Disa prej markave më të njohura të biçikletave të përdorura në Korçë janë këto të mëposhtmet.
‘Herkules’ prodhim angles, biçikleta me dy hekura, me goma të trasha, të rënda, të cilat numuroheshin në majë të gishtave, prodhim i viteve ’20[?], ’30.
‘Gana’, ‘Dei’, ‘Legnano’ dhe ‘Bianchi’’, prodhim italian, qarkulluan në qytetin tonë para luftës së dytë botërore (vitet, 30-40), në dy forma, mashkull pra me hekur dhe femër. Zinxhirin e kishin të futur në kuti. Ishin kryesisht biçikleta me shtat të mesëm dhe të ulët. Shënim: lartësia e biçikletës varej prej madhësisë së diametrit të rrotave, (26-she apo 28-she), por edhe prej stilit të ndërtimit të trupit.
‘Zis’ dhe ‘Moskviç’, prodhime ruse (Bashkimi Sovjetik), të parat të larta, mashkull, me freno ‘kondër’, zinxhir të pambuluar, timon të hapur, të dytat mesatare, mashkull dhe femër, qarkulluan kryesisht në vitet ‘50.
‘Mifa’, ‘Diamant’, prodhim i ish-DDR, pra Gjermanisë Lindore, mashkull dhe femër, të larta, mesatare dhe të ulta, kryesisht me freno ‘kondër’ dhe goma relativisht pak më të trasha se normalet, qarkulluan në vitet, ’50, ’60, ’70.
‘Robusto’ dhe
‘Eska’ prodhime çekosllovake, qarkulluan kryesisht në vitet ‘60 por edhe ‘70. Gjendeshin në formë mashkull dhe rallë femër, mund të ishin me frena ‘kondër’, zinxhirin e kishin të mbular pjesërisht nga sipër me një kapak. Ishin biçikleta të larta.
‘Favorit’, prodhim çekosllovak, biçikletë mesatare, mashkull, qarkulloi në vitet ’60.
‘Mesko’, prodhim polak, lartësi mesatare, mashkull, zinxhir të hapur, me freno ‘kondër’, qarkulloi kryesisht në vitet ‘70.
‘Bicikletat kineze dhe vjetnameze’ qarkulluan në Korçë gjatë viteve ‘80, në shumë lloje dhe disa marka, kish forma mashkull dhe femër, të larta, mesatare por edhe të ulta, me zinxhir të mbuluar dhe të pambuluar, etj.
‘Pioner’, ishin biçikletat me shtat më të ulët që kanë qarkulluar ndonjëherë tek ne, prodhim polak. U çfaqën në vitet ’60 dhe ’70 në pak egzemplarë, ishin në formë femër dhe përdoreshin zakonisht prej fëmijëve.
‘Tirana’, biçikleta pjesërisht shqiptare, të larta, mashkull, prodhuar në ish uzinën ‘Tirana’, në fillim të viteve ’80. Qarkulluan në numur relativisht të pakët.