Kolevica_Lasgushi Një ndër librat e veçantë të Petraq Kolevicës, i cili një pjesë të mirë të tyre, m'i ka dhënë me autograf, është dhe, “Lasgushi më ka thënë … (Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin)”,  v. 1992.
Për P. Kolevicën nga Korça, ndonëse jemi breza të ndryshëm, ai më i vjetër dhe unë më i ri, ruaj një vlerësim timin. Për mua, Kolevica është modeli i intelektualit të vëndeve të Evropës Lindore, të cilët e paguan sistemin kur jetuan, me djegien e tyre intelektuale. Ata i dogji sistemi, ata i humbi vetja e tyre, i humbi familja, ne dhe gjithë vëndi. Sikur këtyre njerëzve tu ishin dhënë mundësira, besoj se shumë gjëra do të ishin tani shumë më ndryshe.
Megjithatë, jeta vazhdon dhe Kolevica e të tjerë si ai, bënë e bëjnë aq sa mundin dhe ne nuk na mbetet vetëm se të mësojmë prej tyre. Sa herë që shkoj në Korçë gjithmonë pyes të afërmit e tij aty, me të cilët një rrugë na ndan. Më vjen keq që për shëndetin e tij dëgjoj herë pas here probleme. I uroj nga shpirti shëndet, me ata akoma në jetë, edhe ne të tjerëve na duket jeta më e pasur shpirtërisht.
Pavarësisht, duke ju kthyer librit të tij, “Lasgushi më ka thënë, …” , ai në hyrje shprehet kështu:

“Kam bërë një gabim që letërsia dhe kultura shqiptare s’duhet të ma falin. Pata miqësi pothuaj dhjetëvjeçare me Mitrush Kutelin. … Kam kaluar plot orë të bukura e të vlefshme në dhomën e tij, … Vija shpesh. … Ai njeri i lodhur nga jeta, i plakur pa kohë, i ngarkuar pa masë me punë e i sëmurë, ku e gjente tërë atë forcë për t’i frymëzuar të tjerët me idealin e madh të punës krijuese? Pa le sa madhështore dhe e shndritshme bëhej ajo dhomë e vogël kur rastiste të vinte aty, plaku i urtë, patriarku i pedagogëve, profesor S. Papakristo, që sillte me vete të gjallë, tërë botën e bukur dhe heroike të lashtësisë greke!... Ato biseda ishin vetë bota e artit por, nga gjithë sa kam dëgjuar prej gojës së tij, nga shprehjet tregimet e larmishme ku dilte në pah kultura e gjërë, thellësia e mendimit, humori i hollë, atdhedashuria e madhe, zëmërbutësia e tij e pashoqe, nga të gjitha këto, s’kam mbajtur asnjë shënim 
Ja! Këtë gabim kam bërë. Isha i ri, kisha kujtesë të patronditur, ...
Me Lasgushin ndodhi ndryshe. …”


Dhe kështu, P. Kolevica,  në librin e vet aq të bukur, “Lasgushi më ka thënë, …”  duke u përpjekur të mos përsëritë më gabimin që pat bërë dikur me Kutelin, jep të dhëna tepër me vlerë, të paraqitura bukur, çlirshëm dhe natyrshëm, të botës poetike të shkrimtarit të madh prej Poradeci, Lasgushit, që ndoshta është dhe poeti tonë lirik më i madh, për të gjitha kohërat.
Këtu do të përpiqem të paraqes disa pjesë nga ky libër, të cilat i mbaj gjithmonë të nënvizuara dhe që mendoj se edhe të tjerët do t'i konsiderojnë të tilla pra, si mendime  tepër me vlerë të Lasgushit, që P. Kolevica, për fatin e mirë të historisë së letrave shqipe, pati mundësinë t’i shënojë, e t'ua lerë brezave që vijnë.         (I.V.B.)
--------------------------------------------------------------------------------------------------------------------


Copëza nga libri i Petraq Kolevicës, “Lasgushi më ka thënë, … “

*

Artisti përse krijon? Që të na kënaqë, ne?
Përse këndon bilbili?
Përse këndon bufi?
Përse këndon qyqja? [Përse këndon] grisha?
Për vete këndojnë! S’këndojnë që të na kënaqin ne!…

*
Poeta nascitur. Orator fit. (Poeti lind. Oratori bëhet)

*
... ”Nganjëherë edhe Homeri fle.”, [kjo shprehje] do të thotë se nganjëherë, në ndonjë pjesë, edhe Homeri s’është aq i qartë, apo aq i thellë, apo aq i përsosur.
Kjo s’është e vërtetë.
Homeri s’fle.
Atij ashtu i duhet në atë pjesë, të jetë i errët, i cekët, që të verë më mirë në dukje, pjesën tjetër.

