MZ - Aforizma: Johann Wolfgang von Goethe

 

Njeriu çdo ditë duhet të dëgjojë pak muzikë, të lexojë pak poezi, të shohë një pikturë të bukur,  në mënyrë që rutina e përditëshme, mos bëjë që të lihet në harresë, ndjenja për të bukurën, ndjenjë kjo të cilën Zoti e ka mbrujtur në shpirtin e njeriut.

*
Njësoj si në Romën e lashtë, ku në qytet, përveç romakëve kish edhe një mori bustesh dhe statujash mes të cilave rronin njerëz, ashtu edhe sot, përveç realitetit, ekziston edhe një botë e fortë me fantazi dhe imagjinata, ku edhe në të jetojnë njerëz.

*
Thonë: Njih vetveten! Po si mund dikush të njohë vetveten? Kjo gjë nuk mund të bëhet, nëpërmjet survejimit të vetes, por vetëm nëpërmjet praktikës dhe ja sesi: përpiqu të kryesh detyrën që të takon dhe do të shohësh, se ke për të kuptuar menjëherë, karakterin tënd. 


*
Çdo moshe të njeriut, mund  t'i vihet në korrespondencë një filozofi e caktuar.
Fëmija paraqitet realist. Ai është aq i bindur për ekzistencën e dardhës dhe të mollës sa edhe për ekzistencën e vet.
I riu, i përfshirë siç është në furtunat e veta të brëndëshme është i detyruar që ta kthejë vëmendjen, të rrëmojë dhe të kërkojë brenda vetes, pra të bëhet idealist.
Një burrë i pjekur, ka një sërë arsyesh që të jetë skeptik. Ai dyshon sipas mënyrës së vet, nëse janë të sakta mjetet që ai ka zgjedhur për të kryer një veprim. Gjithashtu përpara se të veprojë dhe në çastin që vepron, e ka të nevojshme që të jetë vigjilent, me qëllim që në të ardhmen, mos pendohet hidhshëm për zgjedhje të gabuar.
I moshuari, ndërkaq është mistik. Mjaft gjëra i shikon të varen prej fatit, një diçka që s'ka logjikë të ecë dhe, logjiken të pengohet e të shkojë shtrembër, fati dhe pafatësia pra, të ndërrojnë vënd papritur dhe papandehur.

Zgjodhi dhe perkth: I.V.B.

 

Në përgjithësi, gjithmonë fëmijët kanë dashur të hanë, disa herë më tepër se zakonisht, gjatë ditës. Përveç nevojës biologjike, të ngrënit për ta, shpesh bëhet edhe një lloj kënaqësie, apo argëtimi, apo psikozë më vete. Gjithmonë fëmijët me vënd e pa vënd, me kohë e pa kohë, kanë kërkuar të hanë. Kjo kërkesë e tyre sot të paktën për vëndin tonë, është relativisht e lehtë për tu plotësuar. Me vënd e pa vënd sot, ata duan një hamburger, një tost, një kruasan, chips, popcorn, banane, një krepes, një sanduiç, një, një, ….
Të gjitha këto, për një fëmijë përpara 50 vjetëve, ishin krejt të panjohura, ndaj dhe një gjysh, sot, gjithë terminologjinë e mësipërme, e ka të vështirë, si për ta kuptuar ashtu dhe për ta përdorur.
Dikur të ngrënët e fëmijëve me vënd e pa vënd, me kohë e pa kohë,  shprehej me thënien: “dua bukë në dorë“. Fëmija prej lojës jashtë në rrugë, kur i haej, hynte brenda në shtëpi dhe kërkonte:“dua bukë“. Menuja e “bukës në dorë“, në ato kohë, nuk kish shumë larmi. Nëna pasi i priste një fetë prej pllakës së bukës e bënte atë, ose me sheqer e me vaj, ose me sheqer dhe me ujë, ose me vaj dhe me kripë, ose me sallo, ose me marmallatë ose rrallë herë me gjalpë, etj. Ndërkaq shpesh ndodhte që t‘i jepnin fëmijës edhe një copë bukë thatë, duke i thënë se kështu ishte më mirë mbasi, „të bëhen faqkat e kuqe“.
Pavarësisht, fëmija kur dilte në rrugë, me fetën e bukës në dorë, aty e prisnin shokët dhe ndërkaq, fillonte një ceremonial i vërtetë.
Së pari dëgjohej kërkesa: “Na jep të kafshojmë njëherë“. Dhe kështu në çast, feta e bukës me sheqer dhe me vaj fillonte dhe kalonte gojë më gojë, tek të gjithë shokët e mëhallës të mbledhur aty. Të gjithë kafshonin njëri pas tjetrit nga një kafshatë dhe buka, pasi kalonte dorë më dorë, në rrethin e fëmijëve kthehej në dorën e të zotit, më tepër se e përgjysmuar.
Ky proçes sot, për një psikolog do të ishte një lëndë e parë, për studime me vlerë, në drejtim të pedopsikologjisë dhe ja sepse.
Kish fëmijë që e jepnin me gjithë qejf, me gjithë zemër bukën e vet, tek të tjerët, për tu kafshuar, pa u kursyer, pa ndrojtje, pa u ardhur ndot, madje kish edhe nga ata, që të theshin „kafsho edhe një herë“. Kish ndërkaq të tjerë fëmijë që nuk e jepnin, ose të tjerë që e shënonin atë, se deri ku, ajo duhej kafshuar. Nga ana tjetër kish fëmijë që hapnin gojën shumë kur kafshonin dhe kish të tjerë, që bënin të kundërtën. Kish prindër që i porositnin fëmijët, që mos ua jepnin të tjerëve bukën që ta kafshonin (ndonse kishin, ishin pra në gjëndje)  dhe kish të tjerë që, kur vinin prej rruge, dy shokë në shtëpi, u jepnin që të dyve nga një copë bukë në dorë (ndonse nuk kishin), etj.
Së fundi, duhet thënë se, e njëjta shprehje, “Na jep të kafshojmë njëherë“, përdorej edhe për mollët, dardhat e freskëta etj, ndërsa për akulloret, stapkat prej sheqeri, këndeskat prej sheqeri, mollkat e lyera me sheqer, etj. përdorej shprehja, “Na jep të lëpijmë njëherë“.

