MZ - Aforizmë:

Dëgjoni ç’ka dëftejnë të moshuarit, kushtojini vëmëndje asaj ç’ka ju rrethon, nuk kemi shumë kohë. Në jetë ndodh që dhe këto t’i humbasim brenda një nate. Informacioni kështu humbën, … Dëgjoni ç’ka ju dëften një fqinj i moshuar, apo të afërmit të cilëve ju ka kaluar mosha,  … Ç’dimë ne për kohërat e shkuara, për të kaluarën, në qoftë se nuk dëgjojmë ata që jetuan në ato kohëra? Dhe si mund të përballojmë të ardhmen, kur nuk njohim të shkuarën?

Barbara Sizemore (1927 – 2004),
afro-ameikane, e cilësuar si “brillant educator”.

 


“Pazari i plaçkave”

Skicë.

Ka qënë dikur, në vitet ’40, ’50, dhe ’60, një pazar tepër i veçantë në Korçë (që ndofta mund të ketë qënë edhe gjetkë) që thirrej a quhej, prej popullit ashtu thjesht, “Pazari i plaçkave” dhe që zhvillohej ditën e shtunë.
Ky pazar që shtrohej rrugicave të pazarit të vjetër të Korçës, rrugica këto që një pjesë e mirë e tyre, ekzistojnë akoma dhe janë dëshmitare, ishte një pazar i mallkuar, që më vjen prej zemre të them, që mos qoftë dhe, që kurrë mos e sjelltë rrota e historisë, që të përsëritet për këdo dhe kudo, as edhe për hasmin.
Pazari në fjalë ishte një lloj nxjerrje publike e një pjese të popullit të Korçës, për poshtërim përpara gjithë gjindjes, njësoj si bëhej dikur, në kohën e feudalizmit, kur për poshtërim, njerëzit të hipur në një tribunë dërrase, në qëndër të qytetit, aty në shesh, nxirreshin përpara gjindjes për tu poshtëruar, duke u rrahur aty me kamxhikë dhe për tu pështyrë pastaj prej masës tjetër të popullit. Pazari ynë pra, ishte një lloj salle inkuizicioni, një lloj hipjeje në stivën e druve për poshtërim, por pa ju vënë flaka, një lloj nxjerrjeje përpara litarit për poshtërim, por pa u varur në litar, apo përpara gijotinës por, pa tu prerë koka, e pra ishte një vajtje deri në buzë të greminës dhe një kthim prapa, një qëndrim i tmerrshëm aty buzë varrit të hapur, për të lënguar dhe këto të tëra, për një copë bukë.
Ishte pra pazari i dikurshëm në Korçë, i plaçkave, një lloj dënimi publik, njësoj si lithovolisja, pra dënimi i gjuajtjes me gurë që ishte aq i zakonshëm në kohët romake dhe kjo, durohej vetëm për një fetë bukë.
Pazari në fjalë, ishte pazari ku shitej vlera e njeriut, dinjiteti i tij, personaliteti, respekti, karakteri i tij dhe pastaj aty blihej, vetëm një copë bukë.
Aty shitej, mundi i jetës, djersa e viteve, ekonomia e familjes dhe blihej shbërja, denigrimi, mbetja në dërrasë dhe këto për një fetë bukë.
Aty shitej, ngritja, niveli, kultura, edukata, arsimimi, formimi, sjellja, finesa, qytetërimi, historia, ëndrrat, dëshirat, familja, fisi e soji, gjithë durim, në heshtje, buzëkafshuar dhe në ballafaqim, me ashpërsinë e injorancës të ngritur në piedestal, me hijen djallzore të përndjekjes, me brutalitetin e pamëshirshëm të çizmes me thumba, me tmerrin e kërcënimit me burgje dhe këneta, me zhdukje një herë e përgjithmonë, etj,. Të mjerët njerëz, ktheheshin në mbrëmje pastaj në gjirin e familjes së tyre të persekutuar, vetëm me një copë bukë, për të mbijetuar.
Pazari në fjalë, u krijua prej masës së popullit që më parë jetonte relativisht mirë, masë kjo e cila me hyrjen e ngjyrës së kuqe në gjithë qelizat e jetës së përditëshme, duke mbetur pa bukë, u detytrua që të mbijetonte dhe të shiste aty, gjithçka, për një copë bukë.
Aty shiteshin, copa belluzi prej Austrie, tapita prej Sirie, sixhade prej Misiri, qilima persianë, serviçio italiane, pallto engleze, shallë Kardiff, llampadarë, enë të kristalta, çanta mjeku prej lëkure, radio, gramafonë dhe pllaka gramafoni, pjano, vjoli, libra, fjalorë, vegla roje të lyera me ar, pasqyra prej kristali, doreza leshi svicerane, pallto të trasha të sjella prej Parisi, benevrekë prej leshi merinoz, brekë grash të zbukuruara me tantella, kombinezone, sytjena joshëse, fustane, tajere, kostume, gravata, papjone,sharpa, shalle, tyle, etj, etj, etj, gjithçka pra që ka të bëjë me një jetë që sot lakmohet dhe të gjitha këto, shiteshin për një fetë bukë.
