MZ - Aforizma: Nga filozofia romake

 

Lënia për një çast pezull dhe mosmarrja e vendimit, për një çështje të dhënë, është e lodhëshme dhe shqetësuese por kjo gjë, është njëkohësisht edhe burim dhe mundësi, për të vepruar me mënçuri.

*
Padrejtësinë e urrejnë edhe vetë të padrejtët.

*
Akoma edhe një qime, edhe ajo ka hijen e vet.

*
Ai që mbrohet edhe atëhere kur është i mbrojtur, nuk rrezikohet lehtë.

*
Lënia e një emri të mirë, është edhe ajo një pasuri më vete, që u lihet trashëgimtarëve.

*
Përbuzja më e madhe për dikë, është ta quash mosmirënjohës apo, bukëshkelur.

*
Një tru i fortë, nuk nguron të marrë vendime.

*
Është e trishtueshme, të ta kthejnë me të keqe, atë ç'ka ti ua dhurove me kënaqësi.

*
Dështimi që na le mbresa më tepër, është dështimi i parë.

*
Gjatë një gjyqi, gjykatësi gjykon si proçesin ashtu edhe veten e vet.

*
Pasi kanë zgjedhur rrugën mirë, akoma edhe të verbërit, ecin të sigurtë. 

*
Gënjeshtra që thuhet për një qëllim të mirë, është dhe ajo një veprim i drejtë.

*
Fundi i një të varfëri është atëhere kur ai, imiton të pasurin.
 
*
Kur ngul këmbë tek padrejtësitë, krijon padrejtësi të tjera.

 

Nxjerrë prej: Sententiae, Publili Syri, shek 1-rë, para Kr.

Almanak_italian_i_vitit_1922 Shitësi: Ajde revista, almanakë të rinj, kalendarë, ju nevojiten zotërinj, blini almanakë!
Kalimtari: Ke kalendarë për Vitin e Ri?
Sh. Sigurisht zotni.
K. Besoni se do të jetë i mbarë, ky Vit i Ri?
Sh. Oh, i nderuar zotni, po, me siguri.
K. Si ky vit që shkoi?
Sh. Më tepër, shumë më i mbarë.
K. Si një vit më parë?
Sh. Më tepër, më tepër, do të jetë më i lumtur.
K. Si parvjet? S'do t'iu pëlqente juve që ky vit i ri të ishte si një nga këta vitet e fundit?
Sh. Jo zotni, nuk do të më pëlqente.
K. Sa vite kenë kaluar që atëhere kur ju filluat të shisni kalendarë.
Sh. Duhet të bëhen nja njëzet vjet, zotni i nderuar.
K. Cilit vit prej këtyre njëzet vjetëve, do të dëshironit t'i ngjiste ky vit i ri?
Sh. Si t'iu them? Nuk e di.
K. Nuk iu kujtohet ndonjë vit si më i veçantë, që të kesh qënë si më i lumtur?
Sh. Si t'iu them? Ç'është e vërteta jo, zotni i nderuar.
K. E megjithatë, jeta është një gjë e bukur, apo jo?
Sh. Kjo dihet.
K. A do të deshit t'i rijetonit edhe një herë këto njëzet vjet ose më mirë gjithë kohën e shkuar që nga ky çast e deri në momentin kur u lindët?
Sh. Eh zotëri, këto janë punëra të perëndisë.
K. Më thuaj, a do të deshe të rijetoje edhe një herë, jetën që ke bërë deri tani pra këtë jetë, as më tepër as më pak, me gjithë të mirat dhe të këqiat që ke kaluar?
Sh. Jo, këtë nuk do ta desha.
K. Pa më thuaj, ç'farë jete tjetër do të deshe të bëje? Jetën që kam bërë unë, jetën që ka bërë një princ, apo të ndonjë tjetri? A e beson se, këdo që të pyesje si mua, si princin, si atë tjetrin, do të përgjigjej njësoj, si u përgjigje ti? Pra a e beson se asnjë nuk dëshiron të ribëjë të njëjtën jetë që ka bërë, pra a e beson se asnjë nuk ka dëshirë të kthehet mbrapa e të jetojë të njëjtat gjëra?
Sh. Po këtë e besoj.
K. Po mirë çfarë jete do të dëshëroje ti?
Sh. Do të desha një jetë të tillë si të ma jepte perëndia pa asnjë ndryshim.
K. Pra nj
ë jetë krejt të rastit që të mos dish asgjë paraprakisht, si nuk dimë gjë për vitin e ri.
Sh. Po, pikërisht një të tillë.
K. Edhe unë kështu do të desha po qe se do të duhej të rijetoja, bile të gjithë këtë do të deshin. Por kjo nga ana tjetër është një shenjë që tregon se rastësia deri tani të gjithëve, na ka trajtuar keq. Duket qartë se secili ka përshtypjen se më tepër është trajtuar keq prej rastësisë, sesa mirë.
Megjithatë duket qartë se po qe se jeta njihet paraprakisht e dihet se ç'të mira e ç'të këqia, do të na sjellë, përsëri asnjëri nuk do të dëshironte, të jetonte një jetë të tillë. Pra jeta që është e bukur nuk është ajo që dihet që më parë por ajo që nuk njihet, jo jeta e shkuar por ajo e ardhme. Me vitin e ri që vjen rastësia do të fillojë të na trajtojë mirë të gjithëve, mua, ty e do të fillojë një jetë e lumtur. Apo nuk është kështu?
Sh. Le të shpresojmë.
K. Ajde, më jep kalendarin më të bukur që ke.
Sh. Urdhëro zotni, ky këtu, koston tridhjet solde.
K. Urdhëro tridhjet solde.
Sh. Faleminderit i nderuar zotni, mirupafshim.....
Ajde almanakë, kalendarë të rinj......

