MZ - Aforizma: Nga filozofia romake

 

Lënia për një çast pezull dhe mosmarrja e vendimit, për një çështje të dhënë, është e lodhëshme dhe shqetësuese por kjo gjë, është njëkohësisht edhe burim dhe mundësi, për të vepruar me mënçuri.

*
Padrejtësinë e urrejnë edhe vetë të padrejtët.

*
Akoma edhe një qime, edhe ajo ka hijen e vet.

*
Ai që mbrohet edhe atëhere kur është i mbrojtur, nuk rrezikohet lehtë.

*
Lënia e një emri të mirë, është edhe ajo një pasuri më vete, që u lihet trashëgimtarëve.

*
Përbuzja më e madhe për dikë, është ta quash mosmirënjohës apo, bukëshkelur.

*
Një tru i fortë, nuk nguron të marrë vendime.

*
Është e trishtueshme, të ta kthejnë me të keqe, atë ç'ka ti ua dhurove me kënaqësi.

*
Dështimi që na le mbresa më tepër, është dështimi i parë.

*
Gjatë një gjyqi, gjykatësi gjykon si proçesin ashtu edhe veten e vet.

*
Pasi kanë zgjedhur rrugën mirë, akoma edhe të verbërit, ecin të sigurtë. 

*
Gënjeshtra që thuhet për një qëllim të mirë, është dhe ajo një veprim i drejtë.

*
Fundi i një të varfëri është atëhere kur ai, imiton të pasurin.
 
*
Kur ngul këmbë tek padrejtësitë, krijon padrejtësi të tjera.

 

Nxjerrë prej: Sententiae, Publili Syri, shek 1-rë, para Kr.



Nuk ka më kuptim,
të thuash: “Jetë qeni!”
mendoja,
një ditë tek shikoja,
qentë, që para portës së shtëpisë na kalojnë,
qentë, që në lagjen tonë banojnë.

Këtu tek ne, qentë anekënd,
si në Wonderland,
shëtisin të larë, të pastër si drita, qimengrehur,
shpesh me pallto, papion, a në kokë fjongo, stil Barbie cullufekrehur,
si qeni Rudolf, fjala vjen, që pashë dje,
tek ecte, para portës tonë më nge.

Më erdhi për të zili,
a më mirë t’ua them hapur, më lindi për atë qen, një cmirë,
sidomos kur pashë, sesi ky qen tërhiqte pas, të zotin e vet të mirë,
i cili, me bermuda, lesh pakrehur, sy palarë,
ngritur prej shtëpie aron-aron,
sepse, qeni duhej nxjerrë për nevojën e parë,
me letra, celofane nëpër duar, mbushur, ngarkuar,
gjith’ shqetësim, por i duruar,
gati nevojën e qenit priste, si njeri i qytetëruar.

-Mirëmëngjes!-  i thashë të zotit dje,
-Ç’thotë Zonja?-
dhe me kokë i tregova qenin e tij, që pranë portës nuhatte më nge.

Bah!
Ai, ç’të shikoje, i mërzitur, i ofenduar, i fyer sa s’ka,
më pa shtrembër, as mirëmëngjes s’më tha.
-Nuk është Zonjë, zotëri, shikoje mirë,
është Zotni, Rudolf e quajnë! -

Dhe morri pastaj, me vrap tatëpjetë,
sepse Rudolfi shkoj gjetkë të nuasë, të ngrerë këmbën përpjetë,
të marrë vesh, se kush më parë andej pat kaluar,
“të lexojë” gazetën e qenërve, që këta e botojnë duke e lëshuar,
atë,
anë e kënd,
tek ne, këtu në Wonderland.

 

Ilia V. Ballauri,
duke zbardhur ditët,
7/7/ dhe 8/7/, 2013.

 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ- Vargje te lashta kineze: "Duke recituar maleve si i marrë." Bai Ju, shek. 8-të.

 Bai Ju Yi ose Po Chu-yi, (v. 772-846), ishte burrë shteti dhe poet kinez, i “periudhës së artë” Tang, anëtar i Akademisë Hanlin. Shkrojti rreth 2800 poezi lirike por edhe erotike, të cilat i kopjonte dhe i shpërndante gjithandej vetë me qëllim që të mbeteshin të gjalla në kohë. Thuhet se ai i mbante mënd gjithë poezitë e...

» MZ - Gjenetika: J.W.Goethe - Tparet që prej prindërve përftova, ...

 Johann Wolfgang von Goethe (1749 – 1832) konsiderohet si gjeniu i mendimit intelektual modern gjerman. Ai ishte shkrimtar (shkruajti: poezi, prozë dhe dramë), filozof, fizikant, biolog, erudit, etj, ku rrallë dhe, si dikur në botën e lashtë tek ai gërshetoheshin dijet e thella të letrave, me ato të shkencës.Duke lënë mënjanë...

» BK/LA - Arkiloku: Poezi.

 Shqipëroi: Ilia V. BallauriArkiloku, ishte nga ishulli і Parios-it që ndodhet në Cikladet dhe ndonëse nuk dihet e qartë sesa vjet jetoi, mendohet se ai ka jetuar në atë periudhë kur, në Azinë e Vogël në shek. VII-të para Kr., nën sundimin e mbretit të famshëm Giga lulëzonte mbretëria e lashtë e Lidisë. Për këtë periudhë...

» BK/LA - Skicë - Unter dem Linden (Nën bliret)

Skica e mëposhtme i dedikohet S.T.I. dhe neteve me aromë bliri të Korçës, në qershor, sidomos atyre, të shumë e shumë viteve më parë.Sytë plot rrudha të plakës që shkëlqenin prej ngazëllimit u mbushën me lot teksa këndonte me zë të ulët, këngën e njohur gjermane “Unter dem Linden” me muzikë të Shubertit. Me shaminë e...

» BK/LA - Letrat - Poezia lirike - Këngë lotimi.

Për poezinë e më poshtme, që duket se përshkohet nga një finesë ndjenjash, përveç dy inicileve, nuk kemi asnjë të dhënë për autorin e saj. Ajo gjendet e botuar në shtypin e Korçës të vitit 1927, “Kalendari, Korça 1927”, botuese Dhori Koti, Korçë. Riprodhimi i mëposhtëm është sjellë me arkaizmin tipik të kohës siç...

Share