Çka më poshtë përshkruaj, mora shkas (I.V.B.) nga një foto, në fb-un, aq të dashur për korçarët, w.w.w.fb: Këtu mbledhim, material per Korçën, … . Fotoja në fjalë e vendosur aty më dt. 14.6. 2013, jep një pamje nga puna e dikurshme e grave të fshatit në të ashtuquajturin dikur, brez të butë të klonit të kufirit, etj.
Meqënëse të gjithë një ditë do të ikim nga kjo botë dhe të tjerë do të vinë, teksa shihja foton mendova: a do ta dinë vallë ata që do të rrojnë p.sh. në vitin 2094, se dikur një popull i tërë ishte i mbyllur brenda një rrjete të hekurt si bishat e egra, apo si leprotikët, apo si kriminelët, apo si të çmëndurit? Ndaj e pashë të udhës që me aq sa mund të di, të shkruaj dy fjalë.


Gjatë viteve të regjimit komunist, Shqipëria u izolua prej gjithë njerëzve të tjerë që jetonin mbi dhè në të gjitha format, madje edhe fizikisht. Regjimi i egër i asaj kohe e shkëputi atë nga gjithë bota duke ndërtuar përgjatë gjithë kufirit të vëndit, famëkeqin klon. Kloni ishte  një mur me tela të fortë me gjëmba, i ngritur në formën e një perdeje vertikale të hekurt, mbi dy metra e lartë, mbështetur në shtylla betonarme. Kloni nuk ishte ekzaktësisht në vijën e kufirit por, më brënda tij, këtej piramideve, pra në tokën shqiptare. Në të dy anët e klonit ndodhej i ashtuquajturi brezi i butë, që ishte një rrip toke vërtet e butë, e punuar freskët, një brez pra me gjërësi 4m në secilën anë të klonit, me qëllim që në të, të mbeteshin gjurmët e atyre që do të kalonin kufirin, pra që do të arratiseshin.

