MZ - Aforizmë: H. A. Korça

Pasurinë mund ta vjedhin, por diturinë jo.
Ai që ta ruan të fshehtën të do me shpirt.

 

Në Korçë duke përjashtuar apartamentet, nuk ka shtëpi, ose për të qënë më të saktë, numërohen me gishtat e dorës ato shtëpi, që nuk kanë oborr dhe që dalin drejt e në rrugë. Shtëpitë e qytetit tonë, shumë a pak që të gjitha kanë oborr, kush në një sipërfaqe më madhe dhe kush, në një sipërfaqe më të vogël. Oborret e shtëpive të Korçës janë të thjeshta, kryesisht kanë trajtë katërkëndëshi, pra nuk kanë konfiguracione të komplikuara. Ekspozimi i tyre ndaj pikave të horizontit është i lidhur me ekspozimin e shtëpisë apo të kartierit, ku ato ndodhen. Sipërfaqja e tyre, në një mesatare hamëndësonjëse(!), mund të jetë rreth 50 m2. Një pjesë e oborrit të shëpive tona është e mbuluar me plloça shtufi ose plloça të gdhëndura graniti (shtëpitë e vjetra, të familjeve që dikur ishin në gjëndje të mirë ekonomike), të vendosura këto shpesh edhe në formë dekori, shumë bukur, ndërsa në dhjetvjeçarët e fundit për mbulimin e oborreve është përdorur edhe çimentoja edhe kjo, shpesh e zbukuruar me dekor të shënuar por që, jo gjithmonë ky i fundit (pra dekori), është i arritur dhe me një gusto të hollë.
Pavarësisht, një pjesë e oborrit ka shërbyer gjithmonë si kopsht ose siç i themi ne, si bashtë, që në fakt në gjuhën shkencore, këto copa bashte në shumicën dërmuese, do të mund të konsideroheshin shumë mirë si parterre. Në Korçë nuk ka qënë zakon që bashta prej oborrit të ndahej me gardhe të larta. Gjithmonë parterret tona ndahen prej pjesës së mbuluar, me anën e një pragu të ulët, i cili mund të jetë prej gurësh të rregullt të gdhëndur, prej betoni, prej tullash të vendosura më këmbë dhe pjertas në rradhë ose, edhe prej shishesh qelqi të të njëjtit stil, po ashtu të vendosura në rradhë, të ngulura me grykë në bordurë përmbys dhe me fundin përpjetë, një lloj dekoracioni ky, shumë i vjetër dhe karakteristik i bashtave tona, që sot gjendet shumë rrallë por, që dikur, ishte shumë i shpeshtë. Në oborr thuajse në të gjitha shtëpitë, ka një çezmë, ose dikur kish një tullumb, dhe më rrallë pus.
Tani, për hir të së vërtetës duhet thënë se në Korçë, kopshtet e shtëpive, deri aty nga vitet ’60, thuajse krejtësisht, ishin të mbjella me lule dhe pemë. Nuk kish në qytet bashta me perime. Bashtat e tilla, brenda në qytet filluan të çfaqen, me çfaqjen e problemeve ekonomike dhe të varfërisë edhe për një kokër domate. Në Korçë perimet i prodhonin bostanxhinjtë në bostanet e tyre, aty ku mbaronte qyteti, në perëndim ose jugë - perëndim. Bostanxhinjtë tanë ishin mjeshtra të mbaruar në artin e tyre, ishin të njohur dhe me nam në gjithë vëndin dhe më gjërë. Një pjesë e tyre kishin punuar si bostanxhinj deri në Stamboll, në Izmir, në Aleksandri të Egjiptit dhe gjetkë. E pra në ato kohë, nuk kish kuptim që tu dilje përpara atyre, ata ishin mjeshtra të nderuar. Prej tyre, aq sa i arrita, unë kam mësuar shumë dhe për ta kam një respekt të thellë, veçanërisht për dijet e tyre praktike aq të përkryera, për mënyrën e thjeshtë dhe sigurinë e patundur me të cilën ata i shpjegonin fenomenet e bimëve, fenomenet e tokës, të farës, të motit, etj, gjëra këto të përvojës, që tashmë humbën dhe që brezat që vijnë, nuk do të kenë mundësi t’i dëgjojnë më. “Toka duhet punuar kur mbi të lëviz merimaga”, theshin ata, “Maruleja e mirë duhet të ngjasë me fustanin e balerinës”, “Gishti e mbjell farën”, “Toka është nënë që gjithmonë mbetet me barrë, por duhet ta dish si ta lesh me barrë”, etj, etj, janë disa prej aksiomave të tyre.
Duke u kthyer përsëri tek bashtat e oborreve të shtëpive tona, theksojmë se jashtë grupit të luleve, në to mund të gjesh ndonjë copë të mbjellë me lëpjeta, aty këtu ndonjë tufë me merudhi (majdanoz), ose najazmë dhe gjatë dimrit ndonjë transhe me presh në ruajtje, të ngulur në dhè, të mbuluar dhe me fletët jashtë.
Ndër lulet që mbilleshin dhe që ndofta mbillen akoma pjesërisht në oborret e Korçës kanë qënë: nga bulboret, shpatoret, zambakët, tulipanët dhe më pak zymbylat, etj, nga grupi i shkurreve, trëndafilat, landrot, protomajaja, shekaikët, etj, nga shtat-ultat, mëllagat, karafilat, borziloku, lule Shën- Mitri, më pak margaritat, të quajturat “lule patate”, etj, nga tuloret, gjëmbat aloe, atlasitë, të quajturat “vesh-gomari”, si dhe kohët e fundit edhe kaktuse të ndryshme. Një pjesë e grupit të fundit mbilleshin dhe mbillen akoma edhe sot në saksi, të cilat shpesh i gjejmë edhe këto nëpër oborre, rreth parterreve.
Në Korçë në mëhallën tonë, ne kishim komshi Irakliun i cili, kish lule të rralla ekzotike, që theshin se i kish sjellë prej Egjiptit. Unë e mbaj mënd oborrin e tij, që ish një kopsht botanik i vërtetë, një oborr gjithë lule që deri tani nuk kam parë akoma një të dytë, gjithë jetën time, kudo që kam shkuar e udhëtuar. Gjithashtu duhet thënë se edhe doktor Polena, kish dikur një serë lulesh.
Ndër pemët, më të përhapura, të mbjella në oborret e Korçës kanë qënë: dardhat, kumbullat, qershitë, ftonjtë, kajsitë dhe më pak mollët e pjeshkat. Ndërkaq historikisht, kohët e fundit dhe jo para pesëdhjet vjetësh, pjergullat u bënë dominuese, në oborret tona. Vërtet që kish pjergulla edhe më parë por ato, u përhapën me shumicë dhe thuajse derë e portë, në kohën e vështirësive ekonomike kur, rakija shitej më rrallë dhe më shtrenjtë në treg, në atë kohë pra, kur në oborret e qytetit hynë pjesërisht edhe perimet.
Oborret e qytetit të Korçës, janë oborre karakteristike qytetare, nuk ngjasin me kopshtet e fshatit, kanë lidhje me serenatat e qytetit tonë, kanë lidhje me të dalat e vajzës herë pas here në dritare, tek porta, me tingujt e kitarës, lidhen me brengat e ëmbla të qëndisjes sy ulur dhe me zemrën që troket, me të thirrurat e gjyshes “Mbylle portën!”, kanë lidhje me vështrimin vjedhës të djemve të hedhur prej rrugës brënda, kanë lidhje me britmat e gëzuara të fëmijëve, me të shtënat e tyre me gurë për të rrëzuar kumbulla aguridhe, kanë lidhje me të ulurat tek sofati, me thashethemet, me të mbajturat nëpër gojë, etj, janë pra pjesa e jetës sonë, janë shpirti tonë, janë indentiteti i qytetit tonë. Mos i harroni ato duke imituar oborret e të tjerëve, oborret tona ishin oborret më të bukura në botë…… mendoj unë!!!

