Aforizma të eruditëve grekë dhe romakë: Për bukurinë.

 


Bukuria është dhuratë e Zotit.
Aristoteli
*
Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim.
Aristoteli
*
Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të liq.
Shën Agustini
*
Në çastin që një vajzë fillon e nuk ka më ndrojtje dhe nuk skuqet më, atëhere ajo ka humbur pjesën më tërheqëse dhe më fuqiplotë të bukurisë së vet.
Grigori i 1-rë, shek 6-të
*
Të lutem o Zot, më bëj të bukur përbrenda.
Sokrati
*
Bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia.
Platoni
*
Njësoj si mund të gabojë një mëndje kur ajo gjykon nën veprimin e pijes së verës, ose një sy, kur ai sheh në errësirë, ashtu mund të gabojë edhe një shpirt, kur ai është i dehur prej një bukurie.
Ovidi
*
Njoh dikë që kur pa një grua me një bukuri goditse, ju lut Krijuesit për të. Duket pra se pamja e saj e ndriçoi atë burrë, që t'i drejtohej Zotit me përdëllim.
Shën Joan Klimakus, shek. 7-të
*
Ç'ka është e bukur është e mirë dhe, kush është i mirë, shpejt do të konsiderohet edhe si i bukur.
Safo
*
Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet.
Horaci
*
Kur në mesnatë kandili shuhet,
të gjitha gratë, kanë një bukuri që s’thuhet.
Plutarku





 

Dikur në Korçë kam dëgjuar një të vërtetë, sesi shumë kohë më parë, një i varfër, i pa ngrënë, tek endej rrugëve, veç të tjerash edhe prej erës së marrë i rrahur dhe i munduar, të ketë thënë:
“Fry moj erë fry! Shpirtin e një fukaraj do të marrësh!”
Thuhet gjithashtu se në anën tjetër të qytetit tonë, një i kamur, i ngrënë dhe i pirë mirë, tek doli prej shtëpie dhe gjoksin e tij e përfshiu e njëjta erë, bërtiti me krenari:
” Fry moj erë fry, në gjoksin e luanit!”
Duket pra se edhe era bëkërka dallime!!!
Dhe duket se kjo gjë pat qënë njohur edhe qindra vjet më parë edhe prej filozofisë së lashtë kineze, le ta dëgjojmë.

 
Fryrja_e_eres Mbreti Hsiang i krahinës Chu, ishte duke u çlodhur në pallat, tek Taraca e Orkideve. Shoqërohej prej oborrtarëve të vet Sung Yu dhe Ching Cha dhe kur ja, befas një puhi e fortë ere, erdhi me rrëmbim. Mbreti duke hapur jakën e rrobës që të rrihej prej saj, tha:
“Sa gjë e kënaqshme! Erë e këndëshme! Si unë ashtu dhe populli im, mund që ta shijojmë këtë, apo jo?”
Ndërkaq Sung Yu i thotë mbretit:
“Kjo erë është vetëm për ty Madhëri. Si ka mundësi që një të tillë erë, ta shijojnë edhe njerëzit e zakonshëm?”
“Era” tha mbreti, “është frymëmarrja e qiejve dhe e tokës. Ajo shpaloset dhe mbërrin në çdo cep. Era nuk bën dallim, nuk zgjedh njerëz të lartë dhe njerëz të ulët, ata që janë sipër dhe ata që janë poshtë, fisnikët, të ngopurit mes kënaqësive dhe të poshtëruarit, ajo prek dhe zë gjithkënd. Ç’kërkon ti të thuash, se kjo erë më përket vetëm mua?”
Oborrtari Sung Yu iu përgjegj:
“Madhëri, prej mësuesit tim kam dëgjuar të thotë se, ndër degët e limonit, janë degët e përdredhura ato që i ftojnë zogjtë, që tek to, ata të ngrenë foletë. Kam dëgjuar të thotë, se zgavrat dhe të çarat e thithin erën dhe se të fryrit e kësaj, ndryshon në vartësi të vëndeve që ajo përshkon.”
“Më thuaj”, tha mbreti, “prej nga vjen era?”
Sung Yu, iu përgjegj:

“Era lindën prej tokës
dhe pasi prek majat e luleve ujore,
futet pastaj në lugina,
egërsohet më tej në gojët e grykave malore,
kalon përfund, duke përfshirë brinjët e malit Tai
dhe vazhdon kështu, poshtë pishave dhe cedrave.
Fluturon më pas me rrëmbim,
duke fërshëllyer dhe vajtuar,
duke zhdëfryer me ashpërsi inatin e vet.
Klithën, kërcet, me një zë si bubullimë,
përzjen dhe bën rrëmujë, krijon konfuzion,
duke u tunduar shkëmbinjve, duke përplasur pemë,
dhe duke shpërthyer tek pylli i trazuar.
Ndërkaq forcat i mbarohen, i shteren,
pasi shfryn dhe shpërbëhet,
duke depërtuar edhe nëpër vrima dhe të çara,
si dhe duke përplasur dyer.
E pastër dhe e kthjellët, tashmë,
ajo shpërndahet dhe shpështillet tutje.
Kjo është pra, kjo erë e freskët, erë heroinë,
që duke kërcyer dhe u hedhur poshtë e lart,
ngjitet pastaj në murin e lartë,
dhe futet thellë në sallat dhe ambientet e pallatit.
Me një puhi frymëmarrëse, ajo tund gjethet dhe lulet,
endet pastaj mes drurëve të kasies dhe të piperit,
fluturon mbi ujërat e shpejta,
dhe godet lule-mëllagat.
Rrok lule anxhelikat-selinotë dhe prek barin aromatik,
rrëshqet mes likeneve
dhe shpërthen tek sythat e shelgut,  
shëtit nëpër kodra,
shëtit tek lulet gjithë parfum që janë të shpërndara në to,
dhe paskëtaj,
endet në Oborrin mbretëror,
ngjitet në sallën e blertë të Veriut
dhe kapet pas perdeve të lehta.
Duke kaluar nëpër dhomat intime,
ajo bëhet era e Madhërisë Suaj.
Kur kjo erë i fryn dikujt,
menjëherë ai ndjen se e përshkon një fllad i freskët,
frymëmerr pastër dhe lehtë pastaj, në këtë fresk.
Kjo shëron dobësitë dhe shpërndan maramendjen,
mpreh sytë dhe veshët,
çlodh trupin dhe njeriut i bën mirë.
Kjo pra është, ajo që quhet, era e Madhërisë Suaj.