Kloni ushqehej me rrymë elektrike e cila kish dy qëllime: së pari, të godiste dhe të linte në vënd madje edhe ta karbonizonte, këdo që do të tentonte të arratisej dhe së dyti, të jepte alarmin në postën më të afërt kufitare. Përveç kësaj, përgjatë klonit patrullohej nga ushtarët e patrullës, të cilët ishin, për çdo patrullë të paktën dy, për të kontrolluar edhe njëri tjetrin, të armatosur me kallashnikovë, dylbi dhe me qenër të veçantë shtatlartë dhe agresivë, të quajtur prej popullit ‘qenër kufiri’, simboli i cerberit, ruajtësit të botës së të vdekurve në mitologji.
Thuhet, se sipërfaqja e tokës në brezin e butë, në pjesën e kufirit që kalonte në krah të fshatit Qytezë, të qarkut të Korçës, ishte po aq, madje ndoshta edhe më tepër, sesa gjithë sipërfaqja e tokës së punueshme që kish fshati. Brezi i butë punohej prej fshatarëve, prej të ashtuquajturve ‘njerëz të besuar’, (sidomos gra, dhe kuptohet përse) që edhe tek ata regjimi nuk kish besim, mbasi edhe ata kontrolloheshin dhe ruheshin rreptë. Me emra të shënuar në një listë të miratuar nga lart, ata hynin dhe dilnin për të punuar brezin sa herë që bëhej freskimi i butësisë së tij, dhe me apel, prej oficerit të postës.
Nisur vetëm nga fakti që toka e brezit të butë për fshatin Qytezë, ishte në sipërfaqe aq e madhe sa edhe toka e punueshme e gjithë fshatit, mund të të themi se: popullit aty i duhej të punonte njëherë për tu ushqyer, për të mbajtur gjallë fëmijët, familjen, për tu veshur dhe për tu mbathur, pra për tu rropatur për të mbijetuar dhe njëherë tjetër po aq, për të përforcuar perdhen e hekurt, izolimin, shkëputjen, ndarjen fizike nga gjithë bota.
Të dhënat e shtypit postkomunist, dëshmojnë se telat me gjëmba u sollën në Shqipëri nëpërmjet blerjes me clearing nga Gjermania Lindore e asaj kohe, e cila kish fabrika të veçanta për prodhimin e telave të tilla meqënë se i përdorte vazhdimisht për izolimin e Gjermanisë Lindore (D.D.R) nga ajo perëndimore. Po sipas shtypit postkomunist thuhet gjithashtu se, vetëm në një vit, u soll në ato kohë në Shqipëri, 18 mijë ton tela me gjëmba. Nisur nga ky fakt, në analogji i bie që kjo sasi teli me gjëmba, të ishte e tillë sa që mund të mbartej nga një mijë mauna 18 tonëshe dhe për më tepër akoma, vargu i këtyre maunave që mund të mbartnin këtë sasi telash me gjëmba, mund të llogaritet që të arrinte në disa kilometra. Dhe kjo vetëm, për telat e sjellë për një vit.
Ndërkaq thuhet se vlera monetare e shpenzuar për të izoluar popullin shqiptar prej gjithë botës me tela me gjëmba dhe korrent, llogaritet të jetë maramëndëse: aq sa ishte dhe vlera monetare e tregtisë së Shipërisë komuniste për 40 vjet me 8 vënde evropiane të marra këto së bashku.
Kloni ishte e pamundur që të kalohej. Në historinë e komunizmit ai ishte një prej shumë njollave më të poshtra që pati ai sistem. Të shumtë, qindra e qindra vetë, ishin ata që e lanë klonin dhe brezin e butë me gjak dhe të shumtë po ashtu, dhe ata që e paguan dështimin e tyre aty tek telat e tij, me tortura çnjerëzore nëpër burgje për vite me rradhë. Ndërkaq shumë, shumë të pakët, ata që mundën ta kalonin atë dhe të çanin drejt botës së lirë.
Familjet e të të tre palëve pastaj, internoheshin (ital. interno = futeshin brënda) d.m.th. syrgjynoseshin (turqisht) në brëndësi të vëndit, në zona pune të detyruar, ku kalonin gjithë jetën, që të gjithë, pleq, fëmijë, gra, të cilët tregoheshin me gisht si reaksionarë, të përndjekur, që s’kishin përbërje të mirë, të deklasuar, etj, të përbuzur, të mohuar, pa të drejta, etj, etj.


[Shënim:  Shoh se, nga sa përmënda më lart, del se nuk ka fjalë në shqip, për fjalën internim ose syrgjynim dhe kjo gjë, është në nder të gjuhës sonë!

Po ashtu ndonëse nuk e di sesi dhe pse, ideja makabre e mësipërme u emërtua klon, nisur nga dijet time si doktor i shkencave në gjenetikë, këtu, në këtë disiplinë të kërkimeve njerëzore, me klon, quhet një grup qelizash që veçohen prej të tjerave në laborator me qëllim që të mbahen të pastra, mos përziehen. Lumturisht edhe kjo fjalë nuk është shqip, nuk i takon gjuhës që më mësoi nëna!]


Kloni_i_dikurshem_i_kufirit

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE2/3 - Leskoviku rreth viteve 1830.

Një përshkrim i atyre viteve. ‘Përballë Postenanit ndodhet qyteza e Leskovikut me 400 shtëpi prej të cilave një pjesë janë shtëpi të kamura. Vëndndodhja e qytezës është në një panoramë të bukur, me ujëra, dhe me ajër të shëndetshëm. Qyteza ka edhe pazar. Bejlerët e këtushëm janë aktivë në jetën politike,...

» KE5/28 - Mbi kodrat në lindje mbi qytetin e Korçës.

