MZ - Aforizma: Johann Wolfgang von Goethe

 

Njeriu çdo ditë duhet të dëgjojë pak muzikë, të lexojë pak poezi, të shohë një pikturë të bukur,  në mënyrë që rutina e përditëshme, mos bëjë që të lihet në harresë, ndjenja për të bukurën, ndjenjë kjo të cilën Zoti e ka mbrujtur në shpirtin e njeriut.

*
Njësoj si në Romën e lashtë, ku në qytet, përveç romakëve kish edhe një mori bustesh dhe statujash mes të cilave rronin njerëz, ashtu edhe sot, përveç realitetit, ekziston edhe një botë e fortë me fantazi dhe imagjinata, ku edhe në të jetojnë njerëz.

*
Thonë: Njih vetveten! Po si mund dikush të njohë vetveten? Kjo gjë nuk mund të bëhet, nëpërmjet survejimit të vetes, por vetëm nëpërmjet praktikës dhe ja sesi: përpiqu të kryesh detyrën që të takon dhe do të shohësh, se ke për të kuptuar menjëherë, karakterin tënd. 


*
Çdo moshe të njeriut, mund  t'i vihet në korrespondencë një filozofi e caktuar.
Fëmija paraqitet realist. Ai është aq i bindur për ekzistencën e dardhës dhe të mollës sa edhe për ekzistencën e vet.
I riu, i përfshirë siç është në furtunat e veta të brëndëshme është i detyruar që ta kthejë vëmendjen, të rrëmojë dhe të kërkojë brenda vetes, pra të bëhet idealist.
Një burrë i pjekur, ka një sërë arsyesh që të jetë skeptik. Ai dyshon sipas mënyrës së vet, nëse janë të sakta mjetet që ai ka zgjedhur për të kryer një veprim. Gjithashtu përpara se të veprojë dhe në çastin që vepron, e ka të nevojshme që të jetë vigjilent, me qëllim që në të ardhmen, mos pendohet hidhshëm për zgjedhje të gabuar.
I moshuari, ndërkaq është mistik. Mjaft gjëra i shikon të varen prej fatit, një diçka që s'ka logjikë të ecë dhe, logjiken të pengohet e të shkojë shtrembër, fati dhe pafatësia pra, të ndërrojnë vënd papritur dhe papandehur.

Zgjodhi dhe perkth: I.V.B.

 

Në përgjithësi, gjithmonë fëmijët kanë dashur të hanë, disa herë më tepër se zakonisht, gjatë ditës. Përveç nevojës biologjike, të ngrënit për ta, shpesh bëhet edhe një lloj kënaqësie, apo argëtimi, apo psikozë më vete. Gjithmonë fëmijët me vënd e pa vënd, me kohë e pa kohë, kanë kërkuar të hanë. Kjo kërkesë e tyre sot të paktën për vëndin tonë, është relativisht e lehtë për tu plotësuar. Me vënd e pa vënd sot, ata duan një hamburger, një tost, një kruasan, chips, popcorn, banane, një krepes, një sanduiç, një, një, ….
Të gjitha këto, për një fëmijë përpara 50 vjetëve, ishin krejt të panjohura, ndaj dhe një gjysh, sot, gjithë terminologjinë e mësipërme, e ka të vështirë, si për ta kuptuar ashtu dhe për ta përdorur.
Dikur të ngrënët e fëmijëve me vënd e pa vënd, me kohë e pa kohë,  shprehej me thënien: “dua bukë në dorë“. Fëmija prej lojës jashtë në rrugë, kur i haej, hynte brenda në shtëpi dhe kërkonte:“dua bukë“. Menuja e “bukës në dorë“, në ato kohë, nuk kish shumë larmi. Nëna pasi i priste një fetë prej pllakës së bukës e bënte atë, ose me sheqer e me vaj, ose me sheqer dhe me ujë, ose me vaj dhe me kripë, ose me sallo, ose me marmallatë ose rrallë herë me gjalpë, etj. Ndërkaq shpesh ndodhte që t‘i jepnin fëmijës edhe një copë bukë thatë, duke i thënë se kështu ishte më mirë mbasi, „të bëhen faqkat e kuqe“.
Pavarësisht, fëmija kur dilte në rrugë, me fetën e bukës në dorë, aty e prisnin shokët dhe ndërkaq, fillonte një ceremonial i vërtetë.
Së pari dëgjohej kërkesa: “Na jep të kafshojmë njëherë“. Dhe kështu në çast, feta e bukës me sheqer dhe me vaj fillonte dhe kalonte gojë më gojë, tek të gjithë shokët e mëhallës të mbledhur aty. Të gjithë kafshonin njëri pas tjetrit nga një kafshatë dhe buka, pasi kalonte dorë më dorë, në rrethin e fëmijëve kthehej në dorën e të zotit, më tepër se e përgjysmuar.
Ky proçes sot, për një psikolog do të ishte një lëndë e parë, për studime me vlerë, në drejtim të pedopsikologjisë dhe ja sepse.
Kish fëmijë që e jepnin me gjithë qejf, me gjithë zemër bukën e vet, tek të tjerët, për tu kafshuar, pa u kursyer, pa ndrojtje, pa u ardhur ndot, madje kish edhe nga ata, që të theshin „kafsho edhe një herë“. Kish ndërkaq të tjerë fëmijë që nuk e jepnin, ose të tjerë që e shënonin atë, se deri ku, ajo duhej kafshuar. Nga ana tjetër kish fëmijë që hapnin gojën shumë kur kafshonin dhe kish të tjerë, që bënin të kundërtën. Kish prindër që i porositnin fëmijët, që mos ua jepnin të tjerëve bukën që ta kafshonin (ndonse kishin, ishin pra në gjëndje)  dhe kish të tjerë që, kur vinin prej rruge, dy shokë në shtëpi, u jepnin që të dyve nga një copë bukë në dorë (ndonse nuk kishin), etj.
Së fundi, duhet thënë se, e njëjta shprehje, “Na jep të kafshojmë njëherë“, përdorej edhe për mollët, dardhat e freskëta etj, ndërsa për akulloret, stapkat prej sheqeri, këndeskat prej sheqeri, mollkat e lyera me sheqer, etj. përdorej shprehja, “Na jep të lëpijmë njëherë“.

