Biza ose fëndyelli është një mjet, a vegël, e përdorur kryesisht prej këpucarëve për hapjen e vrimave në lëkurë, në shollë ose në gomë, për qepjen pra, të këpucëve.
Etimologjinë e fjalës bizë, nuk e dimë. Në disa vënde të Ballkanit biza quhej ndryshe.
Dikur, me bizë luanin fëmijët, madje vetëm djemtë, bile edhe këta në një moshë relativisht të rritur. Vajzat nuk luanin me bizë, për shumë arsye.
Loja me këtë mjet, konsistonte në nguljen e majës së bizës, në tokë të butë ose në bar, sipas disa mënyrave ose teknikave të cilat do t‘i përshkruajmë shkurtimisht më poshtë.
Së pari duhet thënë se, ngulja e bizës konsiderohej e rregullt, kur këndi i pjerësisë, mes tokës dhe trupit të bizës së ngulur, ose më thjesht, lartësia e fundit të trupit të bizës së ngulur pjertazi, nga toka, të ish më tepër se dy apo tre gishta (siç dhe vendosej, në rregullin e lojës).
Me bizë luhej ndërmjet dy a më shumë vetave, luhej me rradhë, njëri pas tjetrit dhe ai që i plotësonte të gjitha nguljet në tokë i pari, fitonte lojën, të tjerët klasifikoheshin pas tij dhe i fundit, quhej i munduri.
Ja disa prej grupeve të teknikave, të nguljes së bizës që përbënin lojën e dikurshme.
Ngulja e bizës në tokë, me forcë e kapur nga maja. Pra, e kapur kështu, ajo pasi të rrutullohej, duhej që të godiste dhe ngulej me majë në tokë ose në bar. Kjo mënyrë duhej të realizohej me sukses pesë ose dhjetë herë. Ky grup nguljesh kish një emër të veçantë, quhej pra grupi i „tantinave“ (etimologji e panjohur e fjalës).
Një grup nguljesh të tjera, ishte ai i kapjes së bizës nga bishti dhe ngulja e saj në tokë. Edhe ky veprim realizohej pesë ose dhjetë herë.
Paskëtaj kryhej grupi i nguljeve i quajtur, “i gishtave“. Me rradhë sipas gishtave të dorës me majën e ngulur tek maja e gishtit dhe duke e mbajtur bizën nga fundi me dorën tjetër, me një lartësi nga toka duke i dhënë pastaj, bizës së fiksuar kështu një lëvizje rrotulluese për poshtë, duhej që ajo të ngulej në tokë me majë. Kjo gjë përsëritej për të dhjetë gishtat e dorës.
Ndërkaq, me gishta, kish edhe gjuajtje të tjera të cilat realizoheshin, nëpërmjet kapjes së majës së bizës tashmë, me tre gishta të së njëjtës dore, të kryqëzuar këta, në një mënyrë të veçantë (që quhej plaka, nusja dhe çupa). Biza duhej të ngulej për të tre kombinacionet në fjalë, nga njëherë për të dy duart, ndonëse gjuajtja dhe ngulja e mësipërme me dorën e majtë ishte një ushtrim shumë i vështirë që shpesh nuk përfshihej në lojë.
Pas kësaj vazhdonte cikli “i duarve“ që fillonte me atë të, vendosjes së majës së bizës në pjesën e sipërme të pëllëmbës (në kurriz të saj), nga ku përsëri me një lëvizje rrotulluese dhe në një farë lartësie nga toka, tentohej që biza të ngulej në dhè ose në bar.
Në këtë cikël ishte edhe ngulja e quajtur e “bucit“. Dora e djathtë bëhej grusht dhe në ullukun që krijohet nga brenda, mes gishtave dhe pëllëmbës, pasi vihej shtrirazi biza, gjuhej me majë për nga toka me qëllim që ajo të ngulej.
Pasohej pastaj me gjuajtjet e pjesëve të tjera të trupit, ndër të cilat ishte dhe gjuajtja e quajtur “e buzës“. Maja e bizës vihej në buzën e poshtme dhe pasi mbahej bishti me dorën e djathtë, i jepej këtij një lëvizje rrotulluese për poshtë, me qëllim që maja të ngulej në tokë. Ky veprim kish raste që bëhej edhe me ballin.
