MZ - Aforizmë: Nektar Tërpo - Voskopojari

Vjedhës është edhe ai, që gjykon pa të drejtë, falë dhuratave që merr.

fuga Fuga ishte një lodër e fëmijëve, që u zhduk aty rreth viteve ’70. Ka mundësi që emri fugë vjen prej latinishtes, që do të thotë ikën, lëviz, [me rrotullim]. Ajo ishte një objekt prej druri në formë konike, që në majë të konit, i ngulej një majë perone dhe që vihej në rrotullim prej një kordhoni. 
Në vartësi të konicitetit, fugat kishin edhe emërtimet. Kështu, për një raport të vogël ndërmjet lartësisë dhe bazës së konit, pra për një kon me bazë të hapur, fuga quhej tip, “tavë”, e kundërta quhej “ulliçkë”, etj.  
Cilësia e fugës varej: nga tornimi, nga lloji i drurit, nga tipi i mësipërm i fugës, nga saktësia centrike e majës, etj. Rrotullimi i fugës varej gjithashtu, nga aftësia e fëmijës për t’i ‘rënë fugës’, nga lloji i kordhonit, nga terreni ku binte e rrotullohej fuga, etj.
Mbi të gjitha cilësia e fugës varej nga qëndërzimi i majës. Kur ky bëhej i saktë, fuga rrotullohej aq qetë sa ‘flinte’, ndërsa kur qëndërzimi nuk goditej si duhej, fuga ‘hidhej’ ose ishte 'tartareckë'. Maja vendosej me kujdes duke ngulur një peronë të cilës i pritej koka me pencë dhe pastaj ‘haej’ në plloçë për rrumbullakim. Heqja e majës zakonisht bëhej në dorezat trokitse të portave, të cilat shërbenin si morsë.

Duke qënë se rrotullimi bëhej rreth majës së fugës dhe baza qëndronte sipër, një kënaqsi të veçantë për fëmijën e jepte ngjyrosja e bazës me ngjyra të ndryshme të cilat gjatë rrotullimit jepnin kombinacione rrethore fantastike. Shpesh një fugë e tillë e ngjyrosur bukur bëhej një ëndërr fëmijnore.
Loja me fugë mund të bëhej individuale, ose kolektive. Loja individuale e sillte kënaqësinë tek fëmija kur ky lozte me të duke e vënë në rrotullim dhe duke e ‘marrë në dorë’. Ky veprim i fundit, ishte një mjeshtëri e veçantë. Kur fuga rrotullohej, futej nën të dora dhe me një nga gishtat e mezit goditej pak dhe me kujdes, në rrotullim e sipër, hidhej në pëllëmbën e dorës, ku ajo vazhdonte akoma rrotullimin e vet. Fuga duhej të ‘mbante’ pra të rrotullohej sa më gjatë që të ishte e mundur.
Loja kolektive, kryesisht kryhej për atë që mund ta quajmë, ‘ndëshkimi i fugës’. Fuga e ndëshkuar, pra fuga e njërit prej fëmijëve, vihej në tokë dhe goditej prej fugave të fëmijëve të tjerë me qëllim dëmtimin e saj prej majave madje edhe për çarjen e saj.
Në vitet ’60 një fugë blihej tek marangozët, rreth 10 ose 15 lek, ose mund të fitohej duke i dhënë këtij të fundit, një dru zjarri.

 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE8/17 - Të dhëna mbi kulturën qytetare lidhur me higjenën e banimit, v. 1924 Korçë.

 Rreth 90 vjet më parë, në qytetin tonë shohim se rekomandoheshin elementë mjaft interesantë të higjenës qytetare, si dhe kërkesa me vlerë, sidomos lidhur me mënyrën e jetesës dhe ambjentet e banimit. Më poshtë jepet një copëzë e tillë e botuar në kalendarin e vitit 1924.(Shënim: Me qënë se në tekstin origjinal gjuha...

» KE1/34 - Kolovajzet

Nuk mund të përcaktohet dot etimologjia e kësaj fjale. Ndoshta rrjedh nga fjala kolovit, që presupozon të lëvizurit, pa mundim që bën njeriu, fjalë kjo që përdoret shumë në zonën tonë si p.sh., kolovit me makinë, e kolovita në kurriz, etj. Mundet pra që fjala kolovajze që presupozon të rrëshqiturit pa mundim në akull, të...

» KE9/10 - Loja me bizë

 Biza ose fëndyelli është një mjet, a vegël, e përdorur kryesisht prej këpucarëve për hapjen e vrimave në lëkurë, në shollë ose në gomë, për qepjen pra, të këpucëve.Etimologjinë e fjalës bizë, nuk e dimë. Në disa vënde të Ballkanit biza quhej ndryshe.Dikur, me bizë luanin fëmijët, madje vetëm djemtë, bile edhe...

» KE3/33 - Mbi ashikët

Ashikët, janë një lloj koske që nxirren prej kafshësh si, dhënj, dhi, gjedh, etj, kur këto theren. Ashiku pra kjo koskë, në anatomi quhet sipas grq. vjt. astragal ose sipas latn. talus, dhe ndodhet në tarsusin e këmbës. Me të, tek ne, dikur loznin fëmijët, një sërë lojërash të ndryshme. Ashikët si lojë në Korçë janë...

Share