MZ - Aforizma: Nga filozofia amerikane.




“…Nuk mund t’i jepni forcë të dobtit, duke dobësuar të fortin.

*
Nuk mund të ndihmoni punonjësin, duke shkatërruar punëdhënësin.

*
Nuk mund të përkrahni vëllazërimin mes njerëzve, duke inkurajuar luftën e klasave.

*
Nuk mund të ndihmoni të varfërin, duke shkatërruar të pasurin.

*
Nuk mund të përforconi karakterin dhe kurajon e njeriut duke dekurajuar inisiativën dhe pavarësinë e tij.

*
Nuk mund të ndihmoni dot njerëzit, duke bërë për ta, ato që ata mund dhe duhet, t’i bëjnë vetë…”

Një deklaratë e presidentit amerikan
Abraham Linkoln në
Kongresin Amerikan më 1860




Homeri mbi teorinë e marrjes së vendimeve, ose mbi zgjedhjen që duhet bërë ndërmjet dy të këqiave:
Skillës dhe Haribdit.

Gjithmonë ka qënë i vështirë për tu marrë vendimi se ç’duhet zgjedhur  ndërmjet dy të këqiave, prej të cilave, njëra e keqe ka një dëm relativisht të madh por të njohur (Skilla) ndërsa tjetra (Haribdi), është një e keqe e pa njohur dhe zgjedhja e saj ose mund të të çojë tek një fitore pa humbur asgjë, ose në një katastrofë të plotë.
Në një dilemë të tillë u ndodh dikur edhe Odisea dhe … sipas Homerit duhet zgjedhur Skilla. Le ta dëgjojmë. Homeri – Odisea Rapsd 12.  (vargj. origj. 201 – 259)


…rruga,

ka dy shkëmbinj që dalin prej detit, të mprehtë.

Skilla
Njëri shkëmb me majën e vet arrin,
deri në qiellin e gjërë rreth së cilës,
ka një re blu në të zezë,
që asnjëherë nuk shkrihet, nuk largohet
dhe qielli atje,
as në verë dhe as në vjeshtë, nuk kthjellohet.
Gjithashtu në atë shkëmb,
nuk ka mundësi kurrë që të ngjitet a të zbresë njeri,
sikur edhe njëzet duar dhe njëzet këmbë të kish,
sepse duhet të dish,
që ai është i mprehtë, i mprehtë dhe i lëmuar,
si i lëpirë krejt
në të gjitha anët, rreth e rreth.
Në mes të këtij shkëmbi,
ka një zgavër-shpellë të errët, me nxirësirë pùsi,
që hapet,
shikon për nga veriperëndimi pra Erebùsi.
O, Odise i lavdishëm!
Në anë të këtij shkëmbi të rrezikshëm,
të duhet të drejtosh anijen.
Shpella tek shkëmbi është aq lart,
sa nga anija barkthellë,
sikur edhe harkëtari më i fortë të gjuante me hark,
shigjeta nuk mund të arrinte dot, e të futej aty.
Brenda në të,
jeton Skilla e tmerrshme që len, ulërin, s’pushon.
Zëri i saj është therës,
si i këlyshit që bushtra me sisët e veta mëkon.
Por pa dyshim
që ajo është një përbindësh i tmerrshëm
një qënie e shëmtuar,
si për njeriun, ashtu dhe për perënditë e amshuara.
Skilla ka dymbëdhjetë këmbë që nuk i duken,
si dhe gjashtë qafa të gjata që i sjell rrotull, i lëkundën.
Në çdo qafë, ka një kokë të tmerrshme
dhe tek goja, në anën e përbrëndshme,
ka tre rreshta, me dhëmbë të shumtë pra të dendur,
me vdekjen e zezë, të mbushur.
Trupi i saj, është i futur deri në mes në zgavra-shpellë
dhe jashtë mbi të tmerrshmen humnerë,
përbindëshi i frikshëm, kokat e veta nxjerr.
Prej andej,
duke kërkuar gjith’ egërsi rreth shkëmbit rrëmben,
peshq, delfinë, peshq-qenër a kafshë të mëdhaja ç’gjen,
qënie uji pra që Amfitriti, e cila me valët buçet,
i dërgon me shumicë, të kullotin në të madhin det.
Asnjë lundërtar,
nuk mburret se me anijen e vet, Skillës i shpëtoj,
sepse kjo me kokat e saja,
rrëmben këdo prej anijes me të purpurt plor.

