MZ - Aforizma: Nga filozofia romake

 

Lënia për një çast pezull dhe mosmarrja e vendimit, për një çështje të dhënë, është e lodhëshme dhe shqetësuese por kjo gjë, është njëkohësisht edhe burim dhe mundësi, për të vepruar me mënçuri.

*
Padrejtësinë e urrejnë edhe vetë të padrejtët.

*
Akoma edhe një qime, edhe ajo ka hijen e vet.

*
Ai që mbrohet edhe atëhere kur është i mbrojtur, nuk rrezikohet lehtë.

*
Lënia e një emri të mirë, është edhe ajo një pasuri më vete, që u lihet trashëgimtarëve.

*
Përbuzja më e madhe për dikë, është ta quash mosmirënjohës apo, bukëshkelur.

*
Një tru i fortë, nuk nguron të marrë vendime.

*
Është e trishtueshme, të ta kthejnë me të keqe, atë ç'ka ti ua dhurove me kënaqësi.

*
Dështimi që na le mbresa më tepër, është dështimi i parë.

*
Gjatë një gjyqi, gjykatësi gjykon si proçesin ashtu edhe veten e vet.

*
Pasi kanë zgjedhur rrugën mirë, akoma edhe të verbërit, ecin të sigurtë. 

*
Gënjeshtra që thuhet për një qëllim të mirë, është dhe ajo një veprim i drejtë.

*
Fundi i një të varfëri është atëhere kur ai, imiton të pasurin.
 
*
Kur ngul këmbë tek padrejtësitë, krijon padrejtësi të tjera.

 

Nxjerrë prej: Sententiae, Publili Syri, shek 1-rë, para Kr.

 

F._Pessoa Fernando António Nogueira de Seabra Pessoa, ose shkurt, Fernando Pessoa (1888 - 1935) konsiderohet si një nga shkrimtarët më të mëdhenj të shekullit të 20-të për gjithë botën, dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj portugezë për të gjitha kohërat. Ai ish një poet, një kritik, përkthyes, mendimtar, eseist, tepër elegant, i thellë, misterioz, filozofik, i kuptueshëm e i pakuptueshëm dhe admirohet sot veçanërisht, në të gjithë botën.
Ja disa copëza nga bota e tij shpirtërore.

*
….
A ka një lule vërtet bukuri?
A ka një frut vërtet bukuri?
Jo! Këto kanë vetëm formë dhe ngjyrë.
Dhe ekzistencë.
Bukuria është emri i një diçkaje që nuk ekziston,
është ajo që unë mendoj, për shkak të kënaqësisë që ndjej.
….
*
Lehtë, lehtë, shumë lehtë,
shumë lehtë vjen këtu një fllad,
dhe po ashtu lehtë kalon.
Ndërsa unë,
unë, nuk di seç mendoj në këtë çast,
madje as nuk dua që ta di.
*
Si njerëz që jemi, jemi që të gjithë qënie të vdekshme, por me një kohëzgjatje jetese të përcaktuar.  Kush më të gjatë dhe kush më të shkurtër. Disa vdesin kur vdesin, disa të tjerë jetojnë diçka më tepër në kujtesën e të tjerëve, të atyre pra që i njohën ose të të dashurve të tyre, disa të tjerë mbeten në kujtesën e kombit të vet, disa të tjerë ja dalin mbanë të jetojnë në mbarë epokën e qytetërimit kur jetuan dhe janë fare pak ata, që kapin nga njëri skaj në skajin tjetër rrymat e qytetërimeve të ndryshme.
Sido që të jetë, që të gjithë i përrethon errësira e kohës, e cila në fund të fundit i mund të gjithë, të gjithë pra i gllabëron uria e humnerës së pafundme që quhet kohë, … të mendosh që të përjetësohesh nuk është veçse një dëshirë dhe të mendosh, të mbetesh përgjithmonë, është të mashtrosh vetveten.
*
Jeta është një lëmsh që e ka mbështjellë dikush dhe ka kuptim vetëm po ta shpështjellësh atë dhe ta shtrish në gjithë gjatësinë e vet apo edhe, ta rimbështjellësh atë mirë.
*
Jetën e mendoj sikur jam në një han, ku më duhet të qëndroj aty derisa të vijë të më marrë karroca e humbësisë. Nuk e di se ku do të më shpjerë, nuk di, nuk di gjë.
*
Ora e murit është vendosur diku në thellësi, aty mes orendive të tjera. Çdo gjysmë ore ajo troket, troket thatë dhe pa shprehje. Gjithçka është po aq, po aq e thellë, po aq e thatë, po aq e errët, po aq e ftohtë!
*
Janë të bekuar ata që jetën e tyre nuk ja besojnë asnjë njeriu!
*
Po qe se zemra do të kish mundësi të mendonte, ajo do të kish ndaluar së rrahuri.
*
Të gjithë njerëzit janë të veçantë, pra janë përjashtime të një rregulli që nuk është. Pra nuk ka rregulla.
*
Vlera e gjërave nuk qëndron në atë sesa ato zgjatin, por në intesitetin me të cilin ato ndodhin dhe shprehen. Është kjo arsyeja që ka momente të paharruara dhe njerëz të veçantë.
*
Çuditem, nëse mund të përfundoj dot ndonjë gjë. Çuditem dhe vuaj. Instikti im për perfekten, më pengon që të përfundoj diçka, madje mundet që më pengon edhe për të filluar diçka. Por duket, se kam kënaqësi dhe kuturis për të filluar diçka. Ajo ç’ka unë arrij, duket se nuk është një produkt i një dëshire të vullnetshme, por i një dëshire që më rrëmben. Filloj një vepër duke mos patur forcë që të paramendoj dhe përfundoj një të tillë, sepse nuk kam kurajo të shkëputem prej saj.


