MZ - Aforizmë:

Dëgjoni ç’ka dëftejnë të moshuarit, kushtojini vëmëndje asaj ç’ka ju rrethon, nuk kemi shumë kohë. Në jetë ndodh që dhe këto t’i humbasim brenda një nate. Informacioni kështu humbën, … Dëgjoni ç’ka ju dëften një fqinj i moshuar, apo të afërmit të cilëve ju ka kaluar mosha,  … Ç’dimë ne për kohërat e shkuara, për të kaluarën, në qoftë se nuk dëgjojmë ata që jetuan në ato kohëra? Dhe si mund të përballojmë të ardhmen, kur nuk njohim të shkuarën?

Barbara Sizemore (1927 – 2004),
afro-ameikane, e cilësuar si “brillant educator”.


Mali_i_Thate Mali i Thatë, quhet kështu mbasi me të vërtetë është i thatë. Prej tij nuk rrjedhin burime uji ose këto janë shumë të pakta dhe gjithashtu, nga ky masiv malor, nuk buron asnjë lumë a prrua që të ketë ujë, gjatë gjithë vitit. Mali i Thatë shtrihet në veri të Fushës së Korçës, një pjesë e tij vazhdon edhe matanë kufirit ku quhet Galicicë. Mali i Thatë ndan liqenin e Prespës së Madhe (në lindje të vet), nga ai i Ohrit (në perëndim). Për nga ana gjeologjike Mali i Thatë përbëhet kryesisht prej formacione gëlqerorësh të periudhës së mesozoikut.
Konfiguracioni i Malit të Thatë është tepër interesant. Nga ana e Fushës së Korçës (pra nga jugperëndimi), por edhe nga ajo e Liqenit të Pogradecit (pra nga perëndimi) ai është shumë i pjerët dhe impozant, ndërsa nga veriu dhe lindja ai ka zbritje të buta, me pllaja – pllaja.  Lartësia e tij lëviz nga 900m deri në 2287m, me një mesatare mbizotëruese në 1400m. Maja e tij nuk është e mprehtë por përkundrazi, ajo është e rrafshtë, e sheshtë dhe me gropa karstike. Të tilla gropa janë të pranishme gjithashtu edhe në anën perëndimore të tij. Maja më e lartë e tij është Pllaja e Pusit (pra maja e tij është, majë pusi!) e cila është 2287m mbi nivelin e detit. Ky mal ka një shtrirje rreth 25 km nga veriu në jugë dhe është i gjërë rreth 8km në pjesën qëndrore të vet. Mali i Thatë duket shumë bukur, si prej Korçe ashtu dhe prej Pogradeci.
Ai përmëndet thuajse në një sërë përshkrimesh historike të bëra në shekuj, prej udhëtarësh, kronikanësh apo studiuesish të ndryshëm, kur këta i referohen anëve tona. Përmëndet indirekt apo direkt, në shkrimet e lashta, në ato bizantine, në ato osmane, e deri tek shkrimet e udhëtarëve të huaj të cilët kaluan këtej, në këto shekujt e fundit.
Flora është e pasur, në pjesën jo të pjerët të malit, pra në atë lindore e veriore, dhe në mbulesën e gjelbërt të këtij mali gjenden, luadhe (ku ka edhe salep e krokus), drurë ahu, dushk si dhe shkurre të ndryshme. Kohët  e fundit ndaj pyjeve që veshin Malin e Thatë, janë bërë mjaft dëmtime ekologjike, nëpërmjet prerjeve jo të rregullta të drurëve pyjorë dhe të shfrytëzimit të gurit gëlqeror duke e ç’veshur edhe më tepër, këtë mal të thatë. Lidhur me faunën përmëndet se, përveç shpendëve të ndyshme, aty ka mjaft ujqër si dhe rrallë herë takohet edhe ariu. Ndërkaq në Goricë, që është një fshat në këmbën veriore të këtij mali, gjenden baokside hekuri dhe minerale kalçiumi dhe magnezi.
Mali i thatë ndahet prej Malit Ivan (1768m mbi nivelin e detit) prej një qafe, Qafës së Zvezdës, e cila ndan njëkohësisht edhe fushën e Korçës nga pellgu i Liqenit të Prespës. Kjo qafë ndodhet në lartësinë 1099m, mbi nivelin e detit.

Thuajse në këmbë të Malit të Thatë, ndodhet edhe grykëklaimi i Cangonjit që lidh fushën e Korçës, me atë të Devollit. Në rrëzë të tij ndodhen gjithashtu një sërë fshatrash si, Tushemisht, Alarup, Bletas, Podgorie, Korritë, Gurbardhë, Zvezdë, Shën Gjergj, Burimas, etj.
Nga maja e Malit të Thatë në kohë të kthjellët duket maja e malit të Gramozit, që është në një distancë në vijë të drejtë prej 65 km larg (foto). 
 Së fundi, le të dëgjojmë edhe këto vargje liriko-erotike, të Lasgush Poradecit, të frymëzuara prej motiveve popullore të zonës, që i këndojnë aq bukur, dashurisë së anëve tona, aty rrëzë Malit tonë të Thatë.

