MZ - Aforizmë: Lasgush Poradeci

Gjer më sot shumë veta kanë shkruar kundra meje, por asnjë-herë s’jam përgjigjur. Se poeti s’përgjigjet, poeti bën veprën, vepra le të përgjigjet. Po të mos flasë ajo, poeti s’ka ç’të thotë.

Nxjerrë nga: "Lasgushi më ka thënë, ..."
P. Kolevica

FlashPedica(1)
KE1/34 - Kolovajzet

Nuk mund të përcaktohet dot etimologjia e kësaj fjale. Ndoshta rrjedh nga fjala kolovit, që presupozon të lëvizurit, pa mundim që bën njeriu, fjalë kjo që përdoret shumë në zonën tonë si p.sh., kolovit me makinë, e kolovita në kurriz, etj. Mundet pra që fjala kolovajze që presupozon të rrëshqiturit pa mundim në akull, të lidhet me fjalën kolovit.
Kolovajze quhej një koridor i ngushtë akulli, i krijuar prej dëborës së ngjeshur dhe i fërkuar deri në shkëlqim, i cili krijonte mundësi që mbi të, të rrëshqisje lehtë. Kolovajzet ndërtoheshin në vënde të pjerta, gjë që jepte mundësi të shfrytëzoheshin dy forca, ajo e vrullit dhe ajo e gravitetit. Është kjo arsyeja që në Korçë, kolovajzet më të mira, krijoheshin në pjesët më të pjerrta të qytetit, në rruga që të çon sot për në varret e dëshmorëve dhe në paralelet e tjera rreth saj, sidomos pjesa që dikur quhej, ‘Qeroska’.