MZ - Aforizmë: Nektar Tërpo - Voskopojari

Papës së Romës ditën e parë që ulej në fronin papal i ndiznin përpara disa kashtëra dhe kardinali i thesh:

Beatissimo Padre, I Nderuar Pater, kaq është kjo jetë dhe kaq është lavdia e kësaj bote, sa ky tym!

 

Para disa kohësh, një qiparis i limontë mu tha.
Unë, që këto punë i di fort mirë o miku im dhe që e di se edhe bima ka shpirt, paçka se Aristoteli dhe Platoni për njëzet vjet mes tyre, debatonin nëse bimët kanë apo jo shpirt, e pra unë që e di më mirë se ata dhe që jam i bindur që bima ka shpirt, vendosa ta shoh këtë punë, pra: Pse ai qiparis i limontë që e pata mbjellë në një varele të madhe dhe që e mbaja gjithë kujdes, diku aty në krye të ballkonit, mu tha?
Dije! ” Më pat thënë dikur, një bujk i vjetër prej Voskopi, “kur bima vdes pra thahet, në do të dish se çfarë e ka munduar shpirtin e saj, duhet pra me patjetër t’i shikosh rrënjët.
Vendosa pra, të bëj autopsinë dhe të shoh arsyet përse ai qiparis i limontë mu tha.
Pasi ia preva gjithë keqardhje degët e thata, asaj qënieje të vdekur që për shumë kohë më pat dhënë kënaqësi dhe pasi e bëra cung, sa nuk e shihja dot ashtu të shëmtuar, e nxora duke psherëtirë, siç ish, kallëp, me gjithë dhè prej varelit ku e kisha mbjellë.
Gjithmonë punët do t’i marrësh me rradhë” më pat thënë plaku, “Çdo shtresë dheu që mbështjell rrënjët, ka kuptimin e vet, madje, sa më tepër rrënja të depërtojë, të mlekset, të ndërthuret me dheun, aq më tepër shpirti i saj, ka dhënë e ka marrë me të, ose më saktë, aq më tepër ajo shtresë ka luajtur rol në shpirtin e bimës.
Vura re se shtresën e jashtme të dheut, që mbështillte rrënjët e qiparisit tim të limontë, pak rrënjëza e kishin depërtuar. Mu kujtua menjëherë, se ajo ishte shtresa ime e dheut, ishte dheu tim, dheu që i kisha hedhur asaj bime të dashur, kur pasi e nxora dikur plot kujdes, me gjithë dhè, kallëp prej saksisë ku e kisha blerë, e rimbolla atë pastaj në varele. E pra, duket dheun tim, nuk e kish patur për shpirt, qiparisi im i limontë.
Pse vallë? Unë bëra të pamundurën, për t’i dhënë gjithçka asaj bime, e përpunova dheun me torfë, e ushqeva me pleh, e qërova nga të gjitha që mendoja se mund ta dëmtonin atë bimë të dashur, e vadisja vazhdimisht, përse vallë rrënjët e saj nuk kishin depërtuar në të? Përse vallë  ai dhè që i kish gjithë të mirat, nuk i pati hyrë asaj bime në shpirt? Përse?
U trishtova, nuk më erdhi mirë dhe me zemër të thyer, kujtova porosinë e mëtejshme të bujkut të vjetër:
Në raste të tilla, nuk e ke fajin ti, as dheu për rreth, duhet që ta shohësh punën më thellë!
Edhe më i shqetësuar, me kureshtje më të madhe, duke vazhduar autopsinë time, i pezmatuar, i hoqa me kujdes gjithë shtresën e dheut të mirë që i pata hedhur dikur asaj bime tashmë të tharë dhe dola kështu në shtresën e dheut të saksisë, pra të jetës që ajo pati bërë, përpara se unë ta bëja timen, të jetës pra, përpara se të rimbillej tek unë.
Edhe këtu qiparisi im i limontë, pak rrënjë pati lëshuar ndonëse në atë saksi kish pas jetuar vite më shumë, sesa tek unë.
Dukeshin rrënjët që ishin të vjetra, të ashpra, të dobta.
Dhe në qoftë se edhe në këtë shtresë nuk kupton dot shkakun - më pat thënë plaku - atëhere dije, se atë do ta gjesh tek buka e dheut!
Oh, buka e dheut! Aty i gjen të gjitha, aty rri shpirti i bimës, aty rri mëndja e saj, aty i rreh zemra, aty i ka sytë, aty i ka lotët, aty ajo psherëtin, aty lëngon, aty kënaqet, aty gëzohet, aty ngazëllehet, aty i qesh e aty i pëlcet buza, aty, aty, aty. Nuk ka rëndësi sesi është buka e dheut, nuk ka rëndësi! Ai dhè qëndron mbi të gjitha llojet e dherave, është bukë. Bimës nuk ia ndan dot atë dhe as ajo, nuk mund të ndahet dot prej tij, kudo që të rimbillet, kudo që të shkojë, kudo që të përfundojë, sado që të zhvillohet, sado që të mbrothësojë, sado që të përparojë, apo sado që të vuajë… do, s’do… do, s’do. Ajo pra, do ta marrë atë gjithmonë me vete, gjithmonë, gjithmonë, e shtrëngon fort, shumë fort, nuk e le, sa të rrojë e të jetë. Ajo pa të nuk jeton dot, thahet, vdes, pa të nuk mendon dot, pa të nuk frymëmerr dot. Dhe kuptohet se edhe buka e dheut e mban gjithmonë bimën, në gjirin e vet fort, nuk i ndahet asaj, kurrë, kurrë dhe s’ka sesi.
Këtu pra rri shpirti i saj, këtu pra do ta gjesh shkakun, këtu do të gjesh thelbin e jetës,… së një bime.
I zhytur kështu në autopsinë time, në atë copë dhè më të brëndshëm, në atë dhè që e kish shoqëruar bimën për gjithë jetën, i zhytur në atë thelb, në rrënjët e asaj bime, të asaj bime tashmë të tharë, të cilën mbaja në duar, ashtu duardredhur, gjithë kureshtje, ankth, emocione, për të kuptuar një të vërtetë, pra për të kuptuar përse ai qiparis i limontë mu tha, dëgjova papritur zërin e dashur të gruas, i cili më zgjoi nga këto shtëllunga angushtimesh, që më ishin mbërthyer në fyt:
E - më tha, me atë shikimin e saj që gjithmonë më ëmbëlson - kupton gjë, përse na u tha qiparisi?
Po” - i thashë, duke psherëtirë dhe gati sa s’qava – “shpirti i kësaj bimë ka vuajtur nga ajo sëmundje, që në gjuhën frënge quhet, Mal de pays dhe që ne në shqip i themi, ligështimi që vjen nga lidhja e fortë me bukën e dheut.