Tani, një grup tjetër nguljesh të bizës bëheshin, duke kapur me dorën e majtë veshin dhe duke shkuar nëpër këtë kapje të tillë, mespërmes, dorën e djathtë dhe pastaj, me bizën e kapur nga maja, tentohej që kjo, të ngulej në tokë. Kjo teknikë quhej ngulja “e veshit“ dhe përsëritej, deri në tre ose pesë herë.
Duhet thënë se, në gamën e teknikave të lojës me bizë, ka patur edhe mënyra të tjera gjuajtje me të, të cilat tashmë janë harruar, një herë e përgjithmonë.
Së fundi, i munduri në një lojë me bizë, dënohej me mbushjen e gojës me bar, në një mënyrë të veçantë dhe ja sesi. Në qoftë se loja pat qënë luajtur p.sh. prej pesë vetave, atëhere që të katër fituesit me rradhë, sipas rradhës së fitores, e gjuanin të mundurin me një grusht me bar në gojë, që ky këtë të fundit (pra gojën), ishte i detyruar ta mbante të hapur dhe ta mbronte atë, vetëm me bishtin e bizës, të cilën e lëkundte përpara gojës së hapur, me shpejtësi, për të parapritur dhe larguar barin me të cilin i shtihej. Kish raste që ky e shmangte futjen e barit në gojë, por kish raste të tjera, prej fëmijëve që qenë shumë të shkathët, që goja i mbushej me bar. Të gjithë qeshnim, kuptohet, të mundurit nuk i pëlqente kjo por ndërkaq, nesër ai mund të fitonte dhe të qeshte ai me të tjerët. Siç ndodh gjithmonë në jetë!
Edhe me bizë, në Korçë fëmijët, kanë luajtur deri aty nga vitet ‘70, pas kësaj kohe edhe kjo lojë kaq e bukur, si dhe të tjerat, u zhduk.
Përgatiti: Dr. Ilia V. Ballauri
Lexoni gjithashtu / More Articles :
» KE2/35 - Rruga e moçme e karvaneve
Rruga e moçme e karvaneve, Vlorë-Berat-Voskopojë-Korçë dhe mallrat që transportoheshin.Zona e Korçës lidhej në Adriatik me dy skela, atë të Durrësit dhe të Vlorës. Skela kryesore për tregtarët e anëve tona dhe sidomos për ata voskopojarë ka qënë skela e Durrësit.Ndërkaq një tregëti e konsiderueshme zhvillohej edhe duke...
Ashikët, janë një lloj koske që nxirren prej kafshësh si, dhënj, dhi, gjedh, etj, kur këto theren. Ashiku pra kjo koskë, në anatomi quhet sipas grq. vjt. astragal ose sipas latn. talus, dhe ndodhet në tarsusin e këmbës. Me të, tek ne, dikur loznin fëmijët, një sërë lojërash të ndryshme. Ashikët si lojë në Korçë janë...
Fuga ishte një lodër e fëmijëve, që u zhduk aty rreth viteve ’70. Ka mundësi që emri fugë vjen prej latinishtes, që do të thotë ikën, lëviz, [me rrotullim]. Ajo ishte një objekt prej druri në formë konike, që në majë të konit, i ngulej një majë perone dhe që vihej në rrotullim prej një kordhoni. Në vartësi të...
Nuk mund të përcaktohet dot etimologjia e kësaj fjale. Ndoshta rrjedh nga fjala kolovit, që presupozon të lëvizurit, pa mundim që bën njeriu, fjalë kjo që përdoret shumë në zonën tonë si p.sh., kolovit me makinë, e kolovita në kurriz, etj. Mundet pra që fjala kolovajze që presupozon të rrëshqiturit pa mundim në akull, të...
» KE8/17 - Të dhëna mbi kulturën qytetare lidhur me higjenën e banimit, v. 1924 Korçë.
Rreth 90 vjet më parë, në qytetin tonë shohim se rekomandoheshin elementë mjaft interesantë të higjenës qytetare, si dhe kërkesa me vlerë, sidomos lidhur me mënyrën e jetesës dhe ambjentet e banimit. Më poshtë jepet një copëzë e tillë e botuar në kalendarin e vitit 1924.(Shënim: Me qënë se në tekstin origjinal gjuha...