Për një çast, gjatë luftës së gjatë dhe të lodhshme të Trojës, turma e Akejve e grumbulluar, para mureve të pamposhtur të qytetit, në një gjëndje dëshpërimi dhe të pashpresë, kërkonte të kthehej në atdhe, duke hequr kështu dorë njëherë e mirë, prej qëllimit të dyfishtë, d.m.th. prej rimarrjes së Elenës së bukur të rrëmbyer prej Trojanëve dhe pushtimit të qytetit më të famshëm mbi dhe.
E pra, në një çast të tillë, Odisea me zgjuarsinë dhe elokuencën e vet, përmbys gjithë situatën.
Sikur Akejtë të ishin kthyer në atdhe dhe Troja të mbijetonte, ndoshta sot, gjithë bota mund të ishte krejt ndryshe !!!



Fjala e Odisesë.

Parabola e gjarpërit dhe
e të nëntë harabelave.

 

 ..............................................................

Kështu pra u veprua, në takimin mes ushtarëve,
dhe pastaj Odisea prijës, i nderuar, i parë mes të parëve.
u bë gati të flasë, një fjalim të zjarrtë.
Me skeptrin në dorë Athinaja hyjni, pranë i qëndronte,
e transformuar si kasnec, që heshtjen vendoste,
kërkonte ajo që ushtarët të pushonin, të bëhej qetësi,
me qëllim që fjalët e Odisesë, t’i dëgjonte mirë çdo njeri:

“O mbret, i biri i Atreas! -
Thirri Odisea.
Duket, se ushtarët që nga pas, po i heq,
kanë vendosur, që në turp të të zhytin, si mos më keq,
të të bëjnë objekt, për përfolje, për tallje ngado,
të pafytyrë nëpër botë, nëpër mbretër kudo.
Duket se harruan besën, fjalën që ata dhanë,
aty në sheshin e Argosit, para se të niseshim kur thanë,
se nuk do të ktheheshin, prapa në atdhe,
pa shtënë në dorë Trojën, me muret gjer në re.
Dëgjoi tani pra, si njëri tjetrit i ankohen,
dëgjoi si përpiqen të ikin, në atdhe të largohen,
shih pra si bëjnë, si fëmijë lotojnë,
si gratë e veja, që për burrat vajtojnë.

Vërtet!
Kush nga ne, nuk e di,
se nuk është aspak, për t’u dyshuar,

se mundimi tonë këtu, le për të dëshiruar,
se nuk mjafton, ç'ka arritëm,
dhe kjo gjë edhe zemrën e lëndon,

madje, ndokë edhe e dekurajon.
Dihet se edhe detari, që me varkën e vet të fortë,
kur vjen dimri, dhe në det, mbyllet, larg nga kjo botë,
mes detit të fryrë, plot tallaze, edhe ai aty mërzitet,
dhe rri e mendon, ëndërron, të takojë gruan s’i pritet.
Sikur edhe për një muaj, larg saj të qëndrojë,
rëndohet, i duket, sikur është e kotë që të rrojë.
Vërtet dhe ne, që mbetëm këtu, nëntë vite të mëdha,
jemi mërzitur, pikëlluar dhe hidhëruar, sa s’ka.
Këtu në anijet me vela, presim dhe rëndohemi,
kuptohet se njerëz jemi, normale është të ankohemi.
Por besoj, 
se është pa vend dhe plot turpësi,

që të dergjesh, kaq shumë, në pritmëni,
dhe pastaj,
të kthehesh me duar bosh, si budallaj.
 
O miq! O trima ushtarë!
Tregoni durimin, e një sedre të vrarë.