Shqipëroi: Ilia V. Ballauri 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» BK/LA- Poezi, Anakreonti: Pela thrakiote.

Shqipëroi: Ilia V. BallauriOh! moj pelë, moj thrakiote, E di un’, se ç’do qafa jote!Përse, shtrëmbër më vështron?Pse me shqelma, më largon?Mos kujto, se un’nuk mundem,Hipur, mbi ty të tundem,Di kapistrat, të t’i shkoj,Të të zbut, të të kaploj.

» MZ/ Poezia: Lulja - A. S. Pushkin

Një lule të thatë pa push, pa erë, të shtypur brenda librit sot pashë, dhe ja, një mendim i çuditshëm menjëherë,shpirtin ma përfshiu, ndaj thashë:Kur lulëzoj kjo lule? Ç’pranverë? Ç’maj?Sa kohë? Pse u këput dhe ku?I njohur, i panjohur kush e këputi dhe pastaj, vallë pse e vendosi mes fletëve këtu?T’i kujtojë ndofta...

» KE10/8 - Apotropizmi në librat e shtypura në Tipografinë e Voskopojës më 1744

Medusa sipas mitologjisë ish një përbindësh deti, femër, që kush e shihte atë, ngurosej dhe kthehej menjëherë në shkëmb. Kësaj gorgone-përbindësh, ju pre koka prej Perseut. Mithi thotë se Perseu ish dërguar për të vrarë Medusën, dhe në këtë detyrë ai u ndihmua prej perëndeshes Athina. Kjo e pajisi heroin me sandale me...

» MZ - Filozofia e lashtë kineze: Për të varfërit edhe era bën dallim vepron e sillet e pamëshirshme.

 Dikur në Korçë kam dëgjuar një të vërtetë, sesi shumë kohë më parë, një i varfër, i pa ngrënë, tek endej rrugëve, veç të tjerash edhe prej erës së marrë i rrahur dhe i munduar, të ketë thënë:“Fry moj erë fry! Shpirtin e një fukaraj do të marrësh!”Thuhet gjithashtu se në anën tjetër të qytetit tonë, një i...

» Aforizma të eruditëve grekë dhe romakë: Për bukurinë.

 Bukuria është dhuratë e Zotit.Aristoteli*Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim.Aristoteli*Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të liq.Shën...

Share