Në përgjithësi, gjithmonë fëmijët kanë dashur të hanë, disa herë më tepër se zakonisht, gjatë ditës. Përveç nevojës biologjike, të ngrënit për ta, shpesh bëhet edhe një lloj kënaqësie, apo argëtimi, apo psikozë më vete. Gjithmonë fëmijët me vënd e pa vënd, me kohë e pa kohë, kanë kërkuar të hanë. Kjo kërkesë e tyre sot të paktën për vëndin tonë, është relativisht e lehtë për tu plotësuar. Me vënd e pa vënd sot, ata duan një hamburger, një tost, një kruasan, chips, popcorn, banane, një krepes, një sanduiç, një, një, ….
Të gjitha këto, për një fëmijë përpara 50 vjetëve, ishin krejt të panjohura, ndaj dhe një gjysh, sot, gjithë terminologjinë e mësipërme, e ka të vështirë, si për ta kuptuar ashtu dhe për ta përdorur.
Dikur të ngrënët e fëmijëve me vënd e pa vënd, me kohë e pa kohë, shprehej me thënien: “dua bukë në dorë“. Fëmija prej lojës jashtë në rrugë, kur i haej, hynte brenda në shtëpi dhe kërkonte:“dua bukë“. Menuja e “bukës në dorë“, në ato kohë, nuk kish shumë larmi. Nëna pasi i priste një fetë prej pllakës së bukës e bënte atë, ose me sheqer e me vaj, ose me sheqer dhe me ujë, ose me vaj dhe me kripë, ose me sallo, ose me marmallatë ose rrallë herë me gjalpë, etj. Ndërkaq shpesh ndodhte që t‘i jepnin fëmijës edhe një copë bukë thatë, duke i thënë se kështu ishte më mirë mbasi, „të bëhen faqkat e kuqe“.
Pavarësisht, fëmija kur dilte në rrugë, me fetën e bukës në dorë, aty e prisnin shokët dhe ndërkaq, fillonte një ceremonial i vërtetë.
Së pari dëgjohej kërkesa: “Na jep të kafshojmë njëherë“. Dhe kështu në çast, feta e bukës me sheqer dhe me vaj fillonte dhe kalonte gojë më gojë, tek të gjithë shokët e mëhallës të mbledhur aty. Të gjithë kafshonin njëri pas tjetrit nga një kafshatë dhe buka, pasi kalonte dorë më dorë, në rrethin e fëmijëve kthehej në dorën e të zotit, më tepër se e përgjysmuar.
Ky proçes sot, për një psikolog do të ishte një lëndë e parë, për studime me vlerë, në drejtim të pedopsikologjisë dhe ja sepse.
Kish fëmijë që e jepnin me gjithë qejf, me gjithë zemër bukën e vet, tek të tjerët, për tu kafshuar, pa u kursyer, pa ndrojtje, pa u ardhur ndot, madje kish edhe nga ata, që të theshin „kafsho edhe një herë“. Kish ndërkaq të tjerë fëmijë që nuk e jepnin, ose të tjerë që e shënonin atë, se deri ku, ajo duhej kafshuar. Nga ana tjetër kish fëmijë që hapnin gojën shumë kur kafshonin dhe kish të tjerë, që bënin të kundërtën. Kish prindër që i porositnin fëmijët, që mos ua jepnin të tjerëve bukën që ta kafshonin (ndonse kishin, ishin pra në gjëndje) dhe kish të tjerë që, kur vinin prej rruge, dy shokë në shtëpi, u jepnin që të dyve nga një copë bukë në dorë (ndonse nuk kishin), etj.
Së fundi, duhet thënë se, e njëjta shprehje, “Na jep të kafshojmë njëherë“, përdorej edhe për mollët, dardhat e freskëta etj, ndërsa për akulloret, stapkat prej sheqeri, këndeskat prej sheqeri, mollkat e lyera me sheqer, etj. përdorej shprehja, “Na jep të lëpijmë njëherë“.
dr. I.V.Ballauri
Lexoni gjithashtu / More Articles :
» KE11/12 - Arkeologji: Mbi pitoset e lashtë të gjetur në anët tona.
Pitose, quheshin në kohë të lashta, hambaret ose enët ku ruheshin apo konservoheshin produktet e ndryshme bujqësore, kryesisht drithrat, si gruri, elbi, meli, thekri, etj, por edhe farërat e bimëve të tjera bujqësore si, thjerrëzat, qiqrat, etj. Në këto enë ruheshin madje edhe uji, vera, vaji apo edhe produkte të tjera ushqimore,...
Një përshkrim i vitit 1923. (paraqitur këtu sipas arkaizmave të gjuhës së asaj kohe)“Kjo është një godinë ku rinë djem e vajza të pa-prindërshmë, të cilëvet, fati ose rrjedhja e ngjarjeve [të viteve] 1912 -1920 i ka lënë udhëvet. Këta fëmijë të mbledhur nga an’ e Bashkisë, janë vënë më një shtëpi në Famuli...
Dikur (vitet ’30) kryhej me leje nga shteti. Administrata e financës së asaj kohe, bazuar mbi ligjet për pijet alkolike lëshonte edhe lejet për nxjerrjen e rakisë, duke evidentuar në të njëjtën kohë edhe zotëruesit e kazanëve të rakisë.
Para disa kohësh, një qiparis i limontë mu tha.Unë, që këto punë i di fort mirë o miku im dhe që e di se edhe bima ka shpirt, paçka se Aristoteli dhe Platoni për njëzet vjet mes tyre, debatonin nëse bimët kanë apo jo shpirt, e pra unë që e di më mirë se ata dhe që jam i bindur që bima ka shpirt, vendosa ta shoh këtë...
» KE6/17 - Mbi depon e dikurshme të gazit ose të vajgurit, në Korçë.
Meqënëse vajguri dikur ishte një lëndë e konsumit të përditshëm, mbasi përdorej për ndriçim, kuptohet se edhe tregu duhej të furnizohej thuajse çdo ditë me këtë mall, i cili, ndryshe nga mallrat e tjera ishte njëkohësiht edhe i rrezikshëm, pra lëndë djegëse dhe plasëse. Për këtë arsye, dikur Korça pati një depo të...