Aty pra shitej jeta, shitej shpirti, shitej xhani, shitej bota e njeriut, e imja, e jotja, e jona dhe këto të gjitha, për një copë bukë.
Ato që shisnin aty ishin, gra të ndershme, të bukura, të pastra në shpirt, të pa djallëzuara, të pa punuara kurrë, nëna të mira, bashkëshorte shëmbëllore, aristokrate në pamje dhe në sjellje, të gjitha këto shisnin pra aty, kokëulur, të heshtura, të trishtruara, që teksa i shihje aty për një copë bukë, tek skuqeshin dhe me sytë e ulur dhe të perënduara tutje - tej, ndjenje vetëm se, keqardhje dhe admirim.
Aty shisnin gra trime, të forta, nëna me shumë fëmijë, të ashpra, gra që në shikimin e tyre shihje forcë, burrëri, të pamposhtura, krenare, që të linin të kuptoje se ato edhe për një copë, apo për një krodhë bukë, do të luftonin, … do të luftonin.
Aty shihje vajza, plaka, nuse, gra, të ish ministrave të dikurshëm por tashmë të shbërë, ish politikanëve, ish ambasadorëve, ish avokatëve dhe noterëve, shihje gra tregtarësh, doktorësh, piktorësh, kompozitorësh, patriotësh që u shkrinë për vëndin e tyre, borgjezësh, bejlerësh, kurbetësh, evgjitësh, etj, të gjithë aty, aty, për një copë bukë, për një fetë bukë.
Burra kish më pak, pazari i dikurshëm i mallkuar i plaçkave dhe kjo për dy arsye mendoj unë, së pari sepse kur vjen puna, të rrosh a të mos rrosh, gratë tona janë më të forta se burrat dhe së dyti, sepse burrat e grave të pazarit në fjalë, në një farë mase ishin, viktimat direkt të ngjyrës së kuqe. Një pjesë e tyre dergjeshin burgjeve, një pjesë tjetër bëheshin gati për në burg dhe një pjesë tjetër akoma ruheshin si djalli nga temjani, se mos shiheshin dhe zgjonin pastaj të birin e djallit, duke i kujtuar këtij, se ata akoma janë dhe ekzistojnë.
Pazari pra i dikurshëm në Korçë, i quajtur pazari i plaçkave, ishte pazari ku shitej, gjithçka dhe aty pastaj blihej një copë bukë e shoqëruar kjo me poshtërimin, përbuzjen, lotët, ndëshkimin, luftën e klasave, deklasimin, deqytetërimin, rënimin shpirtëror dhe ekonomik të familjes dhe të individit, me shkatërrimin e kulturës, strukturës, të gjithçkaje.
Ai pazar pra edhe një herë, ishte një pushkatim moral i një pjese të popullit të Korçës, një pushkatim i cili e gjakosi shpirtin e qytetit tonë sa s’thuhet. Ai i la mbresa poshtërimi të pashlyeshme kujtdo që e jetoi atë, madje edhe fëmijëve të mitur, që u rritën aty mes nënave të tyre trime dhe agonisë për të shitur diçka, për të blerë një copë bukë.
Kurrë nuk do ta harroj atë pazar të mallkuar, ku më merrte e gjora nënë, e cila ndonëse nuk ish as 50 vjet dhe me një burrë të paralizuar, dergjej aty për të shitur gjithçka dhe për të blerë pastaj, një copë bukë. Shiti aty gjithë plaçkat, shiti shtëpinë, ëndërrat e saj që pat bërë dikur teksa ngrinte folenë, duke e parë sesi kjo i rrënohej tashmë aty para syve të veta, aty tek pazari i mallkuar i plaçkave, shiti vitet e saj duke u dergjur atje për çdo të shtunë, për të mbetur në dërrasë, pa gjë, në fukarrallëk, në skamje, i shiti pra të gjitha ç'kishim, për një copë bukë. Akoma edhe sot, e kam në shpirt të gjallë, ndjenjën e zezë të ditës së shtunë të dikurshme, kur më merrte ajo me vete, aty në atë pazar të tmerrshëm, duke më mbajtur edhe mua në krah aty pranë, një fëmijë as 10 vjet, që tek rrija, e rrija aty me orë të tëra, i vetmuar dhe vetëm e për vetëm me fytyrën e saj hallemadhe, shikoja doçkat e mia të plasaritura gjak, prej të ftohtit të dikurshëm të Korçës.
Kurrë mos u përsëritshin të tilla pazare, kurrë për asnjë, për këdo dhe askund në botë.
Pazari i dikurshëm i plaçkave në Korçë dhe fura e vdekjes, (për të cilën ku dihet, ndofta mund të flas ndonjëherë tjetër), janë nga njollat e turpit, më të mëdha, ku duket shëmtuar, sesi njeriu sillet si kafshë ndaj një tjetri njeri, kur e detyron këtë, të hiqet zvarë të tilla pazareve, për një copë bukë, … për një copë bukë.