*
Gëtja, volumin e dytë të Faustit e ka të errët, s’kuptohet. Po nuk ka guxuar ndonjeri deri tani të thotë se s’bën. Të gjithë e studiojnë dhe mundohen ta kuptojnë.
Gëten e pyesnin:
Mos ke dashur të thuash këtë gjë?
Mos ke dashur të thuash këtë?
Dhe ai përgjigjej:
Edhe atë, por jo vetëm atë. …
Edhe këtë, por jo vetëm këtë. …

*
Bethoveni, në një nga simfonitë (nuk e di në cilën, s’e mbaj mëmd, se e kam të lexuar, s’e kam gjetur unë) pra, Bethoveni në një nga simfonitë, në një vënd ka një notë, që nuk u nënshtrohet ligjeve të harmonisë, del çjerrëse.
Po a mund të themi se Bethovenit i ka shpëtuar kjo gjë? I shpëtonte dot ajo notë gjeniut të muzikës? Po guxon dot, gjer më sot, ndonjë kritik të thotë se ajo notë s’është e mirë?

*
Gjithë muzika e Stravinskit është e ndërtuar me diskordanca. Po, ka guxuar ndonjë kritik gjer më sot të thotë se s’është e bukur.

*
Arti ka misteret e veta, që as artisti vetë s’di t’i shpjegojë.

*
Arti ka misteret, po ka dhe ligjet e veta. Edhe poezia ka misteret dhe ligjet e saj, dhe vetëm njërit prej këtyre ligjeve sikur të mos iu përshtatet, poezia del e çalë.
Një nga këta ligje është dhe shkurtësia.
Poezia nuk duhet të jetë shumë e gjatë.
Një poezi duhet të jetë jo vetëm e bukur, por edhe aq e gjatë sa të mos e mërzitë lexuesin.
“Iliada”, është vepra më e mirë poetike, po kush e merr ta lexojë? Po cili poet e lexon?
E lexojnë tepër pak. Pse? Sepse është e gjatë.
“Mahabharata” që do të thotë “Bëma të mëdha” (Vepra heroike), apo “Ramajana”, poema të mëdha të kulturës së madhe Indike, kush i lexon?
Kush e lexon “Shahnamenë” e Firdusit?
S’i lexojnë jo se janë të vjetra, po se janë të gjata.
Prandaj poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave në minimumin e fjalëve.

*
Benedeto Kroçe (Benedetto Croce) duhet lexuar se atje mëson njeriu italishten e kultivuar. Unë e kam jo lexuar, po studiuar. Se një libër që vlen nuk lexohet po studiohet.
Edhe Kroçe thotë për Leopardin: jo këtu s’bën, po aty s’është i mirë, … .
Po ja, unë them këtë: Leopardi është vetëm shpirt! Në poezinë e tij nuk ka asnjë fjalë jo aq të butë sa duhet, apo jo aq të fortë, apo jo aq të ëmbël, apo jo aq të hidhur sa duhet. Leopardi e ka çdo fjalë të dalë nga shpirti dhe të vënë atje ku duhet dhe si duhet, në mes të fjalëve të tjera. Leopardi nuk ka asnjë fjalë False, …



 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» BK/N - Biologji - Poezi : Vargje kushtuar një fare.

Fara! Ky pra ish qëllimi i gjethes, për të rrënja punoi,Ky pra ish qëllimi i lulëzimit, për të lulja flërtoi,Kjo farëzë pra, është fruti i fundmë, jeta vetë,Kjo bucelëzë e çuditshme e forcës, enigmë përjetë!Për të rrënja thithi, për të burbuqi çeli dlirë,Botë, brenda botës, brenda botës, përfshirë.Kjo pra është...