Duroni dhe pak, sa të shohim të qartë,
nëse profecia, e Kalhandës gojartë,
vërtet do t’plotësohet,
apo do të përgënjeshtrohet!?
Dhe ju të gjithë e dini, të gjithë e pranoni,
që Mira e vdekjes, s’u preku, kur u nisët,
në luftë të shkoni.
E mbani mend, në Aulidë, ç’ndodhi, besoj u kujtohet,
sikur t’ishte dje, a pardje, kur lajmi nisi të njoftohet,
se flota e Akejve, u mblodh të nisej,
që Troja e Priamit, në shqetësime të vithisej.
Eh, atëhere, a u kujtohet!?
Dhurata e kurbane, bëmë sa s’numërohet.
Perëndive në altare, u gjakosëm gjënë e gjallë,
rreth burimit, me ujë të freskët, të rrallë,
poshtë një rrapi madhështor, të bukur, të lartë,
aty ku gurgullonte, ujët e kristaltë.
Aty pikërisht, u shfaq shënja e vërtetë,
gjarpëri i tmerrshëm, me kurriz të kuqëremtë,
që Zeusi i Olimpit, e nxorri në dritë,
kur doli prej altarit dhe në rrap, zu të hipë.
Por ndërkaq, në një degë aty lart, në majë të rrapit të vjetër,
poshtë gjetheve, kish një fole, ku zhvillohej një jetë tjetër.
Tetë harabela, të vegjël cicëronin, lodronin,
me nënën bashkë, nëntë shpirtra numëronin.
Që të tetë të vegjlit, gjarpëri i madh i gëlltiti,
erdhi rrotull, nënë e gjorë, qau, cicëriti.
Por më kot.
Edhe nënën gjarpëri, e hëngri kur dega u përkul,
e kapi ai zogun, u hodh, mbi të u sul.
Kështu pra teksa e mjera nënë, të vegjlit kërkonte, Parabola_e_gjarperit
me cicërima, rreth e rrotull, qante e vajtonte,
shkoi dhe ajo pra, gjithë familja, që nëntë numëronte.

Mbasi ndodhi kjo e papritur, kjo gjëmë,

Zeusi në gur, e ktheu, këtë gjarpër me shënjë.
Ne të gjithë aty, mbetëm pa gojë, të hutuar,
ç’ishin këto ngjarje, që s’kishin të shpjeguar?
Ç’ishin këto që po ndodhnin, aty në të shenjtin altar,
teksa luteshim që gjithçka, të na shkonte, sa më mbar?”
Kalhanda, profeti, mori fjalën dhe tregoi,
ngjarjet e çuditshme, njëpërnjë na i tha, na i sqaroi.
“Përse u hutuat, thirri ai, përse çuditeni,
Zeusi i dërgoi, këto shënja, që të përgatiteni.
Kjo ditë prej kujtesës, kurrë s’do tu largohet,
tetë zogjtë e vegjël dhe nëna po të numërohet,
nëntë bëjnë, që gjarpëri i gëlltiti,
dhe ju për nëntë vite, Zeusi u përgatiti,
që të luftoni,
dhe Trojën me rrugë të gjëra, do ta fitoni,
vitin e dhjetë.
Kjo do të ndodhë! Kjo do të jetë!”
Këto tha Kalhanda, që parashikimet i dalin.
Ndaj u bëj thirrje që kthimin ta ndalim,
këtu qëndroni, o Akej pulpëmbushur, kockëfortë,
o gjakësorë,
derisa Trojën e madhe të Priamit, ta shtiem në dorë!”

.................................................................................

Shqipëroi
Ilia V. Ballauri

Mashtrimi_i_Trojes

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» BK/LA - Homeri - Iliada

Perëndesha Hera bën tualetin e saj.Homeri, Iliada, rapsodia XIV, 166 etj.Shqipëroi: Ilia V. Ballauri(Shënim : Në luftën e Trojës morën pjesë edhe perënditë duke simpatizuar dhe antipatizuar njërën apo tjerën palë. Perëndesha Hera dhe Athina morën anën e Akejve meqënëse Paridi, mollën e bukurisë apo të sherrit іa dha...