Ilia V. Ballauri 

 
 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE1/34 - Kolovajzet

Nuk mund të përcaktohet dot etimologjia e kësaj fjale. Ndoshta rrjedh nga fjala kolovit, që presupozon të lëvizurit, pa mundim që bën njeriu, fjalë kjo që përdoret shumë në zonën tonë si p.sh., kolovit me makinë, e kolovita në kurriz, etj. Mundet pra që fjala kolovajze që presupozon të rrëshqiturit pa mundim në akull, të...

» KE11/19 - Mbi sigurimet shoqërore në Korçë në prag të rënies së perandorisë osmane. (v. 1911)

 Sistemi i sigurimeve shoqërore në Korçë, njihet prej mëse 100 vjet përpara. Kështu për sigurimin e jetës më 1911, në qytetin tonë funksiononin këto tetë shoqëri sigurimesh:“Amivea” ose Sigurimi Reciprok, që kish për agjentë sigurimi, të jetës, vëllazërinë Mangoleci.“Ankara”, që kish për agjent sigurimi të...

» KE7/14 - Mbi çmimin mesatar të dynymit në groshë, shek 19-të

 Fusha e Korçës, në gjysmën e parë të shek. 19-të (pra për periudhën: 1800 -1850).Vlera e tokës arë, është shumë e ndryshme dhe ajo varet nga një sërë parametrash si: periudha historike kur toka del në tregun e shitjes, gjëndja ekonomike e shoqërisë që e shet dhe e ble, niveli ekonomik i zonës ku ajo ndodhet, pozicioni...

» KE6/17 - Mbi depon e dikurshme të gazit ose të vajgurit, në Korçë.

 Meqënëse vajguri dikur ishte një lëndë e konsumit të përditshëm, mbasi përdorej për ndriçim, kuptohet se edhe tregu duhej të furnizohej thuajse çdo ditë me këtë mall, i cili, ndryshe nga mallrat e tjera ishte njëkohësiht edhe i rrezikshëm, pra lëndë djegëse dhe plasëse. Për këtë arsye, dikur Korça pati një depo të...

» KE5/21 - Disa parametra të pastërtisë së qytetit të Korçës për vitin 2005.

Lexojeni të plotë tek KE5/21.

Share