MZ - Aforizma: Nga filozofia amerikane.




“…Nuk mund t’i jepni forcë të dobtit, duke dobësuar të fortin.

*
Nuk mund të ndihmoni punonjësin, duke shkatërruar punëdhënësin.

*
Nuk mund të përkrahni vëllazërimin mes njerëzve, duke inkurajuar luftën e klasave.

*
Nuk mund të ndihmoni të varfërin, duke shkatërruar të pasurin.

*
Nuk mund të përforconi karakterin dhe kurajon e njeriut duke dekurajuar inisiativën dhe pavarësinë e tij.

*
Nuk mund të ndihmoni dot njerëzit, duke bërë për ta, ato që ata mund dhe duhet, t’i bëjnë vetë…”

Një deklaratë e presidentit amerikan
Abraham Linkoln në
Kongresin Amerikan më 1860


 

Sergej_Esenin Përveç disa fotografive, nga të paktat kujtime të nënës që më kanë mbetur, janë disa shënime llogarie të shkrojtura duket rastësisht, pas përmbajtjes së lëndës, në fund, tek libri i Sergej Eseninit, Lirika, botuar në vitin 1961. Nuk e di por, ndonëse qysh në fëmijëri librat i kam dashur, i kam mbajtur pastër, nuk i kam përthyer, madje edhe sot ndoshta mund të jem ndër të vetmit që një libër të porsablerë e mbështjell, ky libër i Eseninit, ku në të janë edhe këto shënime të nënës, më sjell një ngazëllim të veçantë.

 

Besoj se kur nëna i shkruajti ato shënime llogarie në fund të atij libri, ka qënë një çast kur ajo duhet të ketë patur nevojë për diçka ku të shkruajë dhe në ngutje e sipër, e pat gjetur atë për kollaj dhe kështu bëri në të llogaritë e veta, të shpenzimeve familjare të atyre ditëve tepër të largëta, kur unë isha i ri dhe ndiqja ende gjimanzin. Ja pra një rast kur, shpërdorimi i librit ndodh që të jetë tepër i dashur.
Unë e kam të qartë pse ai libër i Eseninit u gjend për kollaj.


Ishte një periudhë kur ky poet tek ne lexohej shumë prej të gjithëve, veçanërisht prej studentëve dhe gjimnazistëve, madje në shtëpinë tonë këtë libër e gjeje gjithmonë mbi tryezë, në dritare, pranë radios, kudo. E lexonim, e lexonim, e rilexonim dhe nuk i ngopeshim dot, “këngëtarit çapkën me zë kumbonjës të Rusisë”, të ruskave të bukura, të Tanushës, të bjeroskave, të dëborës, të netëve hënore, të perëndimit ngjyrë alle që fshin gishtat në pëlhurën mavi, të karrocës dhe sajës me zilka, etj, etj. Nënës time i pëlqente jashtëzakonisht poezia, “Letër Nënës” të cilën ja lexoja madje edhe ja recitoja gjithë pasion, “Gjallë je ti moj nënoçka ime, gjallë jam dhe unë të përshëndes,”…, ajo e dëgjonte gjithë qejf dhe një pjesë të vargjeve që i pat fiksuar, i recitonim pastaj edhe të dy ...
Esenini ka qënë dhe është i dashur, veçanërisht për brezin që rininë e kaloi në vitet ’60, 70’, mbasi ai hyri tek ne prej studentëve që u kthyen në atë kohë nga Bashkimi Sovjetik, të cilët e sollën atë, të freskët së bashku me freskinë e tyre, e sollën të gjallë, të bukur ashtu siç ish, prej Rusie. Libri, Lirikat e Eseninit, është përkthyer prej penave më të mira, të përkthimit që kish në atë kohë vendi tonë për gjuhën ruse dhe një prej tyre, me përkthime tepër të ëmbla, në këtë vëllimth, ishte edhe Vangjush Ziko, mësuesi im i letërsisë.
Në Korçë Esenini është  kënduar me kitarë, serenatave të dikurshme, nëpër rrugë, në mbledhka, me gotat përpara dhe gjithë pasion, nga lloj - lloj zërash, të të rinjve të asaj kohe, djemve dhe vajzave, gjimanzistëve, studentëve, prej të gjithëve.

