| MZ - Aforizma: Nga filozofia amerikane. |
Një deklaratë e presidentit amerikan |
| KE1/29 - Loja me fugë |
Fuga ishte një lodër e fëmijëve, që u zhduk aty rreth viteve ’70. Ka mundësi që emri fugë vjen prej latinishtes, që do të thotë ikën, lëviz, [me rrotullim]. Ajo ishte një objekt prej druri në formë konike, që në majë të konit, i ngulej një majë perone dhe që vihej në rrotullim prej një kordhoni. |
Pasi prej magmës, brëndësisë më të parë,
qindra miliona vjet më parë,
shkëmbinjtë e murrmë, ultrabazikë,
shpërthyen në sipërfaqe për të dalë,
për të krijuar male, si mali që qyteti ynë mban mbi krahë,
këtu,
rrëzë sipërfaqeve të tyre, “lëkurë elefanti”,
siç i cilëson, nobelisti poet,
pati det.
Jeta që brenda në ujë, në ato ditë të largëta zhvillohej,
shënjat e veta do të linte, do të ngurtësohej.
Peshq, krustace, molusqe,
qënie deti të lashta, nga më të ndryshmet,
mbetën aty të petrifikuara,
për të dëshmuar.
Një të tillë gur,
në oborrin e vjetër të shtëpisë sonë, ende e kemi të shtruar,
me një fosilie – molusku mbi të, të ngurtësuar.
Si fëmijë dikur,
aty tek ajo guaskë molusku, humbja, harrohesha orë të tëra,
dhe pyesja,
si, qysh, kish qënë ajo,
kurioz, për të mësuar sa më tepër gjëra.
Vitet shkuan, rrodhën tashmë, një jetë e gjitha fluturoj,
por,
sa herë që shkel në prag të shtëpisë,
është e pamundur që atë molusk të ngurtësuar të mos e shikoj,
dhe për disa çaste përsëri mbi të, si dikur të harrohem, të nostalgoj.
Vërtet,
që janë fiksuar në atë molusk, kohët që vite më parë rridhnin,
por aty, tek ai,
në ato vijëzime të tij, gjith’ simetri,
janë ngurtësuar tashmë edhe orët e fëmijërisë sime,
thirrjet e nënës, Ili!... Ili!... Eja brenda se ke mësime!
janë ngurtësuar çastet e lumtura kur ne vraponim,
ne, një tufë me fëmijë çapkënë, që harbonim,
dhe gjith’ gëzim,
“ta lashë!!!”, “ta lashë!!!”, fort bërtisnim,
teksa me njëri tjetrin loznim, njëri tjetrin ndiqnim.
Ilia V. Ballauri,
Duke u gdhirë, 17, 18/8/
dhe muzg, 24/8/2013.
| Share |
Copyright © 2011 Ilia V. Ballauri
All Rights Reserved.