MZ - Aforizma: Johann Wolfgang von Goethe

 

Njeriu çdo ditë duhet të dëgjojë pak muzikë, të lexojë pak poezi, të shohë një pikturë të bukur,  në mënyrë që rutina e përditëshme, mos bëjë që të lihet në harresë, ndjenja për të bukurën, ndjenjë kjo të cilën Zoti e ka mbrujtur në shpirtin e njeriut.

*
Njësoj si në Romën e lashtë, ku në qytet, përveç romakëve kish edhe një mori bustesh dhe statujash mes të cilave rronin njerëz, ashtu edhe sot, përveç realitetit, ekziston edhe një botë e fortë me fantazi dhe imagjinata, ku edhe në të jetojnë njerëz.

*
Thonë: Njih vetveten! Po si mund dikush të njohë vetveten? Kjo gjë nuk mund të bëhet, nëpërmjet survejimit të vetes, por vetëm nëpërmjet praktikës dhe ja sesi: përpiqu të kryesh detyrën që të takon dhe do të shohësh, se ke për të kuptuar menjëherë, karakterin tënd. 


*
Çdo moshe të njeriut, mund  t'i vihet në korrespondencë një filozofi e caktuar.
Fëmija paraqitet realist. Ai është aq i bindur për ekzistencën e dardhës dhe të mollës sa edhe për ekzistencën e vet.
I riu, i përfshirë siç është në furtunat e veta të brëndëshme është i detyruar që ta kthejë vëmendjen, të rrëmojë dhe të kërkojë brenda vetes, pra të bëhet idealist.
Një burrë i pjekur, ka një sërë arsyesh që të jetë skeptik. Ai dyshon sipas mënyrës së vet, nëse janë të sakta mjetet që ai ka zgjedhur për të kryer një veprim. Gjithashtu përpara se të veprojë dhe në çastin që vepron, e ka të nevojshme që të jetë vigjilent, me qëllim që në të ardhmen, mos pendohet hidhshëm për zgjedhje të gabuar.
I moshuari, ndërkaq është mistik. Mjaft gjëra i shikon të varen prej fatit, një diçka që s'ka logjikë të ecë dhe, logjiken të pengohet e të shkojë shtrembër, fati dhe pafatësia pra, të ndërrojnë vënd papritur dhe papandehur.

Zgjodhi dhe perkth: I.V.B.

 

pitoset

Pitose, quheshin në kohë të lashta, hambaret ose enët ku ruheshin apo konservoheshin produktet e ndryshme bujqësore, kryesisht drithrat, si gruri, elbi, meli, thekri, etj, por edhe farërat e bimëve të tjera bujqësore si, thjerrëzat, qiqrat, etj. Në këto enë ruheshin madje edhe uji,  vera, vaji apo edhe produkte të tjera ushqimore, të përgatitura ose gjysmë të përgatitura, që dilte në atë kohë, e nevojshme për t’i mbajtur gjatë.
Pitoset ishin enë të mëdha qeramike, pra prej balte të pjekur. Kishin volum të përmasave të ndryshme, me trajtë vezore ose gati sferike. Nga sipër pitoset kishin grykën, ndërsa poshtë kishin fundin, i cili mund të ish në formë konike si majë duke shërbyer kështu më mirë për tu ngulur dhe futur brenda në tokë ose më thjesht, për tu groposur aty.
Disa pitose nuk groposeshin në tokë ndaj dhe fundin e kishin në formë trung koni. Këta mbaheshin nëpër banesat, në pjesët më të freskëta dhe më të thella të tyre.
Sot rudimente të pitoseve janë qypet që kemi patur të gjithë, nëpër shtëpitë tona. Qypet janë një lloj pitosi që nuk groposet.
Pitoset, pra ishin hambaret e lashtësisë. Në to produktet e ndryshme ruheshin relativisht të freskëta, dhe kjo, falë aftësisë që ka toka ku groposeshin pitoset, për të ndryshuar pak temperaturën e vet.
Pitoset prej qeramike kishin madhësi dhe përmasa të ndryshme. Disa prej tyre arrinin deri në 1.5m diametër, me grykë rreth 80cm, ndërsa lartësi deri 2m, apo edhe më shumë.
Pitosit si hambarë filluan të përdoren shumë herët por një përdorim të gjërë ata morën veçanërisht, në gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të parë, para Kr.
Prodhimi i pitoseve prej poçarëve ishte një “industri” e tërë në atë kohë, madje edhe një “fushë-beteje” për elementet e ndryshme të artit, pra për talentin e artistëve poçarë. Janë gjetur pitose ku në to, pasqyrohen lloj-lloj zbukurimesh, që janë vepra të vërteta arti, apo ku pasqyrohen skena të vlefshme të ngjarjeve të ndryshme historike. Zakonisht poçarët që prodhonin pitoset, linin tek këto vulën e vet.
Pitoset hambarë, janë gjetur me shumicë në zonën e Korçës, në Pogradec dhe deri në Skrapar dhe mendohet se i përkasin kohës së fisit të Dasaretëve. (S. Anamali, “Arkeologjia dhe Bujqësia”, fq.21, 1980)
Tek disa gryka pitosesh të gjetura në Pogradec, lexohen emrat Gent dhe Epikad, ndërsa në një pitos të gjetur në fshatin Tren në qarkun e Korçës, lexohet emri Plator. (Po aty fq. 20)
Në anët tona, është me interes të themi se po në fshatin Tren është gjetur një pitos, në grykën e të cilit është gdhëndur një parmëndë për të lëruar tokën prej druri e pajisur me plor hekur dhe që sipas specialistëve, kjo është dëshmia e parë grafike e figurës së një parmënde, e gjetur ndonjëherë në vëndin tonë. (Po aty fq. 20)
Një element pra me rëndësi ky për historinë e bujqësisë në anët tona.
Së fundi, theksojmë se në kohë të lashta, ekzistonin disa lloje pitosesh që gdhëndeshin në tokë, pra të përhershëm. Këta gëdhëndeshin në formë gropash të thella, në trajtën e qypit të madh, në shkëmbinj shtufi apo, shiste të ndryshme ranore dhe mbuloheshin pastaj me një kapak. Të tillë pitose në anët tona janë gjetur në Laktesh, të Pogradecit. (Po aty fq. 20).
 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE2/6 - Një listë me lloje emra grash e vajzash, që gjendeshin në Varoshi i Korçës në vitet 1700

