin përpara disa kashtëra dhe kardinali i thesh:

Beatissimo Padre, I Nderuar Pater, kaq është kjo jetë dhe kaq është lavdia e kësaj bote, sa ky tym!

Mbi garat sportive të zhvilluara 3196 vjet më përpara, sesa Olimpiada e vitit 2012, që u zhvillua aq bukur në Londër.
(Nxjerrë prej Iliadës së Homerit.)

Olimpiada më e fundit, më moderne që u zhvillua në Londër dhe që ishte kaq e bukur dhe kaq madhështore, të gjithëve na ka mrekulluar. Të mos e fsheh, mua më emocionoi së tepërmi ethiopiania Tiki Gilana, fituesja e marathonës për femra. Hapi i saj prej gazele, freskia, krenaria, fisnikëria, qëndresa, bukuria, thjeshtësia dhe sidomos vullneti për të fituar dhe për të nderuar kombin e saj të varfër, qenë për tu admiruar.
Ndërkaq, teksa ndokush sheh në vazhdim të tilla lojëra e gara, si dhe lojëra të tjera të shumta dhe të shumllojta, mendon për madhështinë e shpirtit të njeriut, dhe thotë me vete:
Si pra, njeriut i pati lindur ideja për të krijuar lodra të tilla?

Sot është e panjohur se si dhe kur, njeriu mendoi që të zhvillojë gara për të matur aftësitë e ndryshme të tij.  I pari që përshkruan lojëra atletike është Homeri, tek Iliada por, teksa lexon vargjet  e tij, kupton se në to, zhvillimi i lodrave që përshkruan ai, nuk merr fillesën në çastin historik që ai përshkruan, përkundrazi edhe Homeri na i përshkruan ato lodra, si një procedurë tashmë të institucionalizuar, pra të njohur edhe shumë kohë më parë sesa koha, kur këto zhvillohen tek vargjet e Iliadës, pra edhe më përpara sesa Lufta e madhe e Trojës.
Pavarësisht, këtu po sjell përshkrimin më të parë të bërë ndonjëherë, për lodrat atletike të zhvilluara prej njeriut, të nxjerrë nga Homeri.

*

Pak kohë përpara se të binte Troja, pra kur muret e saj ishin ende të fuqishëm, aty jashtë në fushbetejë, përpara syve të të rrethuarve që shikonin nga bedenat, Akili dhe Akejtë ngritën një stivë të madhe me dru, njëqind këmbë të gjërë dhe një qind këmbë të gjatë, na thotë Homeri tek Iliada dhe në majë të saj, për ta nderuar, hipën trupin e Patroklit të vdekur të cilin, ushtarët me në krye Akilin pasi e mbuluan me flokët e tyre të prera si dhe me dhjamin e demave të therur aty për kurban, dhe pasi e rrethuan edhe me kufomat e dymbëdhjetë djemve fisnikë trojanë të therur vetë me dorën e Akilit për shpagim, i vunë zjarrin këtij timbi madhështor. Kockat e Patroklit pastaj, i mblodhën në një enë të artë dhe gjithçka tjetër u bë hi. Shpirti i tij, besonin Akili dhe shokët, kështu i nderuar tashmë dhe i qetë, zbriti nën tokë në mbretërinë e shpirtrave, pra tek të vdekurit.
Diku më tutje në kampin e Akejve, ndërkaq dergjej një kufomë tjetër, ajo e Hektorit të vrarë princit të Trojës që Akili, pasi i shqeu mishin tek pulpat e këmbëve, i shkoi aty lëkurat e buajve, e lidhi fort kështu pas karrocës së vet dhe e hoqi zvarrë pastaj duke e përdhunuar, poshtëruar dhe përbuzur, aty poshtë bedenave, poshtë lotëve që derdheshin nga sipër mureve nga ku ushtonin ulërimat, vajet, kujat dhe dënesat e grave të Trojës që qanin. Fundi i kësaj kufome, u deklaroi që poshtë bedenave Akili gjithë mllëf Trojanëve, që aty sipër vajtonin, do të ishte edhe më i dhimbëshm, do tu hidhej qenërve për ta ngrënë dhe zogjve grabitqarë për t’i nxjerrë sytë, ndërsa për Patroklin nderimet do të vazhdonin edhe më.
Ndeshje, lojëra, gara, matje të ndryshme mes burrave, do të zhvilloheshin për të hymnizuar, për të ngritur në qiell nderin e Patroklit. Çmime të vlefshme të lloj - llojshëm do të viheshin për ata që do të fitonin, pra për më të fortët, më të zotët. Dhe kështu Homeri në rapsodinë e 23-të, të Iliadës, duke lënë mënjanë botën e tmerreve dhe të gjakut, na futën në botën më të ëmbël të njeriut në atë të garave atletike apo më gjërë, në atë të garve sportive.  
Olimpiada e parë e shënuar në Greqinë e lashtë i takon vitit 776 para Kr. ndërsa lodrat sportive të përshkruara prej Homerit dhe që lidhen me nderimin e Patroklit, janë të vitit 1186 para Kr. pra edhe 408 vjet më përpara sesa vetë, lojërat e para Olimpike.
Tek Iliada përshkruhet zhvillimi i një sërë garave si, vrapimi me karroca e kuaj, mundja e lirë, vrapimi në distancë, hedhja e shtizës, etj, por këtu, unë po sjell vetëm përshkrimin e ndeshjes me grushta, lojë kjo që sot quhet boks. Le ta dëgjojmë:


