Aforizma të eruditëve grekë dhe romakë: Për bukurinë.

 


Bukuria është dhuratë e Zotit.
Aristoteli
*
Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim.
Aristoteli
*
Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të liq.
Shën Agustini
*
Në çastin që një vajzë fillon e nuk ka më ndrojtje dhe nuk skuqet më, atëhere ajo ka humbur pjesën më tërheqëse dhe më fuqiplotë të bukurisë së vet.
Grigori i 1-rë, shek 6-të
*
Të lutem o Zot, më bëj të bukur përbrenda.
Sokrati
*
Bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia.
Platoni
*
Njësoj si mund të gabojë një mëndje kur ajo gjykon nën veprimin e pijes së verës, ose një sy, kur ai sheh në errësirë, ashtu mund të gabojë edhe një shpirt, kur ai është i dehur prej një bukurie.
Ovidi
*
Njoh dikë që kur pa një grua me një bukuri goditse, ju lut Krijuesit për të. Duket pra se pamja e saj e ndriçoi atë burrë, që t'i drejtohej Zotit me përdëllim.
Shën Joan Klimakus, shek. 7-të
*
Ç'ka është e bukur është e mirë dhe, kush është i mirë, shpejt do të konsiderohet edhe si i bukur.
Safo
*
Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet.
Horaci
*
Kur në mesnatë kandili shuhet,
të gjitha gratë, kanë një bukuri që s’thuhet.
Plutarku






Mali_i_Thate Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë. Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a prrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit. Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit ku quhet Galicicë. Mali i Thatë ndan liqenin e Prespës së Madhe (në lindje të vet), nga ai i Ohrit (në perëndim). Për nga ana gjeologjike Mali i Thatë përbëhet kryesisht prej formacione gëlqerorësh të periudhës së mesozoikut.
Konfiguracioni i Malit të Thatë është tepër interesant. Nga ana e Fushës së Korçës (pra nga jugperëndimi), por edhe nga ajo e Liqenit të Pogradecit (pra nga perëndimi) ai është shumë i pjerët dhe impozant, ndërsa nga veriu dhe lindja ai ka zbritje të buta, me pllaja – pllaja.  Lartësia e tij lëviz nga 900m deri në 2287m, me një mesatare mbizotëruese në 1400m. Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshtë, e sheshtë dhe me gropa karstike. Të tilla gropa janë të pranishme gjithashtu edhe në anën perëndimore të tij. Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit (pra maja e tij është, majë pusi!) e cila është 2287m mbi nivelin e detit. Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjërë rreth 8km në pjesën qëndrore të vet. Mali i Thatë duket shumë bukur, si prej Korçe ashtu dhe prej Pogradeci.
Ai përmëndet thuajse në një sërë përshkrimesh historike të bëra në shekuj, prej udhëtarësh, kronikanësh apo studiuesish të ndryshëm, kur këta i referohen anëve tona. Përmëndet indirekt apo direkt, në shkrimet e lashta, në ato bizantine, në ato osmane, e deri tek shkrimet e udhëtarëve të huaj të cilët kaluan këtej, në këto shekujt e fundit.
Flora është e pasur, në pjesën jo të pjerët të malit, pra në atë lindore e veriore, dhe në mbulesën e gjelbërt të këtij mali gjenden, luadhe (ku ka edhe salep e krokus), drurë ahu, dushk si dhe shkurre të ndryshme. Kohët  e fundit ndaj pyjeve që veshin Malin e Thatë, janë bërë mjaft dëmtime ekologjike, nëpërmjet prerjeve jo të rregullta të drurëve pyjorë dhe të shfrytëzimit të gurit gëlqeror duke e ç’veshur edhe më tepër, këtë mal të thatë. Lidhur me faunën përmëndet se, përveç shpendëve të ndyshme, aty ka mjaft ujqër si dhe rrallë herë takohet edhe ariu. Ndërkaq në Goricë, që është një fshat në këmbën veriore të këtij mali, gjenden baokside hekuri dhe minerale kalçiumi dhe magnezi.
Mali i thatë ndahet prej Malit Ivan (1768m mbi nivelin e detit) prej një qafe, Qafës së Zvezdës, e cila ndan njëkohësisht edhe fushën e Korçës nga pellgu i Liqenit të Prespës. Kjo qafë ndodhet në lartësinë 1099m, mbi nivelin e detit.

Thuajse në këmbë të Malit të Thatë, ndodhet edhe grykëklaimi i Cangonjit që lidh fushën e Korçës, me atë të Devollit. Në rrëzë të tij ndodhen gjithashtu një sërë fshatrash si, Tushemisht, Alarup, Bletas, Podgorie, Korritë, Gurbardhë, Zvezdë, Shën Gjergj, Burimas, etj.
Nga maja e Malit të Thatë në kohë të kthjellët duket maja e malit të Gramozit, që është në një distancë në vijë të drejtë prej 65 km larg (foto). 
 Së fundi, le të dëgjojmë edhe këto vargje liriko-erotike, të Lasgush Poradecit, të frymëzuara prej motiveve popullore të zonës, që i këndojnë aq bukur, dashurisë së anëve tona, aty rrëzë Malit tonë të Thatë.