Një përshkrim i fundit të shek të 19-të:“… Këto [kodra] kanë lartësinë deri 100m dhe janë, 1) kodra e “Shën Thanasit“, 2) kodra e “Vreshtave“ e cila është në vazhdim të të parës, 3) kodra e “Shënd ‘Ilisë“ që edhe kjo është vazhdim i të mëparshmes, 4) kodra e “Gërqeles“, që edhe kjo vazhdon pas të...

» KE7/6 - Mbi kalanë e Korçës

Të thuash sot se, Korça ka patur dikur kala, duket si diçka e çuditshme, por të dhënat historike dëshmojnë se edhe Korça ka patur dikur të tillë.Sipas arshivave turke, defter-i icmal vilayet-i Goriçe ve, … maliyden mudevver, nr 231 fq.92, etj. përmëndur nga, S. Pulaha tek punimi i tij me titull, Pronësia feudale në tokat...

» BK/SHJT - Pazari i dikurshëm i plaçkave në Korçë.

 “Pazari i plaçkave”Skicë.Ka qënë dikur, në vitet ’40, ’50, dhe ’60, një pazar tepër i veçantë në Korçë (që ndofta mund të ketë qënë edhe gjetkë) që thirrej a quhej, prej popullit ashtu thjesht, “Pazari i plaçkave” dhe që zhvillohej ditën e shtunë.Ky pazar që shtrohej rrugicave të pazarit të vjetër të...

» KE3/17 - Një përshkrim i vitit 1830 për qytetin e Korçës.

 “Korça ose Gjiorça është qytezë me 800 shtëpi,…, ka pazar të mirë me rreth 300 dyqane, ka ujra të mira dhe ajër të shëndetshëm. [Korça] është ndërtuar në anën lindore të fushës [së Korçës] e cila ka gjatësi rreth 6 orë dhe gjërësi diku 2 dhe diku 3 orë, fushë kjo pjellore në prodhimin e drithrave dhe...

  Mbreti i Egjiptit e adhuronte së tepërmi Thalin, njërin prej të shtatë njerëzve më të ditur të lashtësisë, për arsye se ai përdori një mënyrë të mënçur dhe të thjeshtë për matjen e lartësisë së piramidave. Duke m...

  Shfrytëzoje kohën, duke përmirësuar vetveten, nëpërmjet atyre ç’ka të tjerët kanë shkruajtur. Kjo do të thotë që të mbërrish lehtë, atje ku të të tjerët, kanë mbërritur duke punuar shumë. Sokrati *Quhet se një shkrim të pëlqen, atëhere k...

Korrja e grurit në veçanti dhe e të lashtave në përgjithësi, në ato kohë kur kjo punë kryhej me krahë, gjithmonë ka qënë konsideruar si një nga periudhat më kulminante në bujqësi, nga më të ngarkuarat me punë, nga më të ...

KorçaPedica është një site (pra, një vend ose një hapësirë elektronike), me informacion enciklopedik për Korçën dhe trojet për rreth saj. Qëllimi i këtij site, është pak i çuditshëm dhe i vështirë për tu arritur, d.m.th. qëllimi ynë është të ecim kundër rrjedhës së Kohës dhe të ruajmë prej kafshimit të saj, ç'të mundim, ...  të hedhim pra bazat që të krijohet një kujtesë me natyrë enciklopedike për Korçën dhe trojet rreth saj, duke evidentuar, fiksuar dhe shpëtuar, gjithçka që mendojmë se ia vlen të mos humbasë. Ndërkaq një informacion enciklopedik më i reduktuar për Korçën dhe trevat rreth saj, jepet edhe tek revista, "Korça Encyclopedica" (e cila botohet si printed book). Këtu, lidhur me këtë revistë, për çdo numër jepet përmbajtja sinoptike si dhe disa prej artikujve, tek një seksion më vete i titulluar, Korça Encyclopedica - Revistë.  

Deluxe News Pro - Copyright 2009,2010 Monev Software LLC