Akili,…
shpalli pastaj, çmimet për garën e ardhshme.
Kështu,
për ndeshjen me grushta,
që kush hynte në të nxihej, bëhej mavi,
vendosi që ai njeri,
që vendin e parë kish për të fituar,
t’i jepej një mushkë e fortë,
me qëndrueshmëri të madhe për tu ngarkuar,
gjashtëvjeçare, e pamprehur ndonjëherë, e pashaluar,
dhe tepër e vështirë për tu zbutur, xanxare e pashtruar,
të cilën zënë për freri, e nxori aty përpara,
dhe e çoi tek rrethi, ku do të zhvillohej gara.
Çmim të dytë, pra për atë që do të mundej,
vuri, një kupë me dy vegje për tu zënë,
dhe pasi qëndroi madhërishëm më këmbë,
filloi duke thënë:

“O biri i Atreas, o Agamemnon!
dhe ju o Akej trima,
që kërci-mbrojtëse të forta, të bukura, vishni!
Këto çmime këtu përpara, që ju të gjithë i shihni,
do t’i fitojnë dy burra trima, që me grushte do të ndeshen,
që do të goditen fort mes tyre, do të rrihen keq, do të përleshen,
ndaj kush kërkon të matet, me grushta të dyluftojë,
le të hidhet ta provojë.
Atij që Apoloni - Zot,
do t’i japë fitoren e kësaj ndeshjeje-sherri,
do ta pranojnë gjithë Akejtë si fitues dhe ky,
mushkën zënë për freri,
le ta shpjerë pastaj, në shatorren e vet.
Ndërsa i munduri, ai që i dyti do të dalë në ndeshje,
do të marrë, këtë kupë me dy vegje.”

Kështu foli Akili dhe ndërkaq,
kërceu një burrë truplidhur menjëherë,
trim ky, i gjatë, i fortë,
i njohur për ndeshjet me grushta, të zhvilluara edhe tjetër herë.
Ishte i quajturi Epio, biri i Panopisë,
i cili,
pasi zuri mushkën për freri, tha:

“Ai që kupën me dy vegje kërkon të marrë,
le të bëjë përpara po deshi, le të dalë.
Unë këtu po e shpall dhe gjithkush mirë ta dëgjojë,
nuk do të ketë të dytë burrë, që këtë mushkë ta prekë, ta fitojë,
po qe se mua në përleshjen me grushta, përdhe nuk do t’më rrëzojë.
Ja ku jam, këtu krenohem,
jam  i bindur,
se kushdo prej jush, që me mua do të matet, do të pendohet.
Për luftë, - do të thoni ju, - ti s’je aq i zoti,
si ka mundësi që të jesh, më i forti?
S’ka nevojë,
njeriu për çdo gjë në krye, s’mund të qëndrojë.
Ua them hapur, ndaj çdonjëri nga ju ta dëgjojë,
do t’ia rrjep lëkurën,
brinjët, kockat, do t’ia bluaj kush me mua, do të dyluftojë.
Të afërmit dhe farefisi i tij, këtu të qëndrojnë,
të presin, mos shkojnë,
që kur prej duarsh të ma heqin,
dhe të dërmuar ta ngrejnë,
ta marrin dhe në shatorre ta çojnë.”