Kush nuk i di këto vargje?


Ç’mi përdredh ti buzët nazemadhe – moj?
Kam një vajzë tjetër, ty s’të dashuroj.

Ti e di se jemi larg, mjaft larg të dy …
Mos u tremb … S’të pashë … s’vij këndej për ty.
Të shkoj pranë … por zëmra asnjë tel s’më lot,
Vetëm nga dritarja syt’ t’i hodha kot...


E pra këto vragje janë të Eseninit me përkthim të Agim Shehut.

Të tjera vargje të Eseninit të kënduara në Korçë me kitarë janë edhe këto si:
 Mbrëmje të kaltra, mbrëmje hënore!/ Ç’isha i bukur në moshën rinore.”, etj, ose
 “Ej, këndo karrocier kësaj nate,/ A t’ja them un’ një kënge t’ja zë/ Për dy sy të një vajze dinake,/ Për gazmoren rini që më le.”, etj.

 
Çudi!

Esenini kish magjinë që nuk mund të kapej dot prej diktaturës. Duket se i përngjante atij shpirti të etertë, që gjendej kudo, ishte i rrjedhshëm, i depërtueshëm ndaj çdo hermeticiteti.

Ilia V. Ballauri 
 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» BK/LA - Muzika - Prosopografi - Abazi

 Për rreth 25 vjet (a më tepër), në dekadat e vështira të viteve '60 e '70, në botën e vërtetë shpirtërore të rinisë së asaj kohe në Korçë, botë kjo që shfaqej fshehurazi e trazuar prej melodive e këngëve gjatë mbrëmjeve të dikurshme të vallëzimit, një rol qendror në qytetin e Korçës luajti fizarmonika e...

» MZ - Koha e Vjeljes së Qershisë - Poezi - Robert Graves

 Qershia është një nga mrekullitë e botës së bimëve.Bukuria e kësaj peme qëndron tek të gjitha, tek fruti, tek lëngu, tek lulja, tek aroma, tek shija, tek ngjyra, tek druri i saj i çmuar, tek lëvorja e saj e argjëndtë, madje edhe fjala qershi është një ndër fjalët më të bukura që ka gjuha shqipe (mendoj unë). Për...

» MZ - Theognis - Poezi: Eros i tmerrshëm je!

Theognis, konsiderohet si një ndër poetët më të rëndësishëm të poezisë elegjike të Greqisë së lashtë. Ai ish fisnik nga Megara dhe mendohet se ka jetuar në mes të shek. 6-të para Kr. Fridrich Nietzche, punimin e parë shkencor që shkruajti, qysh kur ishte student në Laipsig, ia dedikoi vargjeve të Theognisit, botuar tek revista...

» BK/LA - Safo, poezi

Ësht’ hero, ësht’ perëndi, kush përball’ të qëndron,Safo, shek. 6-të para Kr.Shqipëroi: Ilia V. BallauriËsht’ hero, ësht’ perëndi, kush përball’të qëndron,Ai burr’, ai trim që me etje dëgjon,Zërin tënd që gulçon, cicëron, belbëzon,Ai burr’ që në sy të shikon, kur ti me shigjeta e shpon.Oh mua, e jotja...

» BK/SHJT - Folklor - Th. Mitko: Djalli dhe i biri

 Djalli me të birin ishin duke udhëtuar nëpër botë. Në rrugë e sipër kalojnë pranë një fshati i cili dukej se ndodhej në ditë të gëzuara. Dëgjoheshin nga larg këngë, kërcime, vallëzime e gëzime. Duke parë këtë gjëndje, djalli i tha të birit, - Leri mos i ngacmo, leri të gëzohen-. I biri i djallit u përgjegj, - Dakord,...

Share