Në Korçë duke përjashtuar apartamentet, nuk ka shtëpi, ose për të qënë më të saktë, numërohen me gishtat e dorës ato shtëpi, që nuk kanë oborr dhe që dalin drejt e në rrugë. Shtëpitë e qytetit tonë, shumë a pak që të gjitha kanë oborr, kush në një sipërfaqe më madhe dhe kush, në një sipërfaqe më të vogël. Oborret e shtëpive të Korçës janë të thjeshta, kryesisht kanë trajtë katërkëndëshi, pra nuk kanë konfiguracione të komplikuara. Ekspozimi i tyre ndaj pikave të horizontit është i lidhur me ekspozimin e shtëpisë apo të kartierit, ku ato ndodhen. Sipërfaqja e tyre, në një mesatare hamëndësonjëse(!), mund të jetë rreth 50 m2. Një pjesë e oborrit të shëpive tona është e mbuluar me plloça shtufi ose plloça të gdhëndura graniti (shtëpitë e vjetra, të familjeve që dikur ishin në gjëndje të mirë ekonomike), të vendosura këto shpesh edhe në formë dekori, shumë bukur, ndërsa në dhjetvjeçarët e fundit për mbulimin e oborreve është përdorur edhe çimentoja edhe kjo, shpesh e zbukuruar me dekor të shënuar por që, jo gjithmonë ky i fundit (pra dekori), është i arritur dhe me një gusto të hollë.
Pavarësisht, një pjesë e oborrit ka shërbyer gjithmonë si kopsht ose siç i themi ne, si bashtë, që në fakt në gjuhën shkencore, këto copa bashte në shumicën dërmuese, do të mund të konsideroheshin shumë mirë si parterre. Në Korçë nuk ka qënë zakon që bashta prej oborrit të ndahej me gardhe të larta. Gjithmonë parterret tona ndahen prej pjesës së mbuluar, me anën e një pragu të ulët, i cili mund të jetë prej gurësh të rregullt të gdhëndur, prej betoni, prej tullash të vendosura më këmbë dhe pjertas në rradhë ose, edhe prej shishesh qelqi të të njëjtit stil, po ashtu të vendosura në rradhë, të ngulura me grykë në bordurë përmbys dhe me fundin përpjetë, një lloj dekoracioni ky, shumë i vjetër dhe karakteristik i bashtave tona, që sot gjendet shumë rrallë por, që dikur, ishte shumë i shpeshtë. Në oborr thuajse në të gjitha shtëpitë, ka një çezmë, ose dikur kish një tullumb, dhe më rrallë pus.
Tani, për hir të së vërtetës duhet thënë se në Korçë, kopshtet e shtëpive, deri aty nga vitet ’60, thuajse krejtësisht, ishin të mbjella me lule dhe pemë. Nuk kish në qytet bashta me perime. Bashtat e tilla, brenda në qytet filluan të çfaqen, me çfaqjen e problemeve ekonomike dhe të varfërisë edhe për një kokër domate. Në Korçë perimet i prodhonin bostanxhinjtë në bostanet e tyre, aty ku mbaronte qyteti, në perëndim ose jugë - perëndim. Bostanxhinjtë tanë ishin mjeshtra të mbaruar në artin e tyre, ishin të njohur dhe me nam në gjithë vëndin dhe më gjërë. Një pjesë e tyre kishin punuar si bostanxhinj deri në Stamboll, në Izmir, në Aleksandri të Egjiptit dhe gjetkë. E pra në ato kohë, nuk kish kuptim që tu dilje përpara atyre, ata ishin mjeshtra të nderuar. Prej tyre, aq sa i arrita, unë kam mësuar shumë dhe për ta kam një respekt të thellë, veçanërisht për dijet e tyre praktike aq të përkryera, për mënyrën e thjeshtë dhe sigurinë e patundur me të cilën ata i shpjegonin fenomenet e bimëve, fenomenet e tokës, të farës, të motit, etj, gjëra këto të përvojës, që tashmë humbën dhe që brezat që vijnë, nuk do të kenë mundësi t’i dëgjojnë më. “Toka duhet punuar kur mbi të lëviz merimaga”, theshin ata, “Maruleja e mirë duhet të ngjasë me fustanin e balerinës”, “Gishti e mbjell farën”, “Toka është nënë që gjithmonë mbetet me barrë, por duhet ta dish si ta lesh me barrë”, etj, etj, janë disa prej aksiomave të tyre.
