A e dini se kush i pari njofton, jep kushtrimin e zgjimit,
të ditës tjetër, fillimin,
në një qytet me dy milion banorë,
qytet që s’fle njëzet e katër orë,
qytet i madh ky, pa fund, që nuk çlodhet, nuk qetësohet,
që veç dremit për disa çaste dhe pastaj,
nis ditën e re dhe përsëri vrapon, nxitohet e nxitohet?
Ja!
Aty mes dritave, makinave, betonit, konsumit, reklamave pa fund,
mes semaforëve hap e mbyll, pub-eve të mesnatës,
frenove të befasishme, aty ku dëgjohet - Okay - gjithkund,
vitrinave Benetton, Oliver, bar-pjanove monotonë të dremitur nën blous,
aty ku gishtat prekin e veç prekin celularët me touch,
aty ku tashmë, është çoroditur gjthçka dhe gjithkush,
e pra,
edhe aty, si dhe dikur, zgjimin na i thotë përsëri,
një këndez,
që s’di sesi është gjendur, se ku ndodhet,
por që e dëgjoj të këndojë, ki ki ki, çdo mëngjez,
me përpikmëri,
krenar dhe i çkujdesur këngën e tij,
thuajse nuk rron në këtë det lëvizjeje që gjithçka e bluan, e përcjell,
thuajse është në përrallën e vet me gjysmagjel,
thuajse kërkon, ngul këmbën në të tijën, sikur do të na thotë,
- Ç’na i ndërruat më këtë ditë! Ç’na i bëtë kështu këtë botë! -
thuajse për atë edhe tani,
ligjet e fshatit vazhdojnë, janë ende në fuqi.
Ilia V. Ballauri,
duke zbardhur dita,
6/7/2013.
Share |