Agni (shek. 18-të)Altana (1710)Avllona (1769)Bonda (1784)Bozha (shek. 18-të)Dhespo (1769)Flora (shek. 18-të)Irina (shek. 18-të)Jana (shek. 18-të)Kalia (1769)Kaliani (shek. 18-të)Kalica (1783)Katina (1769) [Katerina]Koçka (1725) [Kostandina ?]Kondo (shek.18-të)[Kostandina]Krisa (1769)Krisomalina (shek. 18-të)Leno (1784) [Elena]Lona (1725)...

» BK/N - Bujqësia - Teknologjia ushqimore: Një monografi për bimën e elbit

Korça është për Shqipërinë, atdheu i birrës dhe birra prodhohet prej elbit. Për rrjedhojë, zona e Korçës është edhe zona e elbit distik dhe ka, si traditën më të vjetër për këtë bimë, ashtu edhe njohuritë shkencore më të thella për të. Gjithmonë në zonën tonë, historikisht është mbjellë edhe sipërfaqja më e...

» KE7/14 - Mbi çmimin mesatar të dynymit në groshë, shek 19-të

 Fusha e Korçës, në gjysmën e parë të shek. 19-të (pra për periudhën: 1800 -1850).Vlera e tokës arë, është shumë e ndryshme dhe ajo varet nga një sërë parametrash si: periudha historike kur toka del në tregun e shitjes, gjëndja ekonomike e shoqërisë që e shet dhe e ble, niveli ekonomik i zonës ku ajo ndodhet, pozicioni...

» BK/LA - Muzika - Histori - Eno Koço, Kënga karakteristike korçare

Kënga karakteristike korçare.Ky libër me 72 faqe + dokumenta, shënime muzikore, partitura, tekste, afishe koncertesh, çfaqjesh etj. flet për: Muzikën në Korçë gjatë shekujve të 19-të, dhe të 20-të,Thoma Nassin (1892 - 1964) dhe bandën Vatra,Këngën karakteristike korçare,Këngët e Th. Nassit dhe kënga karakteristike korçare,...

» KE2/34 - Nxjerrja e rakisë

Dikur (vitet ’30) kryhej me leje nga shteti. Administrata e financës së asaj kohe, bazuar mbi ligjet për pijet alkolike lëshonte edhe lejet për nxjerrjen e rakisë, duke evidentuar në të njëjtën kohë edhe zotëruesit e kazanëve të rakisë.

Share