MZ - Aforizma: Johann Wolfgang von Goethe

 

Njeriu çdo ditë duhet të dëgjojë pak muzikë, të lexojë pak poezi, të shohë një pikturë të bukur,  në mënyrë që rutina e përditëshme, mos bëjë që të lihet në harresë, ndjenja për të bukurën, ndjenjë kjo të cilën Zoti e ka mbrujtur në shpirtin e njeriut.

*
Njësoj si në Romën e lashtë, ku në qytet, përveç romakëve kish edhe një mori bustesh dhe statujash mes të cilave rronin njerëz, ashtu edhe sot, përveç realitetit, ekziston edhe një botë e fortë me fantazi dhe imagjinata, ku edhe në të jetojnë njerëz.

*
Thonë: Njih vetveten! Po si mund dikush të njohë vetveten? Kjo gjë nuk mund të bëhet, nëpërmjet survejimit të vetes, por vetëm nëpërmjet praktikës dhe ja sesi: përpiqu të kryesh detyrën që të takon dhe do të shohësh, se ke për të kuptuar menjëherë, karakterin tënd. 


*
Çdo moshe të njeriut, mund  t'i vihet në korrespondencë një filozofi e caktuar.
Fëmija paraqitet realist. Ai është aq i bindur për ekzistencën e dardhës dhe të mollës sa edhe për ekzistencën e vet.
I riu, i përfshirë siç është në furtunat e veta të brëndëshme është i detyruar që ta kthejë vëmendjen, të rrëmojë dhe të kërkojë brenda vetes, pra të bëhet idealist.
Një burrë i pjekur, ka një sërë arsyesh që të jetë skeptik. Ai dyshon sipas mënyrës së vet, nëse janë të sakta mjetet që ai ka zgjedhur për të kryer një veprim. Gjithashtu përpara se të veprojë dhe në çastin që vepron, e ka të nevojshme që të jetë vigjilent, me qëllim që në të ardhmen, mos pendohet hidhshëm për zgjedhje të gabuar.
I moshuari, ndërkaq është mistik. Mjaft gjëra i shikon të varen prej fatit, një diçka që s'ka logjikë të ecë dhe, logjiken të pengohet e të shkojë shtrembër, fati dhe pafatësia pra, të ndërrojnë vënd papritur dhe papandehur.

Zgjodhi dhe perkth: I.V.B.

 

Qershia është një frut që nuk i duron dot ruajtjes dhe konsumit gradual. Asnjë frut tjetër nuk mund të prishet aq shpejt sa prishet qershia. Po qe se nuk konsumohet brenda pak ditëve pas vjeljes, ajo fillon e prishet, kalbet, vyshket, humbet turgorin (freskinë), shijen, madje edhe ëmbëlsinë. Ndryshe ndodh me mollën, me ftoin, me dardhën, madje edhe kumbulla duron me tepër dhe prishet më pak se qershia.
Për më tepër tradicionalisht, mollët, dardhat, ftonjtë, kajsitë, kumbullat e pjeshkët, bëheshin edhe oshafka, qershitë përkundrazi as oshafka nuk mund të bëhen.
Ndërkaq, kur ndodh që prodhimi i qeshive të jetë i bollshëm, përveç konsumit të çastit në tavolinë, një zgjidhje që prodhimi të mos vejë dëm dhe për ta konsumuar atë më vonë pra gradualisht, është përgatitja e glikosë me kokër të plotë dhe e reçelit pelte prej qershive.
Përgatitja e glikosë me kokër të plotë të qershisë, sipas traditës sonë në Korçë është e thjeshtë.
Së pari, përgatitet sherbeti, i cili bëhet i trashë dhe me pak ujë.
Pasi janë qëruar qershitë prej farave, zakonisht me ndihmën e një karfice, e cila nuk dëmton dhe nuk prish formën e kokrës, qershitë hidhen në sherbet për tu zierë, për një kohë të shkurtër aq sa edhe të mbajnë gjëndjen (apo konstitucionin) e tyre siç thuhej dikur, “kreko” pra të pa prishur.
Ndërkaq për të përgatitur një gliko edhe më cilësore, me kokërr relativisht të fortë, shpesh në Korçë përdoret edhe futja në lëng gërqeleje e qershive të qëruara dhe lënia aty për dy orë dhe më pas shpëlarja mirë e tyre dhe hedhja pastaj në sherbet për zierje si dhe më sipër. Një proçes i tillë, falë fenomenit fizik të osmozës, forcon paretet e qelizave të tulit të frutit, duke e bërë atë më të këndshëm në ngrënie.
Glikoja e qershisë jo vetëm që është e shijshme por ajo është edhe shumë e bukur, e shndirtshme, e kristaltë dhe e lëngshme.
Së fundi shtojmë këtu se dikur, para vitesh, në kohën e një bujqësie të kolektivizuar, gjatë prodhimit masiv të menjëhershëm të qershive në parcelat e ndërmarrjeve dhe të kooperativave bujqësore, për të mos shkuar dëm prodhimi, në formë industriale përveç reçelit kokër dhe pelte të qershive, prodhohej edhe komposto, e konservuar në vazo qelqi.

I.V.B.
 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE4/3 - Manat e zeza të Drenovës dhe të Boboshticës

Manat e zeza (Lat. Morus nigra) janë veçanërisht shumë të përhapura në dy fshatra Drenovë dhe Boboshticë. Nuk ka vënd tjetër në Shqipëri që të jetë aq i lidhur me manin e zi, sa janë banorët e Drenovës dhe të Boboshticës dhe kjo është një gjë interesante. Pse, si, qysh dhe kur, ky lloj mani është aq i dashur për këto...

» KE9/3 - Fasulja, groshi dhe koçkulla dikur, në zonën e Korçës.

 Fasulja (Phasoelis vulgaris)Korça konsiderohet si ndër zonat që ka pas prodhuar fasule të mira, të shijshme dhe të shumëllojshme. Populacionet e fasules së trevës tonë kanë qënë të shumta, madje edhe sot, një sy i hedhur në tregun fshatar, tregon për vazhdimësinë e shumëllojshmërisë së populacioneve tona për këtë...

» KE11/14 - Qershia dikur në qarkun e Korçës.

 Qershia (lat. Cerasus avium) është një pemë, që në formë të egër ka qënë e njohur për njeriun qysh në kohët prehistorike. Nën këndvështrimin botanik qershia e egër ka qënë e përhapur dikur ngado në Evropë, në Azinë perëndimore dhe në Afrikën e veriut. Ndërkaq, të dhënat dëshmojnë se qershia e butë është...

» KE8/4 - Verërat e krahinës së Devollit, në fillim të shek. 19 - të

Udhëtarë të ndryshëm që kaluan në anët tona në këtë kohë dhe kryesisht Fransua Pukëvil (1770 – 1838) konsulli i Napoleonit pranë Ali Pashë Tepelenës, tek vepra e tij, “Voyage en Morée, à Constantinople, en Albanie, et dans plusieurs autres parties de l'Empire Ottoman”  botuar në Paris më 1805 dhe Ami Bue (1794  -1881),...

» KE2/34 - Nxjerrja e rakisë

Dikur (vitet ’30) kryhej me leje nga shteti. Administrata e financës së asaj kohe, bazuar mbi ligjet për pijet alkolike lëshonte edhe lejet për nxjerrjen e rakisë, duke evidentuar në të njëjtën kohë edhe zotëruesit e kazanëve të rakisë.

Share