dr. I.V.Ballauri

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE7/16 - Mbi shtypin e përditshëm dhe periodik në Shqipëri më 1967

 Sipas të dhënave zyrtare më 1967 tek ne ekzistonin këto, gazeta dhe revista periodike:Zëri i Popullit, gazetë e përditsh. botim i Kom. Qëndr. PPSH. Qarkullimi ditor me 86,000 kopje.Bashkimi, gazetë e përditsh. botim i Fronti Demokratik. Qarkullimi ditor, me 20,000 kopje.Puna , gazetë e përditsh. botim i Kësh. Qëndr. Bashk....

» KE1/34 - Kolovajzet

Nuk mund të përcaktohet dot etimologjia e kësaj fjale. Ndoshta rrjedh nga fjala kolovit, që presupozon të lëvizurit, pa mundim që bën njeriu, fjalë kjo që përdoret shumë në zonën tonë si p.sh., kolovit me makinë, e kolovita në kurriz, etj. Mundet pra që fjala kolovajze që presupozon të rrëshqiturit pa mundim në akull, të...

» KE6/17 - Mbi depon e dikurshme të gazit ose të vajgurit, në Korçë.

 Meqënëse vajguri dikur ishte një lëndë e konsumit të përditshëm, mbasi përdorej për ndriçim, kuptohet se edhe tregu duhej të furnizohej thuajse çdo ditë me këtë mall, i cili, ndryshe nga mallrat e tjera ishte njëkohësiht edhe i rrezikshëm, pra lëndë djegëse dhe plasëse. Për këtë arsye, dikur Korça pati një depo të...

» KE8/10- N. Bulka përshkruan strukturën socale të Korçës në v. 30 bazuar ... tek biletat e kinemasë.

 Cila ishte struktura shoqërore e qytetit tonë në periudhën ndërmjet dy luftërave?Këtë na i thotë shumë bukur Nonda Bulka, në një artikull të tij me titull: Në “Kinema me publikun”, tek “Gazeta e Korçës”, 23 dhjetor 1933. (Nxjerrë nga libri i A. Gjergjit, “Mënyra e jetesës në shek. XIII – XX”).Shënim: Për të...

» BK/SHJT- Ne dhe fqinjët e rrugicës sonë, në kohën kur u prish kisha e Shën Gjergjit në Korçë.

(Skicë, nxjerrë nga punimi me titull;... Thonë se trishtimi ka një fund ...ose,Esse sinoptike mbi botën metafizike të vendlindjes sime, Korçës.autor, Ilia V. BallauriBotim personal, 2001, 517 fq.) Vendi ku u linda dhe u rrita, për herë të parë në botë për të gjitha kohërat, epokat, stadet dhe sistemet që ka kaluar njeriu,...

Share