Haribdi
Tjetri shkëmb që del prej detit Odise, do shohësh,
se është më i ulët, më i vogël
dhe ky, është afër me të parin.
Ai është aq i lartë, sa mund ta kapësh me shigjetë.
Në mes të tij, ka një fik të egër me të tilla fletë,
të cilat janë jashtëzakonisht jeshile.
Poshtë këtij fiku të egër, qëndron Haribdi e tmerrshme,
që thith e përpin brenda, ujërat e errëta,
me forca të pashtershme.
Tre herë në ditë, ujën e nxjerr, e vjell, e hedh përpjetë
dhe tre herë të tjera,
e fut, e thëthin atë, në një mënyrë shumë të shpejtë.
Të lutesh që mos të të ndodhë, të gjendesh aty pranë,
në çastin kur Haribdi, të thithë ujët me forcë të paparë,
mbasi nuk mundet që prej së keqes të të shpëtojë,
as Poseidoni që dheun tund e shkund,
sa herë që të dojë.

Prandaj, të afrohesh pranë shkëmbit të Skillës
dhe anijes t’i jepni fort,
mbasi është më mirë,
që të humbasësh gjashtë shokë, sesa të gjithë tok.”



Shqipëroi:  Ilia V. Ballauri ©


 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» BK/LA - Poezi prej autorëvë të lashtë, Getulikos dhe Arkias

Zgjodhi dhe Shqipëroi: Ilia V. BallauriGetulikos, është një poet krejt і pa njohur dhe plot pika të errëta. Mund të ketë jetuar në shek. I-rë pas lindjes së Kr. pra në kapërxim të mijëvjeçarëve. Prej studiuesve mendohet se ai mund të jetë latini, Gaio Kornelius Lentulio Getulikos, që u ekzekutua më 39 pas lindjes së Kr. si...

» BK/LA - Skicë - Unter dem Linden (Nën bliret)

Skica e mëposhtme i dedikohet S.T.I. dhe neteve me aromë bliri të Korçës, në qershor, sidomos atyre, të shumë e shumë viteve më parë.Sytë plot rrudha të plakës që shkëlqenin prej ngazëllimit u mbushën me lot teksa këndonte me zë të ulët, këngën e njohur gjermane “Unter dem Linden” me muzikë të Shubertit. Me shaminë e...

» BK/LA- Poezi, Anakreonti: Pela thrakiote.

Shqipëroi: Ilia V. BallauriOh! moj pelë, moj thrakiote, E di un’, se ç’do qafa jote!Përse, shtrëmbër më vështron?Pse me shqelma, më largon?Mos kujto, se un’nuk mundem,Hipur, mbi ty të tundem,Di kapistrat, të t’i shkoj,Të të zbut, të të kaploj.

» HISTORIA E MUZIKËS SË KORÇËS 1800 - 1940 (for sale)

"HISTORIA E MUZIKËS SË KORÇËS 1800 - 1940" (Autor: Vasil A. Ballauri)Përpunoi dhe përgatiti: Ilia V. BallauriBotuar dy herë: 2003 dhe 2013, disponohen akoma pak kopje, çmimi 5 euro.Cituar në punimet e tyre prej: E. Koço, Xh. Jorganxhi, V. Ziko, etj.Gjendet i depozituar edhe në bibliotekat: Korçë dhe Tiranë.Mund ta kërkoni tek e.mail...

» MZ - Poezia: Si u krijua gruaja!

 Në mitologjinë indiane, Tvastri, ose siç quhet ndryshe, Visvakarma, është artizani  dhe arkitekti i perëndive, njësoj si dhe Hefesti apo Vullkani, për të dymbëdhjetë perënditë e Olimpit. Ambientet hyjnore të perëndive indiane ishin krijuar prej tij, dhe njëkohësisht perënditë e luftës, farkëtimin e armëve të veçanta...

Share