Duke u kthyer përsëri tek bashtat e oborreve të shtëpive tona, theksojmë se jashtë grupit të luleve, në to mund të gjesh ndonjë copë të mbjellë me lëpjeta, aty këtu ndonjë tufë me merudhi (majdanoz), ose najazmë dhe gjatë dimrit ndonjë transhe me presh në ruajtje, të ngulur në dhè, të mbuluar dhe me fletët jashtë.
Ndër lulet që mbilleshin dhe që ndofta mbillen akoma pjesërisht në oborret e Korçës kanë qënë: nga bulboret, shpatoret, zambakët, tulipanët dhe më pak zymbylat, etj, nga grupi i shkurreve, trëndafilat, landrot, protomajaja, shekaikët, etj, nga shtat-ultat, mëllagat, karafilat, borziloku, lule Shën- Mitri, më pak margaritat, të quajturat “lule patate”, etj, nga tuloret, gjëmbat aloe, atlasitë, të quajturat “vesh-gomari”, si dhe kohët e fundit edhe kaktuse të ndryshme. Një pjesë e grupit të fundit mbilleshin dhe mbillen akoma edhe sot në saksi, të cilat shpesh i gjejmë edhe këto nëpër oborre, rreth parterreve.
Në Korçë në mëhallën tonë, ne kishim komshi Irakliun i cili, kish lule të rralla ekzotike, që theshin se i kish sjellë prej Egjiptit. Unë e mbaj mënd oborrin e tij, që ish një kopsht botanik i vërtetë, një oborr gjithë lule që deri tani nuk kam parë akoma një të dytë, gjithë jetën time, kudo që kam shkuar e udhëtuar. Gjithashtu duhet thënë se edhe doktor Polena, kish dikur një serë lulesh.
Ndër pemët, më të përhapura, të mbjella në oborret e Korçës kanë qënë: dardhat, kumbullat, qershitë, ftonjtë, kajsitë dhe më pak mollët e pjeshkat. Ndërkaq historikisht, kohët e fundit dhe jo para pesëdhjet vjetësh, pjergullat u bënë dominuese, në oborret tona. Vërtet që kish pjergulla edhe më parë por ato, u përhapën me shumicë dhe thuajse derë e portë, në kohën e vështirësive ekonomike kur, rakija shitej më rrallë dhe më shtrenjtë në treg, në atë kohë pra, kur në oborret e qytetit hynë pjesërisht edhe perimet.
Oborret e qytetit të Korçës, janë oborre karakteristike qytetare, nuk ngjasin me kopshtet e fshatit, kanë lidhje me serenatat e qytetit tonë, kanë lidhje me të dalat e vajzës herë pas here në dritare, tek porta, me tingujt e kitarës, lidhen me brengat e ëmbla të qëndisjes sy ulur dhe me zemrën që troket, me të thirrurat e gjyshes “Mbylle portën!”, kanë lidhje me vështrimin vjedhës të djemve të hedhur prej rrugës brënda, kanë lidhje me britmat e gëzuara të fëmijëve, me të shtënat e tyre me gurë për të rrëzuar kumbulla aguridhe, kanë lidhje me të ulurat tek sofati, me thashethemet, me të mbajturat nëpër gojë, etj, janë pra pjesa e jetës sonë, janë shpirti tonë, janë indentiteti i qytetit tonë. Mos i harroni ato duke imituar oborret e të tjerëve, oborret tona ishin oborret më të bukura në botë…… mendoj unë!!!