 
Baladë 
         
 I 
Fryn veriu në Mal të Thatë,      
Thotë vasha lele ngriva.

Duro vashë, të durojmë
Si duron mali dëborën.

Në të shtënça, moj, në dorë,
Do të ngroh si top dëborë.
             
II
Fryn një erë e shkundërmuar,
Thotë vasha çeli molla.

Çeli vashë, le të çelë,
Si çel malli mu në zemër.

Në ma dhënç, moj beln'e hollë,
Do ta thyej si mënjollë,
Do të shtrydh posi një mollë.
        
III
Vjen e bën një vap'e rëndë,
Thotë vasha bubu plasa.
Duro vashë, të durojmë,
Si duron kallir' і pjekur.

Në më ardhç,o moj, në hije,
Do t'і puth për dhemshurie,
Do t'і skuq t'і ndez qirie,
Do t'і nxi t'і bëj mavie,
Ato buzë gjak-qershie.

IV
Zun' e shkojnë dallëndyshet,
Thotë vasha po venitem.

Venitu, vashë, venitu,
Siç venitet zemra ime.

Në të marça moj, përherë,
Do të shtroj të parën herë,
Do të ngroh të dytën herë
Do të puth të tretën herë
Buzë e gushë e gjinë e mjerë
Dh'atë shtatin që mban erë
Posi luleja në verë
Gjersa gjumi të më zerë,
Të më zerë e të më flerë
Syr' і urtë si mëshqerrë.

V
Vate dimri, vate vera,
Vate vjeshta përngahera.

Trim, më more-edhe më shtrove,
Trim, më ngrove-e më pushtove,
Trim, më puthe-e më mbarove,
Trim, o trim, seç trimërove.

VI
Atje lart në Mal' të Thatë,
Zoti – Krisht bëke një kishë.

N’atë kishë ç’paske brënda:
Qënka trimi edhe vasha:

Trimi, ç’paske dhëndëruar,
Vasha ç’paske nusëruar,
Zotin ç’paskan lavdëruar,
Jetën ç’paskan trashëguar,
Shpirtin ç’paskan shënjtëruar.

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Vargje erotike bizantine: "Gërsheti i mplakur"

 Përse m’i përbuz të dobtat flokë,të mplakura, bërë gërshet me zor në kokë?Përse,m’i përbuz sytë që prej lotëve më janë zbutur,më janë tretur, më janë errur, më janë futur?Eh, këto pra lulëzojnë tani, me dhimbjen time,tallen, më përqeshin, ushqehen me shqetsimet.Ato janë shënja të plagëve, të shigjetave, të...

» Aforizma - Për kopshtet

 “Zoti fuqiplotë fillimisht krijoi kopshtin…freskimin më të madh të shpirtit të njeriut.Pa kopshte,pallatet dhe ndërtesat,s’janë gjë tjetër,veçse punë të trasha, të dorës së njeriut.”Francis Bacon(1561-1626)*“Dhe kështu…… Zoti në lindje të Edemit,mbolli një kopshtdhe aty pastaj,vendosi njeriun, të cilin ai e pat...

» BK/LA - Poezi të recituara dhe të shoqëruara me muzikë.

               Poezi - pjesë nga Sofokliu, Akriloku dhe Anakreonti, zgjodhi dhe i shqipëroi, Ilia V. Ballauri, reciton Nonda Kajno. Sofokliu, Antigoni vrg.780-800.Eros që kurrë nuk mundesh,që kurr nuk qetsohesh,Ti që shigjeta derdh rebesh,dhe shigjetë s’të shkon...

» KE2/4 - Plepi i Shën Gjergjit dhe galat.

Dikur në mes të Korçës, pikërisht përballë, aty ku është sot porta e bibliotekës së qytetit, në trotuar, (pra dikur, përballë portës së anëshme të kishës së Shën Gjergjit) ndodhej deri aty nga vitet ’60 një plep (latn. Populus nigra L.) jashtëzakonisht i madh. Plepi kish lartësinë rreth 15 – 20m (afrs. sa një godinë...

» KE5/15 - Zona e Oparit në fillim të shek. 19 - të, një përshkrim i vitt 1830.

“ … Edhe Opari është një komunë e vogël. Përfshin thuajse 30 fshatra, …. Llogaritet të ketë gjithsej rreth 600 shtëpi dhe rreth 4500 frymë. Relievi është malor, tepër i frikshëm dhe me maja të pa kapshme. Shtëpitë janë të ndërtuara në kodra, rrëpira dhe humnera. [Përsa i takon juridiksionit fetar] varet nga mitropolia...

Share