Ilia V. Ballauri
Mars 2012.

rrenja_dhe_buka_e_dheut  
 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE10/13 - Mbi një testament të vitit 1693 të shkruajtur në formë poetiko - filozofike në Voskopojë

Duke lexuar këto rreshta të shkruara mbi 300 vjet më parë, me të cilat hapet një testament i vitit 1693, që gjendet në Kodikun e Shën Prodhromit të Voskopojës, (kopjuar prej I. Martinianit, para vitit 1939), çdokush mud të habitet. Rreshtat e mëposhtme shumë mirë mund të përngjasohen me ato të traktateve të ngritura të asaj...

» KE6/1 - Mjeshtra të punimeve të ndryshme metalike dhe mekanike, më 1911 në Korçë.

1. Mjeshtra të punimeve të ndryshme metalike dhe mekanike, më 1911 në Korçë ishin:Perikli TeneqexhiPandeli KostandiniThemistokli Gjeorgji.2) Ndreqësa armësh: Vëllaz. Theohar KondakçiKoço PeristeriEvthim PeristeriTheohar Filipi.3) Thika bërësDhimitër Samarinioti.Në këtë kohë, në Korçë kish gjithashtu edhe një agjensi të...

» KE1/48 - Piavicat

(Latn. Hirudo medicinalis), janë shushunja që pijnë gjakun (hematophagous). Nga ana zoologjike, janë krimba annelide (unazore), hermaphrodite (dyseksore), me 34 segmente.Piavicat që pijnë gjakun kapen pas prehës së tyre dhe me gojën si venduzë që përbëhet prej gjashtë segmenteve, kryejnë thithjen e gjakut. Studimet tregojnë se,...

» KE2/38 - Disa aktivitete shërbimesh të vjetra në Korçë që tashmë janë zhdukur.

 Dikur rrugëve të qytetit tonë qarkullonin, shitësit e pishës, që përdorej për ndezjen e zjarrit. Këta shisnin copa pishe të cilat për nga natyra e tyre ishin të tejngopura me rrëshirë, të gjata rreth 25 cm dhe të trasha rreth 1.5 cm, në tufë me  trashësi rreth 10cm, të lidhura. Çmimi i tyre ishte 5 lek. Disa shitës, nuk e...

» KE6/17 - Mbi depon e dikurshme të gazit ose të vajgurit, në Korçë.

 Meqënëse vajguri dikur ishte një lëndë e konsumit të përditshëm, mbasi përdorej për ndriçim, kuptohet se edhe tregu duhej të furnizohej thuajse çdo ditë me këtë mall, i cili, ndryshe nga mallrat e tjera ishte njëkohësiht edhe i rrezikshëm, pra lëndë djegëse dhe plasëse. Për këtë arsye, dikur Korça pati një depo të...

Share