MZ - Aforizma: Johann Wolfgang von Goethe

 

Njeriu çdo ditë duhet të dëgjojë pak muzikë, të lexojë pak poezi, të shohë një pikturë të bukur,  në mënyrë që rutina e përditëshme, mos bëjë që të lihet në harresë, ndjenja për të bukurën, ndjenjë kjo të cilën Zoti e ka mbrujtur në shpirtin e njeriut.

*
Njësoj si në Romën e lashtë, ku në qytet, përveç romakëve kish edhe një mori bustesh dhe statujash mes të cilave rronin njerëz, ashtu edhe sot, përveç realitetit, ekziston edhe një botë e fortë me fantazi dhe imagjinata, ku edhe në të jetojnë njerëz.

*
Thonë: Njih vetveten! Po si mund dikush të njohë vetveten? Kjo gjë nuk mund të bëhet, nëpërmjet survejimit të vetes, por vetëm nëpërmjet praktikës dhe ja sesi: përpiqu të kryesh detyrën që të takon dhe do të shohësh, se ke për të kuptuar menjëherë, karakterin tënd. 


*
Çdo moshe të njeriut, mund  t'i vihet në korrespondencë një filozofi e caktuar.
Fëmija paraqitet realist. Ai është aq i bindur për ekzistencën e dardhës dhe të mollës sa edhe për ekzistencën e vet.
I riu, i përfshirë siç është në furtunat e veta të brëndëshme është i detyruar që ta kthejë vëmendjen, të rrëmojë dhe të kërkojë brenda vetes, pra të bëhet idealist.
Një burrë i pjekur, ka një sërë arsyesh që të jetë skeptik. Ai dyshon sipas mënyrës së vet, nëse janë të sakta mjetet që ai ka zgjedhur për të kryer një veprim. Gjithashtu përpara se të veprojë dhe në çastin që vepron, e ka të nevojshme që të jetë vigjilent, me qëllim që në të ardhmen, mos pendohet hidhshëm për zgjedhje të gabuar.
I moshuari, ndërkaq është mistik. Mjaft gjëra i shikon të varen prej fatit, një diçka që s'ka logjikë të ecë dhe, logjiken të pengohet e të shkojë shtrembër, fati dhe pafatësia pra, të ndërrojnë vënd papritur dhe papandehur.

Zgjodhi dhe perkth: I.V.B.

... Vazhdimisht është vënë në dukje se, sa më tepër në një vend dobësohen virtytet, pra dhe e vërteta, aq më tepër aty, zhvillohen cilësitë sipërfaqësore. Duket se e njëjta gjë ndodh edhe me letrat (pra me shkrimet), mbasi shohim se edhe në epokën tonë, sa më tepër ka tendencë të zhduket jo vetëm forca por dhe të përmendurit e virtyteve nëpër shkrime të ndryshme, aq më tepër përmirësohet cilësia e shtypjes së librave. Në të shkuarën asnjë libër i klasikëve, nuk u shtyp me elegancën që shtypen sot revistat dhe shkrimet e tjera të thashethemeve politike, të cilat prodhohen për të jetuar vetëm një ditë. Ndërkaq për artin e të shkruajturit, për letrat, nuk flitet asgjë dhe rrallë i dëgjojmë madje edhe emrin, kësaj mjeshtërie.
Besoj se çdo njeri i ndershëm dhe i respektuar, kur hap dhe lexon një libër të kohës së sotme, ndjen një keqardhje dhe trishtim, për gjithë atë letër luksoze dhe për ato gërma aq të bukura që janë përdorur për të riprodhuar, në pjesën më të madhe, fjalë që të kallin neverinë dhe mendime aq të pavlefshme.

Giacomo Leopardi
Pensieri
copëza nr. LIX
Shqipëroi:
Ilia V. Ballauri
 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE3/15 - Vargje erotike prej Asdrenit.

Aleksandër Stavre Drenova, ose i njohur si Asdreni (1872 – 1947) poeti dhe publicisti i madh prej Drenove, shkruesi i një sërë shkrimeve, shkruesi i himnit kombëtar (i cili zyrtarisht njihet me tre strofa por që në origjinal ka patur gjashtë), ka shkruar edhe këto vargje erotike si më poshtë:O moj ti me sy të zinj,Q’i ke flokët...

» MZ - Filozofia e lashtë kineze: Për të varfërit edhe era bën dallim vepron e sillet e pamëshirshme.

 Dikur në Korçë kam dëgjuar një të vërtetë, sesi shumë kohë më parë, një i varfër, i pa ngrënë, tek endej rrugëve, veç të tjerash edhe prej erës së marrë i rrahur dhe i munduar, të ketë thënë:“Fry moj erë fry! Shpirtin e një fukaraj do të marrësh!”Thuhet gjithashtu se në anën tjetër të qytetit tonë, një i...

» BK/LA - Letrat - Poezia lirike - Këngë lotimi.

Për poezinë e më poshtme, që duket se përshkohet nga një finesë ndjenjash, përveç dy inicileve, nuk kemi asnjë të dhënë për autorin e saj. Ajo gjendet e botuar në shtypin e Korçës të vitit 1927, “Kalendari, Korça 1927”, botuese Dhori Koti, Korçë. Riprodhimi i mëposhtëm është sjellë me arkaizmin tipik të kohës siç...

» MZ - Aforizmë: Nektar Tërpo - Voskopojari

Papës së Romës ditën e parë që ulej në fronin papal i ndiznin përpara disa kashtëra dhe kardinali i thesh:Beatissimo Padre, I Nderuar Pater, kaq është kjo jetë dhe kaq është lavdia e kësaj bote, sa ky tym!

» MZ - Aforizmë: Meneandri

Në një kompleks koral të një pjese teatrale, nuk këndojnë që të gjithë, por dy a tre. Të tjerët, të përzierë atje, qëndrojnë të ngulur në kor vetëm për numër.Në jetë pra, rrojnë vetëm të gjallët e vërtetë. Meneandri, sipas Stobeut, tek Antologjia, 121, 11Shek. IV para Kr.

Share