Aforizma: Nga filozofia e lashtë, për shkrimin dhe leximin.

 

Shfrytëzoje kohën, duke përmirësuar vetveten, nëpërmjet atyre ç’ka të tjerët kanë shkruajtur. Kjo do të thotë që të mbërrish lehtë, atje ku të të tjerët, kanë mbërritur duke punuar shumë.
Sokrati
*
Quhet se një shkrim të pëlqen, atëhere kur të pëlqen edhe pasi e ke lexuar dhjetë herë.
Horaci
*
Për të shkruajtur mirë, shprehe vetveten si një njeri i zakonshëm dhe mendo si një njeri i zgjuar.
Aristoteli
*
Mëndjen duhet ta përformojmë, duke lexuar në thellësi dhe jo në gjërësi.
Quintilian
*
Ai që nuk lexohet, konsiderohet sikur nuk ka shkruar gjë.
Marciali
*
Krehjet e shumta të një shkrimi,  e dobësojnë më tepër atë, sesa e përmirësojnë.
Plini (i Ri)

Unter_dem_Linden Skica e mëposhtme i dedikohet S.T.I. dhe neteve me aromë bliri të Korçës, në qershor, sidomos atyre, të shumë e shumë viteve më parë.

Sytë plot rrudha të plakës që shkëlqenin prej ngazëllimit u mbushën me lot teksa këndonte me zë të ulët, këngën e njohur gjermane “Unter dem Linden” me muzikë të Shubertit. Me shaminë e bardhë të qëndisur nëpër cepat sipas stilit “mani di fata” (1) , fshiu lotët pastaj e palosi atë në formë trekëndëshi plot kujdes dhe e futi në xhepin e bluzës gri të cilën e kishte punuar vetë me një gusto të veçantë. Ngriti sytë lart duke rrezatuar fisnikëri dhe psherëtiu.
Jashtë binte shi. Ula kokën dhe vështroja duart pa ditur se ku t’і ve ato. Fytyra e saj me flokët e bardha dhe buzët që і dridheshin e që rrethoheshin prej rrudhash më këmbëngulëse se ato të syve, dergjej e përmalluar për Vjenën aq të largët.

U ngrit me ngadalë nga polithroni me doreza të holla ngjyrë kremi e plot arabeska dhe mori çajin që po ftohej në filxhanin me bisht të stilit barok. Kur u ul më filloi përsëri mësimin e ndërprerë të gjermanishtes:
Meine, deine, seine, ùnsere…” (2)
Përsëri u bë qetësi dhe ajo uli sytë duke і thirrur kujtesës së mplakur e njëkohësisht duke ëndërruar. Pas kësaj heshtjeje, vazhdoi të citojë me zërin e saj të ëmbël për herë të dytë refrenin e këngës për blirin por këtë rradhë pa muzikë:
Komm hier zu mir Geselle,
Hier find’st du deine Ruh.” (3)
Përsëri psherëtiu por diçka më e qetë.
Pas pak u largova duke patur edhe unë nëpër buzë muzikën e ëmbël të Shubertit e duke belbëzuar me vete:
Die kalten winde bliesen,
Mir gerad ins Angesicht.”  (4)
Jashtë vazhdonte të binte shi. Ishte shi qershori. Gjithçka qe zhytur në errësirë e kundërmonte aromë bliri. Në bulevardin kryesor të qytetit tonë të vogël, ndriçonin a nuk ndriçonin, dy a tri llampa.
Prej së largu pashë dritaren e plakës që ndriçonte dhe konturet e saj teksa përçapej nëpër dhomë prapa perdheve të thurura me grep edhe ato sipas stilit “mani di fata”.
Në errësirën e rrugëve lëviznin disa hije, hije njerëzish që loznin lojëra tinzare gjarpërinjsh. Hije që kafshonin, aromë bliri, unter dem Linden.
Në mëngjes, ende pa gdhirë tingëllonin shishet bosh të qumështit këngën e tyre të kobshme të përditshme që vinte si epilog për Shubertin. Duke pritur rradhën dhe teksa po agonte, sytë і kisha ngulur përsëri tek dritarja me perde të thurura që ndodhej mbi dyqan e që përsëri kish dritë.
Dikush më goditi në sup. Ktheva kokën. Nëpër errësirë, gati sy ndër sy mu afrua fytyra që ishte në rradhë prapa meje. Në gojë і ndriti një dhëmb llamarine. Ishte edhe ai një plak. Mu afrua edhe më tha: “Atje banon një e deklasuar.”
“E di,” – і thashë dhe ktheva kokën për nga xhamet e dyqanit ku qe ngjitur një pllakatë në të cilën ishte shkruajtur, “Uji fle, asmi s’fle.”

  
1) Duart e së bukurës së dheut. Parabolë që përdoret për qëndisjet fine. (It.)
2) “Meine, deine, seine, ùnsere” – imja, jotja, e tij, tona. (Gjer.)
3) Pranë meje eja mik, do të gjesh këtu qetësinë. (Gjer.)
4) Erërat e ftohta më frynin, drejt e në fytyrë. (Gjer.)

Ilia V. Ballauri
Qershor 1989.

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» BK/LA - Poezia - Muzika: Vargje të Sergej Eseninit, të kënduara vite më parë, me kitarë në Korçë.

 Përveç disa fotografive, nga të paktat kujtime të nënës që më kanë mbetur, janë disa shënime llogarie të shkrojtura duket rastësisht, pas përmbajtjes së lëndës, në fund, tek libri i Sergej Eseninit, Lirika, botuar në vitin 1961. Nuk e di por, ndonëse qysh në fëmijëri librat i kam dashur, i kam mbajtur pastër, nuk i kam...

» BK/LA - Esse - Varri me litar.

(Nxjerrë nga punimi me titull, ...Thonë se trishtimi ka një fund... ose Esse sinoptike mbi botën metafizike të vëndlidjes sime, Korçës. autor:  Ilia V. Ballauri  ©Botim personal, 2001, 517 fq.)“Dikur në një fshat ishte bërë sebep і ligu. Ai ishte një  njeri і dhënë shumë pas parasë e intrigave, shumë і zgjuar dhe...

» KE4/2 - Teksti i plotë i këngës korçare, që njihet me titullin, “Kur vjen behari çel qershia”

Kjo këngë  kaq e vjetër dhe kaq e bukur, që njihet jo vetëm prej korçarëve por prej kujtdo, gjithandej, nuk ka këtë titull, por ka për titull vargun filozofik: “Dashuria është djallush”.Teksti i saj i mahnitshëm është thurur plot art prej L. Logorit, ndoshta në fillim të shek. 20-të. Dashuria është djallush nënkupton...

» MZ - Poezia: Molusku i shtëpise sime.

 Pasi prej magmës, brëndësisë më të parë, qindra miliona vjet më parë, shkëmbinjtë e murrmë, ultrabazikë, shpërthyen në sipërfaqe për të dalë, për të krijuar male, si mali që qyteti ynë mban mbi krahë, këtu, rrëzë sipërfaqeve të tyre, “lëkurë elefanti”, siç i cilëson, nobelisti poet, pati det.Jeta që brenda...

» BK/LA - Letrat - Poezia lirike - Këngë lotimi.

Për poezinë e më poshtme, që duket se përshkohet nga një finesë ndjenjash, përveç dy inicileve, nuk kemi asnjë të dhënë për autorin e saj. Ajo gjendet e botuar në shtypin e Korçës të vitit 1927, “Kalendari, Korça 1927”, botuese Dhori Koti, Korçë. Riprodhimi i mëposhtëm është sjellë me arkaizmin tipik të kohës siç...

Share