Çka më poshtë përshkruaj, mora shkas (I.V.B.) nga një foto, në fb-un, aq të dashur për korçarët, w.w.w.fb: Këtu mbledhim, material per Korçën, … . Fotoja në fjalë e vendosur aty më dt. 14.6. 2013, jep një pamje nga puna e dikurshme e grave të fshatit në të ashtuquajturin dikur, brez të butë të klonit të kufirit, etj.
Meqënëse të gjithë një ditë do të ikim nga kjo botë dhe të tjerë do të vinë, teksa shihja foton mendova: a do ta dinë vallë ata që do të rrojnë p.sh. në vitin 2094, se dikur një popull i tërë ishte i mbyllur brenda një rrjete të hekurt si bishat e egra, apo si leprotikët, apo si kriminelët, apo si të çmëndurit? Ndaj e pashë të udhës që me aq sa mund të di, të shkruaj dy fjalë.


Gjatë viteve të regjimit komunist, Shqipëria u izolua prej gjithë njerëzve të tjerë që jetonin mbi dhè në të gjitha format, madje edhe fizikisht. Regjimi i egër i asaj kohe e shkëputi atë nga gjithë bota duke ndërtuar përgjatë gjithë kufirit të vëndit, famëkeqin klon. Kloni ishte  një mur me tela të fortë me gjëmba, i ngritur në formën e një perdeje vertikale të hekurt, mbi dy metra e lartë, mbështetur në shtylla betonarme. Kloni nuk ishte ekzaktësisht në vijën e kufirit por, më brënda tij, këtej piramideve, pra në tokën shqiptare. Në të dy anët e klonit ndodhej i ashtuquajturi brezi i butë, që ishte një rrip toke vërtet e butë, e punuar freskët, një brez pra me gjërësi 4m në secilën anë të klonit, me qëllim që në të, të mbeteshin gjurmët e atyre që do të kalonin kufirin, pra që do të arratiseshin.

Kloni ushqehej me rrymë elektrike e cila kish dy qëllime: së pari, të godiste dhe të linte në vënd madje edhe ta karbonizonte, këdo që do të tentonte të arratisej dhe së dyti, të jepte alarmin në postën më të afërt kufitare. Përveç kësaj, përgjatë klonit patrullohej nga ushtarët e patrullës, të cilët ishin, për çdo patrullë të paktën dy, për të kontrolluar edhe njëri tjetrin, të armatosur me kallashnikovë, dylbi dhe me qenër të veçantë shtatlartë dhe agresivë, të quajtur prej popullit ‘qenër kufiri’, simboli i cerberit, ruajtësit të botës së të vdekurve në mitologji.
Thuhet, se sipërfaqja e tokës në brezin e butë, në pjesën e kufirit që kalonte në krah të fshatit Qytezë, të qarkut të Korçës, ishte po aq, madje ndoshta edhe më tepër, sesa gjithë sipërfaqja e tokës së punueshme që kish fshati. Brezi i butë punohej prej fshatarëve, prej të ashtuquajturve ‘njerëz të besuar’, (sidomos gra, dhe kuptohet përse) që edhe tek ata regjimi nuk kish besim, mbasi edhe ata kontrolloheshin dhe ruheshin rreptë. Me emra të shënuar në një listë të miratuar nga lart, ata hynin dhe dilnin për të punuar brezin sa herë që bëhej freskimi i butësisë së tij, dhe me apel, prej oficerit të postës.
Nisur vetëm nga fakti që toka e brezit të butë për fshatin Qytezë, ishte në sipërfaqe aq e madhe sa edhe toka e punueshme e gjithë fshatit, mund të të themi se: popullit aty i duhej të punonte njëherë për tu ushqyer, për të mbajtur gjallë fëmijët, familjen, për tu veshur dhe për tu mbathur, pra për tu rropatur për të mbijetuar dhe njëherë tjetër po aq, për të përforcuar perdhen e hekurt, izolimin, shkëputjen, ndarjen fizike nga gjithë bota.
Të dhënat e shtypit postkomunist, dëshmojnë se telat me gjëmba u sollën në Shqipëri nëpërmjet blerjes me clearing nga Gjermania Lindore e asaj kohe, e cila kish fabrika të veçanta për prodhimin e telave të tilla meqënë se i përdorte vazhdimisht për izolimin e Gjermanisë Lindore (D.D.R) nga ajo perëndimore. Po sipas shtypit postkomunist thuhet gjithashtu se, vetëm në një vit, u soll në ato kohë në Shqipëri, 18 mijë ton tela me gjëmba. Nisur nga ky fakt, në analogji i bie që kjo sasi teli me gjëmba, të ishte e tillë sa që mund të mbartej nga një mijë mauna 18 tonëshe dhe për më tepër akoma, vargu i këtyre maunave që mund të mbartnin këtë sasi telash me gjëmba, mund të llogaritet që të arrinte në disa kilometra. Dhe kjo vetëm, për telat e sjellë për një vit.
Ndërkaq thuhet se vlera monetare e shpenzuar për të izoluar popullin shqiptar prej gjithë botës me tela me gjëmba dhe korrent, llogaritet të jetë maramëndëse: aq sa ishte dhe vlera monetare e tregtisë së Shipërisë komuniste për 40 vjet me 8 vënde evropiane të marra këto së bashku.
Kloni ishte e pamundur që të kalohej. Në historinë e komunizmit ai ishte një prej shumë njollave më të poshtra që pati ai sistem. Të shumtë, qindra e qindra vetë, ishin ata që e lanë klonin dhe brezin e butë me gjak dhe të shumtë po ashtu, dhe ata që e paguan dështimin e tyre aty tek telat e tij, me tortura çnjerëzore nëpër burgje për vite me rradhë. Ndërkaq shumë, shumë të pakët, ata që mundën ta kalonin atë dhe të çanin drejt botës së lirë.
Familjet e të të tre palëve pastaj, internoheshin (ital. interno = futeshin brënda) d.m.th. syrgjynoseshin (turqisht) në brëndësi të vëndit, në zona pune të detyruar, ku kalonin gjithë jetën, që të gjithë, pleq, fëmijë, gra, të cilët tregoheshin me gisht si reaksionarë, të përndjekur, që s’kishin përbërje të mirë, të deklasuar, etj, të përbuzur, të mohuar, pa të drejta, etj, etj.