Shqipëroi nga italishtja:
Ilia V. Ballauri
1995

Kjo pjesë e shkruar në Firence më 1832, e nxjerrë prej veprës më të njohur të G. Leopardit, Operette morali, konsiderohet si kondesim i mendimit të tij për jetën, gjë që e jep edhe tek vepra, Zibaldone, (Pensieri), citojmë:
... gjatë jetës qe kemi jetuar dhe që e njohim mirë, të gjithë kemi provuar më tepër të këqia sesa të mira dhe kur dëshirojmë dhe kërkojmë të jetojmë akoma, ajo që na shtyn, nuk është veç se mosnjohja e të ardhmes, apo iluzioni i shpresës, pa të cilin iluzion dha pa të cilën mosnjohje, nuk do të deshim të jetonim, ashtu si dhe nuk do të deshim të jetonim ashtu si kemi jetuar. ... 


 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» MZ - Aforizmë: Meneandri

Në një kompleks koral të një pjese teatrale, nuk këndojnë që të gjithë, por dy a tre. Të tjerët, të përzierë atje, qëndrojnë të ngulur në kor vetëm për numër.Në jetë pra, rrojnë vetëm të gjallët e vërtetë. Meneandri, sipas Stobeut, tek Antologjia, 121, 11Shek. IV para Kr.

» MZ - Filozofia e lashtë kineze: Për të varfërit edhe era bën dallim vepron e sillet e pamëshirshme.

 Dikur në Korçë kam dëgjuar një të vërtetë, sesi shumë kohë më parë, një i varfër, i pa ngrënë, tek endej rrugëve, veç të tjerash edhe prej erës së marrë i rrahur dhe i munduar, të ketë thënë:“Fry moj erë fry! Shpirtin e një fukaraj do të marrësh!”Thuhet gjithashtu se në anën tjetër të qytetit tonë, një i...

» MZ - Aforizmë: P.L. de Ayala

Asy como la sombra nuestra vida se va,que nunca mas torna nyn de nos tornara.Dhe kështu si dhe hijeja, shkon jeta jonë,për të mos u kthyer më kurrë, as ajo as ne.Pero Lopez de Ayala

» MZ - Letrat - Psikologji - G. Leopardi dhe shoqeria e konsumit të shkrimv. dhe botimv. para 200 vj.

... Vazhdimisht është vënë në dukje se, sa më tepër në një vend dobësohen virtytet, pra dhe e vërteta, aq më tepër aty, zhvillohen cilësitë sipërfaqësore. Duket se e njëjta gjë ndodh edhe me letrat (pra me shkrimet), mbasi shohim se edhe në epokën tonë, sa më tepër ka tendencë të zhduket jo vetëm forca por dhe të...

» MZ - Psikologji: Dialog midis një varri dhe një kalimtari.

[i vdekuri i varrit] Emri im dikur ishte … ,[kalimtari] Ç’më duhet mua?![v] Vëndi im ishte … ,[k] Ç’rëndësi ka … ,[v] U linda … ,[k] Edhe sikur kjo të mos dihet, është e njëjta gjë.[v] Meritat e mia, shërbimet e mia, flasin vetë … ,[k] Po veset?[v] Fle tashmë un’ i shtrirë në dhè.[k] Eh, ç’flet? Kujt ia thua...

Share