MZ- Aforizma: Nga filozofia amerikane (vazhdim).

 

Të katër liritë

“ … Në ditët që do të vijnë, tek të cilat ne kërkojmë të kemi sigurinë, duhet të mendojmë për një botë të themeluar mbi bazën e katër lirive thelbësore të njerëzimit.

E para, liria e fjalës dhe e shprehjes – kudo në botë.

E dyta, liria për çdo njeri, që të adhurojë Zotin sipas mënyrës së vet – kudo në botë.

E treta, liria prej mungesave, gjë që e përkthyer në terma botërore, nënkupton një logjikë ekonomike, e cila do t’i sigurojë çdo kombi, një jetë paqësore të shëndetshme, për banorët e vet – kudo në botë.

E katërta, liria prej frikës, gjë që e përkthyer në terma botërore, nënkupton reduktimin mbarëbotëror të armatimeve deri në atë pikë dhe në atë formë sa, asnjë komb të mos jetë në gjëndje, për të ndërmarrë një akt agresioni fizik, kundrejt ndonjë fiqinji – kudo në botë. …”

Franklin Delano Roosevelt,
fjala në Kongres, 6 Janar 1941.

Shënim: Një pllakë që përkujton këtë fjalim të quajtur, “Të katër Liritë”, është e vendosur brenda Statujës së Lirisë.

 

Korça nuk është zonë e pasur me rrape, përkundrazi ka qënë e pasur me plepa. Plepa kish në ish sallahana e dikurshme, plepa kish në kishën e dikurshme “Burimi jetëdhënës" (Mitropolia), para vitit, 1927 -28, d.m.th. përpara se të fillonin ndërtimet për Mitropolinë e re, ku sot është Muzeu i artit mesjetar, plepa kish tek Shën Gjergji dhe ata ishin pastaj rradhë sidomos në truajt, ku janë ndërtuar dy apartamentet e vjetër që vijnë menjëherë pas bibliotekës së qytetit, etj , dhe ndërkaq rrapi në qytetin tonë, ka qënë i rrallë.
Pavarësisht, rrapet më të mëdhenj dhe ndoshta më të vjetër që ndodhen sot në Korçë janë dy rrape që lartësohen dhe bëjnë hije, tek çezma e Shën Mërisë.
Rrapi, Platanus, orientalis është bimë tipike e gadishullit tonë dhe tradita thotë se, zakonisht në qëndër të fshatit apo të qytezës, nëpër Ballkan, gjithandej do të gjesh rrape të mëdhenj të fuqishëm dhe aty, në këmbët e tyre, çezmën a kroin me ujë të ftohtë të bollshëm.
Pra meqënëse rrapet në një vëndbanim, zakonisht janë një tregues që dëshmon për hershmërinë e themelimit të tij, të jenë edhe rrapet e Shën Mërisë në Korçë, një shënjë që lidhet me hershmërinë e themelimit të qytetit tonë? Ndoshta për këtë gjë duhen studime.
Rrapi rron me shekuj, pra qindra vjet. Ai njihet qysh në kohët më të lashta dhe përveç Ballkanit, është i përhapur edhe në Azinë e vogël e deri në Persi e Indi (flasim për specien Platanus orientalis). Në Greqinë e lashtë përmëndej në ishullin Ko, një rrap i lartë i quajtur rrapi i Hipokratit, në Akdeminë e Platonit kish një lirishtë me rrape ku nxënësit merrnin mësimet, në natyrë të hapur, Plini përmënd së në kohën e romakëve, në Liki (Azi e Vogël) primati i këtij vëndi, bëri në zgavrën e një rrapi një banket me 19 veta, ndërsa perandori Caligula, tek një rrap që ndodhej në Velletri, ndërtoi tek degët e tij, një shtëpizë ku bëri një banket me 15 a më tepër veta, etj. Tek ne është i famshëm rrapi i Elbasanit i quajtur, rrapi i Bezistanit si dhe rrape të tjerë, veçanërisht në zonat më të ngrohta sesa zona e Korçës, e cila duket se nuk është dhe shumë e përshtatshme për zhvillimn e këtij druri.
Më poshtë jepen dy foto të rrapeve të Shën Mërisë në Korçë,  të cilat i kam bërë (I.V.B.) majin e vitit 2011. Në to duket bukur madhështia e këtyre drurëve të rrallë brënda qytetit tonë.

Rrapi_dhe_cesma_Sh._Meri_Korce  


Rrapat_Korce  
 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE3/3 - Të dhëna numerike për liqenet e Prespës, krahasuar këto me fushën e Korçës.

  Prespat përfshihen përbrenda këtyre koordinatave gjeografike, veri 41 gradë dhe 25 minuta, jugë 40 gradë dhe 40 minuta, në lindje  21 gradë dhe 16 minuta dhe në perëndim 20 gradë dhe 50 minuta dhe kanë sipërfaqe, Prespa e madhe 275.2 km2, ndërsa Prespa e vogël 50.7km2.Liqenet kanë konfiguracion të çrregullt. Gjatësi...

» KE2/2 - Mbi qepën në qarkun e Korçës

Qepa (latn. Allium cepa L.) konsiderohet si mbreti i kuzhinës. E ka origjinën nga zonat në thellësi të Azisë. Kultivimi i saj është tepër i vjetër dhe njihej prej egjiptianëve, grekëve dhe romakëve të vjetër. Përshkruhet me hollësi prej Theofrastit dhe Plinit. Qepa përmban, kalium, natrium, kalçium, acide, sheqerna, vitamina...

» MZ - Vargje poetike: Për kopshtet.

 … Dhe kështu, foshnja-Jezu qëndroi,në gjunjë të nënës së dashur Mari,çdo lule ngriti kokën, Zotin vështroi,çdo yll, uli sytë dhe pa në tokë, Perëndinë-Njeri …G. K. Chesterton(1874-1936)*“Pemët filluan të pëshpërisnin, ndërsa era filloi të pështjellohet,dhe atë mëngjes të egër të marsit, dëgjova, sesi shpirti...

» KE11/5 - Mbi oborret e qytetit të Korçës. Skicë

 Në Korçë duke përjashtuar apartamentet, nuk ka shtëpi, ose për të qënë më të saktë, numërohen me gishtat e dorës ato shtëpi, që nuk kanë oborr dhe që dalin drejt e në rrugë. Shtëpitë e qytetit tonë, shumë a pak që të gjitha kanë oborr, kush në një sipërfaqe më madhe dhe kush, në një sipërfaqe më të vogël....

» KE1/31 - Bliri

Bliri (Latn. Tilia cordata L.) është drupyjori karakteristik i bulevardeve të Korçës, të cilat janë zbukuruar me këtë specie, aty nga vitet ’60. Para këtyre viteve bulevardet kishin në të dy anët në shumicën e rasteve akacie, ose si quhen në gjuhën e popullit, ‘rogovecka’.   Bliri i bulevardeve të Korçës në vartësi të...

Share