 
Baladë 
         
 I 
Fryn veriu në Mal të Thatë,      
Thotë vasha lele ngriva.

Duro vashë, të durojmë
Si duron mali dëborën.

Në të shtënça, moj, në dorë,
Do të ngroh si top dëborë.
             
II
Fryn një erë e shkundërmuar,
Thotë vasha çeli molla.

Çeli vashë, le të çelë,
Si çel malli mu në zemër.

Në ma dhënç, moj beln'e hollë,
Do ta thyej si mënjollë,
Do të shtrydh posi një mollë.
        
III
Vjen e bën një vap'e rëndë,
Thotë vasha bubu plasa.
Duro vashë, të durojmë,
Si duron kallir' і pjekur.

Në më ardhç,o moj, në hije,
Do t'і puth për dhemshurie,
Do t'і skuq t'і ndez qirie,
Do t'і nxi t'і bëj mavie,
Ato buzë gjak-qershie.

IV
Zun' e shkojnë dallëndyshet,
Thotë vasha po venitem.

Venitu, vashë, venitu,
Siç venitet zemra ime.

Në të marça moj, përherë,
Do të shtroj të parën herë,
Do të ngroh të dytën herë
Do të puth të tretën herë
Buzë e gushë e gjinë e mjerë
Dh'atë shtatin që mban erë
Posi luleja në verë
Gjersa gjumi të më zerë,
Të më zerë e të më flerë
Syr' і urtë si mëshqerrë.

V
Vate dimri, vate vera,
Vate vjeshta përngahera.

Trim, më more-edhe më shtrove,
Trim, më ngrove-e më pushtove,
Trim, më puthe-e më mbarove,
Trim, o trim, seç trimërove.

VI
Atje lart në Mal' të Thatë,
Zoti – Krisht bëke një kishë.

N’atë kishë ç’paske brënda:
Qënka trimi edhe vasha:

Trimi, ç’paske dhëndëruar,
Vasha ç’paske nusëruar,
Zotin ç’paskan lavdëruar,
Jetën ç’paskan trashëguar,
Shpirtin ç’paskan shënjtëruar.

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE7/23 - Hitoria e letrave shqipe - Ambrosio Pamperi

(Studim mbi jetën dhe veprën e tij.Përgatiti: Ilia V. Ballauri)Ambrosio Pamperi si dhe Dhimitër Prokopi Pamperi, janë dy eruditë të ndritur prej Voskopoje të shek. 18-të, që rrjedhin me sa duket prej të njëjtit fis.Duke ju referuar punimit, Moschopolis, Athinë 1975 fq. 67, të Th. Gjeorgjiadhit lexojmë: Në Voskopojë ekziston akoma...

» KE8/14 - Rrapet e Shën Mërisë në Korçë.

 Korça nuk është zonë e pasur me rrape, përkundrazi ka qënë e pasur me plepa. Plepa kish në ish sallahana e dikurshme, plepa kish në kishën e dikurshme “Burimi jetëdhënës" (Mitropolia), para vitit, 1927 -28, d.m.th. përpara se të fillonin ndërtimet për Mitropolinë e re, ku sot është Muzeu i artit mesjetar, plepa kish tek...

» Histori - Të gjitha zhduken... në humnerën e harresës

 Marcus Aurelius“ … Dije se edhe një sërë fjalësh që dikur ishin tepër të përdorura, që njerëzit i flisnin përditë, sot shohim që janë vjetëruar dhe përdoren gjithmonë e më pak, madje do të vijë një kohë dhe ato do të zhdukem. E njëjta gjë ndodh edhe me emrat e njërëzve të dëgjuar që ishin dikur, emrat e burrave...

» BK/LA - Arkiloku: Poezi.

 Shqipëroi: Ilia V. BallauriArkiloku, ishte nga ishulli і Parios-it që ndodhet në Cikladet dhe ndonëse nuk dihet e qartë sesa vjet jetoi, mendohet se ai ka jetuar në atë periudhë kur, në Azinë e Vogël në shek. VII-të para Kr., nën sundimin e mbretit të famshëm Giga lulëzonte mbretëria e lashtë e Lidisë. Për këtë periudhë...

» KE1/31 - Bliri

Bliri (Latn. Tilia cordata L.) është drupyjori karakteristik i bulevardeve të Korçës, të cilat janë zbukuruar me këtë specie, aty nga vitet ’60. Para këtyre viteve bulevardet kishin në të dy anët në shumicën e rasteve akacie, ose si quhen në gjuhën e popullit, ‘rogovecka’.   Bliri i bulevardeve të Korçës në vartësi të...

Share