Dr. Ilia V. Ballauri.

 
 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE1/34 - Kolovajzet

Nuk mund të përcaktohet dot etimologjia e kësaj fjale. Ndoshta rrjedh nga fjala kolovit, që presupozon të lëvizurit, pa mundim që bën njeriu, fjalë kjo që përdoret shumë në zonën tonë si p.sh., kolovit me makinë, e kolovita në kurriz, etj. Mundet pra që fjala kolovajze që presupozon të rrëshqiturit pa mundim në akull, të...

» KE12/9 - Tregtarë të lëkurërave në Korçë më 1911.

Në çastet e rrënies së pushtimit osman pra në v. 1911, në Korçë ishin këta tregëtarë që mereshin me tregëtimin e:a) lëkurëve të papërpunuara,Kristo Geçi,Theodhos Harallambi,Joani Lito,Th. Pepo,Dhimtri A. Skëndi dhe bijtë.Thoma Çekani.b) lëkurërave të përpunuara,Vëllazëria Ballauri,Spiro Bimbli,Dhimitri A. Skëndi dhe...

» BK/N - Sojet e vjetra të grurit në Korçë

 Treva e Korçës sipas të dhënave arkeologjike, për Shqipërinë është qëndra më e lashtë, ndërsa më gjërë, një nga qendrat më të lashta, ku konstatohet se këtu ka pas qënë kultivuar gruri. Në vëndbanimin e hershëm të Maliqit, janë gjetur kokrra gruri të karbonizuara me moshë 4000 – 4700 vjeçare.Ndërkaq edhe në...

» KE7/1- Elemente të groteskës dhe apotropizmi në disa shtëpi neoklasike në Korçë

Tek disa shtëpi të bukura të stilit neoklasik të ndërtuara në Korçë në periudhën ndërmjet dy luftërave, vërehen shpesh dekoracione që në art, por edhe në arkitekturë, quhen groteska. Ndonëse në thellësi etimologjia e këtij termi, lidhet me kohët romake, duhet thënë se kjo fjalë pra grotseka, (prej ital. grotta = guvë,...

» KE1/17 - Drutë e dimrit në Korçë

 Zona e Korçës ka dimër të gjatë dhe të fortë, që do të thotë se ambienti i shtëpisë, që të jetë komod, duhet me patjetër që të ngrohet mirë. Kjo gjë duhet bërë, prej Nëntorit e ngadonjëherë edhe më parë, d.m.th. në Tetor dhe deri në Prill, e ngadonjëherë edhe më vonë, deri në Maj. Korça gjithmonë është...

Share