“Sa bukur që e përshkrove këtë,” thirri i ngacmuar mbreti, “ nuk më thua, a mund të më flasësh tani, për erën e njerëzve të zakonshëm?”
Sung Yu iu përgjegj:

Era e njerëzve të zakonshëm, Madhëri,
vjen duke u vërtitur monopateve dhe rrugëve,
duke trazuar mbeturinat
dhe duke ngritur përpjetë pluhurin,
gjith’ shqetësime dhe bezdisje në rrugën e vet.
Ajo futet fshehurazi vrimave dhe troket portave,

Song_Yu duke hedhur gjithandej rërë dhe hi,
turbullon ndyrësirat dhe ngre përpjetë plehra.

Ajo depërton strehave
dhe futet në brendësitë e kasolles.
Kur kjo erë i fryn dikujt në fytyrë,
menjëherë ai ndjehet i çoroditur dhe buzëplasur.
I goditur prej të nxehtit, i tukequr prej dekurajimit,
atij i sëmuret zemra dhe madje kjo i rëndohet,
bie pra kështu i sëmurë dhe dridhet në ethe.
Kur i fryn duke i tharë buzët, ai duket i lënduar,
dhe përpëlit sytë si të verbërit.
I mbahet goja dhe ngërdheshet,
pa ditur nëse është i gjallë apo i vdekur.
Kjo pra është ajo që quhet, era e klasës së ulët, e njerëzve të zakonshëm.

Shënim: Song Yu (290-223 para Kr.) ishte oborrtar në pallatin e mbretit të krahinës Chu dhe dishepull i poetit të madh të shtetit Qu Yuan.

Shqiperoi: Ilia V. Ballauri

 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Morali - Mbi natyrën e Dashurisë, sipas Plutarkut.

 Dashuria nuk lindën papritur, nuk lindën menjëherë, siç ndodh me inatin dhe as nuk shkon shpejt, pa ç’ka se për të thonë se ka krahë.Ajo ndizet butësisht dhe pastaj nëpërmjet aftësisë shkrirëse që ka, hapën rrugën e vet të depërtimit, thellë e më thellë. Kur arrin që përfshin gjithë shpirtin ajo qëndron kështu,...

» KE10/8 - Apotropizmi në librat e shtypura në Tipografinë e Voskopojës më 1744

Medusa sipas mitologjisë ish një përbindësh deti, femër, që kush e shihte atë, ngurosej dhe kthehej menjëherë në shkëmb. Kësaj gorgone-përbindësh, ju pre koka prej Perseut. Mithi thotë se Perseu ish dërguar për të vrarë Medusën, dhe në këtë detyrë ai u ndihmua prej perëndeshes Athina. Kjo e pajisi heroin me sandale me...

» BK/LA - Anakreonti - Natën sikur isha i shtrirë.

Poezi nga Anakreonti, shek. 6-të para Kr., zgjodhi dhe shqipëroi Ilia V. Ballauri.Natën sikur isha i shtrirë,Mes qejfeve, thell’ i përpirë,Mes shtrojash, ngjyrë të kuqe,Mes bukuroshesh, si burbuqe.Sikur un’ ngjisja, me perëndinë,Dhe s’kisha lidhje, me njerinë,Sikur më puthnin, më shtrëngonin,Vajzat, që në mënd më shkonin.

» BK/LA - Poezia - Muzika: Vargje të Sergej Eseninit, të kënduara vite më parë, me kitarë në Korçë.

 Përveç disa fotografive, nga të paktat kujtime të nënës që më kanë mbetur, janë disa shënime llogarie të shkrojtura duket rastësisht, pas përmbajtjes së lëndës, në fund, tek libri i Sergej Eseninit, Lirika, botuar në vitin 1961. Nuk e di por, ndonëse qysh në fëmijëri librat i kam dashur, i kam mbajtur pastër, nuk i kam...

» MZ: Homeri, mbi teorinë e marrjes së vendimeve - Skilla & Haribdi

Homeri mbi teorinë e marrjes së vendimeve, ose mbi zgjedhjen që duhet bërë ndërmjet dy të këqiave: Skillës dhe Haribdit.Gjithmonë ka qënë i vështirë për tu marrë vendimi se ç’duhet zgjedhur  ndërmjet dy të këqiave, prej të cilave, njëra e keqe ka një dëm relativisht të madh por të njohur (Skilla) ndërsa tjetra...

Share