dr. I.V.Ballauri

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE11/8 - Biçikletat italiane Benotto, në Korçë.

 Biçikletat Benotto, e fillojnë historinë e tyre që më 1931, kur edhe u bënë të famshme në gjithë botën. Kjo firmë u themelua në Torino prej një çiklisti 24 vjeçar, me famë botërore, të quajtur Giancinto Benotto.Firma Benotto, prodhoi biçikleta për njëzet vjet me rradhë në Evropë, madje fitoi edhe tre herë kampionin, si...

» BK/SHJT - Pazari i dikurshëm i plaçkave në Korçë.

 “Pazari i plaçkave”Skicë.Ka qënë dikur, në vitet ’40, ’50, dhe ’60, një pazar tepër i veçantë në Korçë (që ndofta mund të ketë qënë edhe gjetkë) që thirrej a quhej, prej popullit ashtu thjesht, “Pazari i plaçkave” dhe që zhvillohej ditën e shtunë.Ky pazar që shtrohej rrugicave të pazarit të vjetër të...

» KE9/13 - Mbi rrrugën e gjatë të përfitimit të një profesioni (zanati) në kohët e pushtimit turk.

 (Shënim: Për hartimin e këtij hulumtimi jemi bazuar kryesisht tek bot. „Esnafet Shqiptare“ aut. Z. Shkodra. Akad. Shkenc. Shqipërisë, 1973, fq.89 - 106.)Përfitimi dhe ushtrimi i një profesioni, i një mjeshtërie të caktuar, apo një zanati, më parë, në kohën e pushtimit turk por edhe më pas, deri aty nga mesi i shekullit të 20...

» KE6/3 - Mbi jetimoren e Korçës

Një përshkrim i vitit 1923. (paraqitur këtu sipas arkaizmave të gjuhës së asaj kohe)“Kjo është një godinë ku rinë djem e vajza të pa-prindërshmë, të cilëvet, fati ose rrjedhja e ngjarjeve [të viteve] 1912 -1920 i ka lënë udhëvet. Këta fëmijë të mbledhur nga an’ e Bashkisë, janë vënë më një shtëpi në Famuli...

» KE2/6 - Një listë me lloje emra grash e vajzash, që gjendeshin në Varoshi i Korçës në vitet 1700

Agni (shek. 18-të)Altana (1710)Avllona (1769)Bonda (1784)Bozha (shek. 18-të)Dhespo (1769)Flora (shek. 18-të)Irina (shek. 18-të)Jana (shek. 18-të)Kalia (1769)Kaliani (shek. 18-të)Kalica (1783)Katina (1769) [Katerina]Koçka (1725) [Kostandina ?]Kondo (shek.18-të)[Kostandina]Krisa (1769)Krisomalina (shek. 18-të)Leno (1784) [Elena]Lona (1725)...

Share