Pitose, quheshin në kohë të lashta, hambaret ose enët ku ruheshin apo konservoheshin produktet e ndryshme bujqësore, kryesisht drithrat, si gruri, elbi, meli, thekri, etj, por edhe farërat e bimëve të tjera bujqësore si, thjerrëzat, qiqrat, etj. Në këto enë ruheshin madje edhe uji, vera, vaji apo edhe produkte të tjera ushqimore, të përgatitura ose gjysmë të përgatitura, që dilte në atë kohë, e nevojshme për t’i mbajtur gjatë.
Pitoset ishin enë të mëdha qeramike, pra prej balte të pjekur. Kishin volum të përmasave të ndryshme, me trajtë vezore ose gati sferike. Nga sipër pitoset kishin grykën, ndërsa poshtë kishin fundin, i cili mund të ish në formë konike si majë duke shërbyer kështu më mirë për tu ngulur dhe futur brenda në tokë ose më thjesht, për tu groposur aty.
Disa pitose nuk groposeshin në tokë ndaj dhe fundin e kishin në formë trung koni. Këta mbaheshin nëpër banesat, në pjesët më të freskëta dhe më të thella të tyre.
Sot rudimente të pitoseve janë qypet që kemi patur të gjithë, nëpër shtëpitë tona. Qypet janë një lloj pitosi që nuk groposet.
Pitoset, pra ishin hambaret e lashtësisë. Në to produktet e ndryshme ruheshin relativisht të freskëta, dhe kjo, falë aftësisë që ka toka ku groposeshin pitoset, për të ndryshuar pak temperaturën e vet.
Pitoset prej qeramike kishin madhësi dhe përmasa të ndryshme. Disa prej tyre arrinin deri në 1.5m diametër, me grykë rreth 80cm, ndërsa lartësi deri 2m, apo edhe më shumë.
Pitosit si hambarë filluan të përdoren shumë herët por një përdorim të gjërë ata morën veçanërisht, në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të parë, para Kr.
Prodhimi i pitoseve prej poçarëve ishte një “industri” e tërë në atë kohë, madje edhe një “fushë-beteje” për elementet e ndryshme të artit, pra për talentin e artistëve poçarë. Janë gjetur pitose ku në to, pasqyrohen lloj-lloj zbukurimesh, që janë vepra të vërteta arti, apo ku pasqyrohen skena të vlefshme të ngjarjeve të ndryshme historike. Zakonisht poçarët që prodhonin pitoset, linin tek këto vulën e vet.
Pitoset hambarë, janë gjetur me shumicë në zonën e Korçës, në Pogradec dhe deri në Skrapar dhe mendohet se i përkasin kohës së fisit të Dasaretëve. (S. Anamali, “Arkeologjia dhe Bujqësia”, fq.21, 1980)
Tek disa gryka pitosesh të gjetura në Pogradec, lexohen emrat Gent dhe Epikad, ndërsa në një pitos të gjetur në fshatin Tren në qarkun e Korçës, lexohet emri Plator. (Po aty fq. 20)
Në anët tona, është me interes të themi se po në fshatin Tren është gjetur një pitos, në grykën e të cilit është gdhëndur një parmëndë për të lëruar tokën prej druri e pajisur me plor hekur dhe që sipas specialistëve, kjo është dëshmia e parë grafike e figurës së një parmënde, e gjetur ndonjëherë në vëndin tonë. (Po aty fq. 20)
Një element pra me rëndësi ky për historinë e bujqësisë në anët tona.
Së fundi, theksojmë se në kohë të lashta, ekzistonin disa lloje pitosesh që gdhëndeshin në tokë, pra të përhershëm. Këta gëdhëndeshin në formë gropash të thella, në trajtën e qypit të madh, në shkëmbinj shtufi apo, shiste të ndryshme ranore dhe mbuloheshin pastaj me një kapak. Të tillë pitose në anët tona janë gjetur në Laktesh, të Pogradecit. (Po aty fq. 20).