Të gjithë heshtën, u mekën, u bë qetësi
dhe ja,
vetëm Evriali, trajtëperëndi,
i biri i Mikisteas, të Talaut u ngrit, t’i bëjë ballë,
këtij mjeshtri grushtash, kaq të rrallë.
Mikistea, (thotë historia), i ati i Evrialit,
dikur për vdekjen e Edipit, në Tebë shkoi,
dhe në garat mortore që qyteti për nder të tij zhvilloi,
ai i mundi të gjithë Kadmienët, mbi të gjithë fitoi.
Këtu, të birit tani, Evrialit pra që doli të ndeshej,
si mbështetës dhe ndihmës për teknikën sesi të përleshej,
iu afrua Diomedi, i cili filloi ta inkurajojë,
t’i japë zemër, me dëshirën e madhe që ai të fitojë.
I lidhi,
një brez në mes dhe pastaj, e mbështolli në grushta, kyçe dhe nyje,
me shirita, të prerë me kujdes prej lëkure bualli të egër, rritur në pyje.
Kështu pra,
të dy kundërshtarët pasi u lidhën, u mbështollën mirë e mirë,
hynë në mes të rrethit që ish caktuar për këtë ndeshje të vështirë,
dhe,
pasi qëndruan përballë njëri tjetrit, në gadishmëri,
ngritën përpjetë duart e tyre të fuqishme dhe me furi,
u vërsulën mes tyre, u përplasën, u ndeshën,
me njëri tjetrin, keq me grushta u përleshën.
Dhëmbët dhe nofullat u kërcisnin
dhe prej gjithë trupit, djersët çurk u shkisnin.
Dhe ja, papritur Epiu hyjnor,
e goditi keq në faqe, kundërshtarin e vet që mbahej me zor,
në çastin kur ky ktheu kokën,
me sy të fryra të shikonte shokët,
siç edhe bënte më parë, vazhdimisht,
me të syrit bisht.
Nuk mundi më ai të mbahej më këmbë,
ndaj dhe u këput përdhe,
iu prenë gjunjët, u derdh i gjithi, kaq qe.
Njësoj siç ndodh me një peshk,
të cilin,
teksa ky mbi sipërfaqen e ujit të detit kërcen,
vjen veriu që fryn tmerrshëm dhe qysh në ajër e rrëmben,
e përplas fort pastaj atë,
në breg,
në rërën e mbushur gjithë leshterikë dhe aty për një çast e lë,
dhe pastaj mbi të vërshon,
dallga e murme e detit e cila e mbulon,
e pra njësoj edhe Evriali kur u godit,
kështu u shtri përdhe, u fik.
Por Epiu trim dhe bujar, u tregua shpirtgjërë,
e kapi nga duart,
ngriti më këmbë pra, një kollos të tërë.
Erdhën shokët, miqtë me vrap pastaj që e kapën, i vunë krahët
dhe ky me ngadalë,
i mbajtur prej tyre, me një të çapitur të ngathët,
gjak prej goje duke mbështyrë,
me kokën mënjanë të varur, i dëmtuar në fytyrë,
prej rrethit të ndeshjes u largua.
Më tutje,
ata e ulën pastaj Evrialin, ashtu siç ish, pra pa ndjenja,
dhe morën për të, kupën me dy vegja.

 

Shqipëroi: Ilia V. Ballauri

 

Lorat_sportive_te_lashta


Mozaik i shek. 4-të pas Kr. i gjetur në Gafsa të Tunizisë, me skena të ndryshme nga lojërat sportive të lashta greke.
Duke filluar nga sipër poshtë dhe nga e majta në të djathtë, këtu paraqiten veç të tjerash, të qarta:
vrapimi, nderimi i një fituesi, kërcimi së gjati, hedhja e diskut, ndeshja me grushta (boksi), mundja trup me trup, altari i nderimit, vrapimi me pishtar.

 


 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ- Ja se ç'fjalë thotë Homeri, për një fëmijë që mbetet jetim.

 Unë që jam rritur jetim, që pata një baba të sëmurë në shtrat qysh kur isha 7 vjet dhe që mbeta edhe pa të në moshën 11 vjet, mund të them se një nga çastet më të vështirë të asaj fëmijërie tepër të rëndë, ka qënë kur, teksa loznim në rrugë, ndodhte që ndonjë i rritur, siç ishim grup me pantallona të shkurtëra...

» SHJT - Të lutem, z. George ...

 Të lutem z. George, … të lutem respekto, mundin dhe djersën  time të bërë për shumë e shumë vite me rradhë, respekto punën, sakrificat, netët pa gjumë, mëngjeset me hënë, jetën që kam harxhuar, shëndetin që kam prishur, mënjanimin e familjes dhe të fëmijëve të mi, për të shqipëruar unë Ilia V. Ballauri nga Korça,...

» MZ: Homeri, mbi teorinë e marrjes së vendimeve - Skilla & Haribdi

Homeri mbi teorinë e marrjes së vendimeve, ose mbi zgjedhjen që duhet bërë ndërmjet dy të këqiave: Skillës dhe Haribdit.Gjithmonë ka qënë i vështirë për tu marrë vendimi se ç’duhet zgjedhur  ndërmjet dy të këqiave, prej të cilave, njëra e keqe ka një dëm relativisht të madh por të njohur (Skilla) ndërsa tjetra...

» BK/LA - Poezi e recituar dhe e shoqëruar me muzikë, Homeri - Iliada

Perëndesha Hera bën tualetin e saj.Homeri, Iliada, rapsodia XIV, 166 etj.Shqipëroi: Ilia V. Ballauri, reciton Nonda Kajno.                                       (Shënim : Në luftën e Trojës morën pjesë edhe perënditë duke simpatizuar...

» MZ - Poezia - Homeri: Iliada, Rapsd. II-të, (vargj.orgj., 278 - 332)

Për një çast, gjatë luftës së gjatë dhe të lodhshme të Trojës, turma e Akejve e grumbulluar, para mureve të pamposhtur të qytetit, në një gjëndje dëshpërimi dhe të pashpresë, kërkonte të kthehej në atdhe, duke hequr kështu dorë njëherë e mirë, prej qëllimit të dyfishtë, d.m.th. prej rimarrjes së Elenës së bukur...

Share