[Shënim:  Shoh se, nga sa përmënda më lart, del se nuk ka fjalë në shqip, për fjalën internim ose syrgjynim dhe kjo gjë, është në nder të gjuhës sonë!

Po ashtu ndonëse nuk e di sesi dhe pse, ideja makabre e mësipërme u emërtua klon, nisur nga dijet time si doktor i shkencave në gjenetikë, këtu, në këtë disiplinë të kërkimeve njerëzore, me klon, quhet një grup qelizash që veçohen prej të tjerave në laborator me qëllim që të mbahen të pastra, mos përziehen. Lumturisht edhe kjo fjalë nuk është shqip, nuk i takon gjuhës që më mësoi nëna!]


Kloni_i_dikurshem_i_kufirit

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE8/9 - Argatët e dikurshëm të korrjeve të grurit , prej krahinës së Devollit

Korrja e grurit në veçanti dhe e të lashtave në përgjithësi, në ato kohë kur kjo punë kryhej me krahë, gjithmonë ka qënë konsideruar si një nga periudhat më kulminante në bujqësi, nga më të ngarkuarat me punë, nga më të vështirat, me proçese nga më të shumëllojshmet që kërkonte krahë të specializuara pune dhe nga më...

» BK/LA - Skicë - Unter dem Linden (Nën bliret)

Skica e mëposhtme i dedikohet S.T.I. dhe neteve me aromë bliri të Korçës, në qershor, sidomos atyre, të shumë e shumë viteve më parë.Sytë plot rrudha të plakës që shkëlqenin prej ngazëllimit u mbushën me lot teksa këndonte me zë të ulët, këngën e njohur gjermane “Unter dem Linden” me muzikë të Shubertit. Me shaminë e...

» KE12/10 - Ç' ishin çifligjet.

 Shënim:  Materiali që vijon, është hartuar duke u bazuar tek të dhënat të nxjerra nga studimi: Akd. Shkc. Shqiprisë, L. Mile,“Çështje të historisë agrare shqiptare (fundi i shek.18-të, deri në vitet ’70 të shek.19-të)“, fq. 30 - 33.Fjala çiflig duket se vjen prej persishtes: çift = një palë, pra një pendë qè e...

» KE8/10- N. Bulka përshkruan strukturën socale të Korçës në v. 30 bazuar ... tek biletat e kinemasë.

 Cila ishte struktura shoqërore e qytetit tonë në periudhën ndërmjet dy luftërave?Këtë na i thotë shumë bukur Nonda Bulka, në një artikull të tij me titull: Në “Kinema me publikun”, tek “Gazeta e Korçës”, 23 dhjetor 1933. (Nxjerrë nga libri i A. Gjergjit, “Mënyra e jetesës në shek. XIII – XX”).Shënim: Për të...

» KE4/21 - Prejardhja gjeografike e trupave franceze që mbërritën në Korçë, gjatë Luftës së I-rë.

Ushtarët francezë që u vendosën në krahinën e Korçës në këtë kohë, i përkisnin, Trupave ushtarake franceze të Orientit. Këto vareshin prej gjeneral Sarrail i cili e kish qëndrën në Selenik. Ja disa grupime ushtarake franceze dhe gjeografia e prejardhjes së tyre, që morën pjesë në veprimet ushtarake të zhvilluara në këtë...

Share