Dr. Ilia V. Ballauri.

 
 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE2/38 - Disa aktivitete shërbimesh të vjetra në Korçë që tashmë janë zhdukur.

 Dikur rrugëve të qytetit tonë qarkullonin, shitësit e pishës, që përdorej për ndezjen e zjarrit. Këta shisnin copa pishe të cilat për nga natyra e tyre ishin të tejngopura me rrëshirë, të gjata rreth 25 cm dhe të trasha rreth 1.5 cm, në tufë me  trashësi rreth 10cm, të lidhura. Çmimi i tyre ishte 5 lek. Disa shitës, nuk e...

» BK/LA - Gjon Mili fotograf shqiptaroamerikan, prej Korçe i cilësuar "genial". Ai, Sartri dhe Pikaso.

 Lindi në Korçë më 1904 me prindër, Vasil Milin dhe Viktori Çekanin dhe vdiq më 1984 në Stamford, Amerikë. Familja e tij fillimisht emigroi në Rumani e më pas në Amerikë, ku ai mbaroi studimet për inxhinier elektrik më 1927 në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts (Institute of Technology).Megjithatë, ai u bë i njohur në...

» MZ - Poezia: Zotni Rudolfi.

Nuk ka më kuptim,të thuash: “Jetë qeni!”mendoja, një ditë tek shikoja,qentë, që para portës së shtëpisë na kalojnë,qentë, që në lagjen tonë banojnë.Këtu tek ne, qentë anekënd, si në Wonderland, shëtisin të larë, të pastër si drita, qimengrehur, shpesh me pallto, papion, a në kokë fjongo, stil Barbie cullufekrehur,si...

» KE10/13 - Mbi një testament të vitit 1693 të shkruajtur në formë poetiko - filozofike në Voskopojë

Duke lexuar këto rreshta të shkruara mbi 300 vjet më parë, me të cilat hapet një testament i vitit 1693, që gjendet në Kodikun e Shën Prodhromit të Voskopojës, (kopjuar prej I. Martinianit, para vitit 1939), çdokush mud të habitet. Rreshtat e mëposhtme shumë mirë mund të përngjasohen me ato të traktateve të ngritura të asaj...

» BK/SHJT - Arkitekturë - Një datë, nga të paktat data, ...

Në Korçë nuk ka banesa më të vjetra se rreth 150 vjet më parë. Si kanë qënë godinat e qytetit tonë më 1800-ën, po më 1750-ën, po më parë, po më 1400-ën? Nuk dimë asgjë. Në këtë kuptim, qyteti ynë është krejt, një qytet i ri. Ç’janë për një qytet 150 vjet? Këtu jepet fotoja e gurit të shtyllës së portës, të...

  Qershia është një nga mrekullitë e botës së bimëve. Bukuria e kësaj peme qëndron tek të gjitha, tek fruti, tek lëngu, tek lulja, tek aroma, tek shija, tek ngjyra, tek druri i saj i çmuar, tek lëvorja e saj e argjëndt...

  Shfrytëzoje kohën, duke përmirësuar vetveten, nëpërmjet atyre ç’ka të tjerët kanë shkruajtur. Kjo do të thotë që të mbërrish lehtë, atje ku të të tjerët, kanë mbërritur duke punuar shumë. Sokrati *Quhet se një shkrim të pëlqen, atëhere k...

(Studim mbi jetën dhe veprën e tij.Përgatiti: Ilia V. Ballauri) Ambrosio Pamperi si dhe Dhimitër Prokopi Pamperi, janë dy eruditë të ndritur prej Voskopoje të shek. 18-të, që rrjedhin me sa duket prej të njëjtit fis.Duk...

KorçaPedica është një site (pra, një vend ose një hapësirë elektronike), me informacion enciklopedik për Korçën dhe trojet për rreth saj. Qëllimi i këtij site, është pak i çuditshëm dhe i vështirë për tu arritur, d.m.th. qëllimi ynë është të ecim kundër rrjedhës së Kohës dhe të ruajmë prej kafshimit të saj, ç'të mundim, ...  të hedhim pra bazat që të krijohet një kujtesë me natyrë enciklopedike për Korçën dhe trojet rreth saj, duke evidentuar, fiksuar dhe shpëtuar, gjithçka që mendojmë se ia vlen të mos humbasë. Ndërkaq një informacion enciklopedik më i reduktuar për Korçën dhe trevat rreth saj, jepet edhe tek revista, "Korça Encyclopedica" (e cila botohet si printed book). Këtu, lidhur me këtë revistë, për çdo numër jepet përmbajtja sinoptike si dhe disa prej artikujve, tek një seksion më vete i titulluar, Korça Encyclopedica - Revistë.  

Deluxe News Pro - Copyright 2009,2010 Monev Software LLC