Për herë të parë, nuk ka qënë njeriu por perënditë që kanë dashuruar vjedhurazi duke shkelur besën bashkëshortore, kështu thonë mithet dhe kështu thotë Homeri, tek rapsodia e 8-të e Odisesë.
Perëndia e bukurisë femërore, e dashurisë, e të shtriturit në shtrat, Afërdita (ose Venusi, për latinët), e pa përmbajtur për aktet erotike, ishte martuar me perëndinë e zjarrit, e artit të punimit të metaleve, me mjeshtrin e çalë me krahë të forta dhe këmbë të shtrembëra, pra me Hefestin (ose Vullkanin, për latinët).
Kjo hyjneshë e joshur prej perëndisë së luftës, Arit (Marsit, për latinët), prej bukurisë së trupit të tij, forcës, burrërisë, dhe ky, i çmëndur nga trajtat  e saj, zjarri epshor që ajo rrezatonte, vendosin pra të dy të shtrihen fshehurazi, në shtrat. Afërdita pra të shkelë besën bashkëshortore dhe Ari, të pushtohej me gruan e tjetrit.
Dhe tek ishin zhveshur dhe përqafuar, të perënduar në botën e kënaqësive, ja sesi u zunë në flagrancë prej Hefestit.
Këtë ngjarje tek eposi i Odisesë, e këndon me lirë një rapsod tek pallati i Nausikës, ku ishte i ftuar Odisea. Le ta dëgjojmë.

 

Perëndia Hefest zë me rrjeta Afërditën,
bashkëshorten e vet,
tek dashuronte fshehtazi me perëndinë Ari.
8/7 (vargj. origj. 266 – 298)


Dhe ja rapsodi, filloi ligjërimin e këndshëm duke i kënduar,
dashurisë mes Arit dhe Afërditës kurorëbukur,
ngjarjet me lirë duke i shoqëruar,
kur këta, vjedhurazi u shtrinë për herë të parë, u shtrënguan,
në krahët e njëri tjetrit u pushtuan,
aty, tek pallatet e Hefestit.
Shumë dhurata ofroi Ari,
për t’ia arritur qëllimit, për të bërë qejf,
për të çnderuar shtratin, e Hefestit mbret.
Por Dielli që si shpëton gjë, që shikon gjithandej, gjithçka,
menjëherë sa i pa,
të shtrihen të papërmbajtur, fshehurazi të dy bashkë,
ia dërgoi Hefestit, të rëndën, të hidhurën mandatë.
Kur ky mësoi këtë lajm të tmerrshëm, të shëmtuar,
vendosi të hakmerrej rëndë
dhe shkoi në atelienë e tij, plane të këqia në mëndje duke bluar.
Nxori dhe vuri një kudhër masive,
mbi bangon ku punonte përditë,
dhe filloi aty të sajojë rrjeta-kapëse të forta,
që nuk çaheshin,
nuk shqyheshin dot, që çdo force i duronin, pa frikë.
Dhe pasi kurthin kështu përgatiti,
i tërbuar prej marazit, zëmërimit për Arin, më nuk priti,
por shkoi në dhomën, ku gjendej shtrati i fjetjeve bashkëshortore
dhe ngriti,
shtroi këtu tek këmbët dhe në vende të tjera, rrjeta të tilla rrethore.
Ngriti shumë rrjeta-gracka, duke varur edhe sipër mbi shtrat,
të holla këto sa fijet e merimagës,
që nuk i dallonin dot, as nga afër, as nga larg,
as sytë e perëndive të amëshuara,
aq me djallëzi dhe finesë, ishin të punuara.
Kështu mbasi shtroi rreth shtratit gjithë kurthin e vet,
bëri sikur gjoja iku,
në Limnosin e bukur, të cilin e desh më tepër se çdo qytet.
Ndërkaq nga ana tjetër edhe Ari me të artat, të luftës paisje,
i ruhej me kujdes dhe priste.
Ky menjëherë sa mori vesh,
se u largua prej shtëpie Hefesti, ky mjeshtër i paarritshëm,
mendoi se i erdhi çasti i volitshëm,
dhe ja, i përfshirë prej pasionit,
zjarrit që Afërditë-Kithera kurorëbukur, ia ndizte gjithë epsh,
rendi të futej në dhomën, e perëndisë Hefest.
Hyjnesha aty,
sapo ish kthyer prej birit të Kronit, Zeusit kryeperëndi
dhe rinte e ngrehur, gjithë joshje në pritmëni.

Ari duke hyrë, e kapi për dore dhe i tha:
“E dashur, eja të shkojmë të shtrihemi në shtrat,
Hefesti nuk është, me siguri do të shkonte larg,
në Limnos, tek zë-ashëprit Sintianë.”

Kështu i tha ai, perëndeshës që digjej gjithë dëshirë,
me të në shtrat, për tu shtrirë.
U shtrinë dhe me njëri tjetrin u pushtuan,
por rrjetat-gracka të perëndisë qëllimthellë, vepruan
dhe i lidhën, trupat e tyre të kolmë.
Nuk mundnin dot,
prej tyre të çliroheshin, nuk kishin ku të shkonin,
nuk mundeshin dot as të lëviznin,
nuk kishin asnjë mundësi të shpëtonin,
dhe kështu e kuptuan, se ishin zënë në grackë.



Shqipëroi: Ilia V. Ballauri ©






Ari dhe Afërdita në rrjetën e Hefestit.
Alexandre Charles Guillemot, 1827.

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Morali i pushtetarëve - Ja përse Homeri është aktual edhe sot.

 Pushtetari ka për detyrë t’i justifikojë privilegjet, përpara popullit të vet, me vepra.  Në vitin e dhjetë të luftës së Trojës, pas betejash të pafundme për rrëzimin e mureve të famshme të qytetit më madhështor të botës së asaj kohe, të ngujuarit dhe rrethuesit, Trojanët dhe Akejtë, të dy palët tashmë të lodhur,...

» KE7/11- 12 - Mali i Thatë dhe vargjet e Lasgush Poradecit, "Fryn veriu ..."

Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë. Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a prrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit. Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit...

» BK/LA - Poezi e recituar dhe e shoqëruar me muzikë - Anakreonti - Erosi prej dylle.

                                       Poezi, nga Anakreonti, shek.6-të para Kr. zgjodhi dhe shqipëroi, Ilia V. Ballauri, reciton Nonda Kajno. Dikur në treg, një djalosh trim,Të Erosit një bust prej dylle, përngjasim,E shiste, dukej dore desh ta hiqte,“Kush...

» KE10/13 - Mbi një testament të vitit 1693 të shkruajtur në formë poetiko - filozofike në Voskopojë

Duke lexuar këto rreshta të shkruara mbi 300 vjet më parë, me të cilat hapet një testament i vitit 1693, që gjendet në Kodikun e Shën Prodhromit të Voskopojës, (kopjuar prej I. Martinianit, para vitit 1939), çdokush mud të habitet. Rreshtat e mëposhtme shumë mirë mund të përngjasohen me ato të traktateve të ngritura të asaj...

» MZ - Vargje erotike bizantine: "Gërsheti i mplakur"

 Përse m’i përbuz të dobtat flokë,të mplakura, bërë gërshet me zor në kokë?Përse,m’i përbuz sytë që prej lotëve më janë zbutur,më janë tretur, më janë errur, më janë futur?Eh, këto pra lulëzojnë tani, me dhimbjen time,tallen, më përqeshin, ushqehen me shqetsimet.Ato janë shënja të plagëve, të shigjetave, të...

Share