» MZ - Poezia: K. Kavafi, "Qirinjtë"

Konstandin Kavafi, lindi dhe vdiq në të njëjtin qytet, në Aleksandri të Egjiptit (1863 – 1933). Lindi dhe vdiq në të njëjtën ditë më 29 prill. Ishte fëmija i nëntë i Petro Kavafit, tregëtarit të madh të pambukut, në Egjipt i cili origjinonte në thellësi prej një familjeje të vjetër greke bizantine nga Kostandinopoja....

» BK/LA - Safo: Të lutem Zonjë ... - Poezi e recituar dhe e shoqëruar me muzikë.

                                      Safo: "Të lutem Zonjë ... ", Shqipëroi: Ilia V. Ballauri Reciton: Nonda KajnoTi hyjni e përjetshme, ti fronpurpurt, Afërditë,Ti bija rjetgrackë e Perëndisë, më çliro, më zgjidh,Të lutem Zonjë, m’і largo...

» BK/LA- Poezi, Anakreonti: Pela thrakiote.

Shqipëroi: Ilia V. BallauriOh! moj pelë, moj thrakiote, E di un’, se ç’do qafa jote!Përse, shtrëmbër më vështron?Pse me shqelma, më largon?Mos kujto, se un’nuk mundem,Hipur, mbi ty të tundem,Di kapistrat, të t’i shkoj,Të të zbut, të të kaploj.

» HISTORIA E MUZIKËS SË KORÇËS 1800 - 1940 (for sale)

"HISTORIA E MUZIKËS SË KORÇËS 1800 - 1940" (Autor: Vasil A. Ballauri)Përpunoi dhe përgatiti: Ilia V. BallauriBotuar dy herë: 2003 dhe 2013, disponohen akoma pak kopje, çmimi 5 euro.Cituar në punimet e tyre prej: E. Koço, Xh. Jorganxhi, V. Ziko, etj.Gjendet i depozituar edhe në bibliotekat: Korçë dhe Tiranë.Mund ta kërkoni tek e.mail...

  Në këtë botë,ajo ç'ka vyshket dhe, së jashtmi, shenja vyshkjeje nuk jep, është zemra, zemra e njeriut. *Dikur, një murg pyeti:“Ku banon mendimi?”Mësuesi i vet, iu përgjegj atij: “Mendimi banon, atje ku nuk ka banesë”...

  Lënia për një çast pezull dhe mosmarrja e vendimit, për një çështje të dhënë, është e lodhëshme dhe shqetësuese por kjo gjë, është njëkohësisht edhe burim dhe mundësi, për të vepruar me mënçuri. *Padrejtësinë e urrejnë edhe vetë të padrejtët. *A...

  Tek, „Bleta shqiptare“  Th. Mitkoja përmënd një sërë fabulash, me moral të hollë, të mbledhura në popull, ndër të cilat janë edhe këto dy të mëposhtmet (nr. 23 dhe nr. 31), që po i sjell këtu të përpunuara për nga gju...

KorçaPedica është një site (pra, një vend ose një hapësirë elektronike), me informacion enciklopedik për Korçën dhe trojet për rreth saj. Qëllimi i këtij site, është pak i çuditshëm dhe i vështirë për tu arritur, d.m.th. qëllimi ynë është të ecim kundër rrjedhës së Kohës dhe të ruajmë prej kafshimit të saj, ç'të mundim, ...  të hedhim pra bazat që të krijohet një kujtesë me natyrë enciklopedike për Korçën dhe trojet rreth saj, duke evidentuar, fiksuar dhe shpëtuar, gjithçka që mendojmë se ia vlen të mos humbasë. Ndërkaq një informacion enciklopedik më i reduktuar për Korçën dhe trevat rreth saj, jepet edhe tek revista, "Korça Encyclopedica" (e cila botohet si printed book). Këtu, lidhur me këtë revistë, për çdo numër jepet përmbajtja sinoptike si dhe disa prej artikujve, tek një seksion më vete i titulluar, Korça Encyclopedica - Revistë.  

Deluxe News Pro - Copyright 2009,2010 Monev Software LLC