» MZ/ Poezia: Lulja - A. S. Pushkin

Një lule të thatë pa push, pa erë, të shtypur brenda librit sot pashë, dhe ja, një mendim i çuditshëm menjëherë,shpirtin ma përfshiu, ndaj thashë:Kur lulëzoj kjo lule? Ç’pranverë? Ç’maj?Sa kohë? Pse u këput dhe ku?I njohur, i panjohur kush e këputi dhe pastaj, vallë pse e vendosi mes fletëve këtu?T’i kujtojë ndofta...

» BK/LA - Skicë - Unter dem Linden (Nën bliret)

Skica e mëposhtme i dedikohet S.T.I. dhe neteve me aromë bliri të Korçës, në qershor, sidomos atyre, të shumë e shumë viteve më parë.Sytë plot rrudha të plakës që shkëlqenin prej ngazëllimit u mbushën me lot teksa këndonte me zë të ulët, këngën e njohur gjermane “Unter dem Linden” me muzikë të Shubertit. Me shaminë e...

» BK/LA - Theognis - Lirikë - Erotike

Theognis, konsiderohet si një ndër poetët më të rëndësishëm të poezisë elegjike të Greqisë së lashtë. Ai ishte fisnik nga Megara dhe mendohet se ka jetuar në mes të shek. VI-të para Kr. Me emrin e Theognis sot na kanë mbritur 1389 vargje poetike, ndër të cilat edhe shumë erotike. Meqënëse poeti jetoi në periudhat e...

» HISTORIA E MUZIKËS SË KORÇËS 1800 - 1940 (for sale)

"HISTORIA E MUZIKËS SË KORÇËS 1800 - 1940" (Autor: Vasil A. Ballauri)Përpunoi dhe përgatiti: Ilia V. BallauriBotuar dy herë: 2003 dhe 2013, disponohen akoma pak kopje, çmimi 5 euro.Cituar në punimet e tyre prej: E. Koço, Xh. Jorganxhi, V. Ziko, etj.Gjendet i depozituar edhe në bibliotekat: Korçë dhe Tiranë.Mund ta kërkoni tek e.mail...

  Dikur, gjithë lecka veshur, Shtrënguar trupit, për të qeshur, Vëthë druri, i vareshin veshit, Fukarallëk, që dukej sheshit. Prej mburoje, shum’ të vjetër, Kish nxjerrë, lëkurë të djegur, Brez për mezin, e ki...

  Lënia për një çast pezull dhe mosmarrja e vendimit, për një çështje të dhënë, është e lodhëshme dhe shqetësuese por kjo gjë, është njëkohësisht edhe burim dhe mundësi, për të vepruar me mënçuri. *Padrejtësinë e urrejnë edhe vetë të padrejtët. *A...

  Viti 1923. (vazhdon prej KE nr.6) Ondishti, shtp. 55; ban.303  Omçani, 50; 215, Omezdi, 32; 182, Oshteca, 65; 338, Piskopati, 20; 118, Plesisht, 65; 337, Potkozhan, 75; 445, Pevelan, 42; 185, Pretusha, 77...

KorçaPedica është një site (pra, një vend ose një hapësirë elektronike), me informacion enciklopedik për Korçën dhe trojet për rreth saj. Qëllimi i këtij site, është pak i çuditshëm dhe i vështirë për tu arritur, d.m.th. qëllimi ynë është të ecim kundër rrjedhës së Kohës dhe të ruajmë prej kafshimit të saj, ç'të mundim, ...  të hedhim pra bazat që të krijohet një kujtesë me natyrë enciklopedike për Korçën dhe trojet rreth saj, duke evidentuar, fiksuar dhe shpëtuar, gjithçka që mendojmë se ia vlen të mos humbasë. Ndërkaq një informacion enciklopedik më i reduktuar për Korçën dhe trevat rreth saj, jepet edhe tek revista, "Korça Encyclopedica" (e cila botohet si printed book). Këtu, lidhur me këtë revistë, për çdo numër jepet përmbajtja sinoptike si dhe disa prej artikujve, tek një seksion më vete i titulluar, Korça Encyclopedica - Revistë.  

Deluxe News Pro - Copyright 2009,2010 Monev Software LLC