MZ - Aforizmë: H. A. Korça

Pasurinë mund ta vjedhin, por diturinë jo.
Ai që ta ruan të fshehtën të do me shpirt.


Përgatiti: dr. Ilia V. Ballauri

Në Korçë, shëtitja në bulevardin qëndror të qytetit, ka qënë të paktën për njëqind vjetët e fundit, një prej mënyrave kryesore dhe në kohë të caktuara mbase e vetmja, e çlodhjes, e qetësimit shpirtëror, e argëtimit, e marrëdhënieve shoqërore, për qytetarët tanë.
Bulevardi, xhiroja pra që bëhej në të, ose më shqip shëtitja ec e jakë aty, ka qënë vëndi më i përshtatshëm i bisedimit, i diskutimit, i njohjes, i thashethemeve, i dhënie - marrjeve, i mësimit të të rejave, etj, etj, për qytetin tonë.
Ne u rritëm me xhiron dhe po ashtu edhe prindërit  tanë, e në mos edhe gjyshërit tanë po ashtu.
Të flasësh për xhiron e Korçës nuk është një gjë e thjeshtë. Një analizë e hollësishme për të, sigurisht që do të kërkonte, njohuri historike, dije social - psikologjike dhe deri fantazi ekonomike, pra një imagjinatë dhe kulturë të gjithanshme, enciklopedike.

Nuk është Korça që e ka zbuluar këtë lloj terapie shoqërore.
Rrënjët e saj gjenden kudo, në Paris, në Berlin, në Athinë, në Bukuresht, në Vjenë, etj. Xhiroja pra është historikisht  e mbarënjohur madje, që në kohët më të lashta, në Athinën e vjetër dhe në Romën e romakëve.
Në xhiro e sipër, aty në Agoranë e Athinës së lashtë, a në Stoa rrëzë Akropolit, Sokrati pat’ diskutuar probleme nga më të vështirat filozofike, ndërsa Aristoteli edhe më fort akoma, gjithë filozofinë e tij e zhvillonte me nxënësit, më këmbë, në xhiro.

Por përpara se të filloj të futem në analiza dhe të dhëna, e shoh të arsyeshme, të sqaroj njëherë, etimologjinë e këtij proçesi që ne e quajmë xhiro dhe që thjesht mund që të quhej edhe shëtitje. Së pari duhet të themi se fjala xhiro, vjen prej italishtes, girare = me vërtitur por, edhe me erdhur rrotull dhe, giro = rreth, qark, rrotullim, vërtitje. Duket pra se, me qënë që njerëzit vinin rreth, në të njëjtin itinerar, vajtje dhe kthim në vazhdim, është kjo arsyeja pra, që ky proçes u quajt xhiro. Pra xhiroja për ne në Korçë, është një lloj shëtitjeje e veçantë, karakteristike. Vetëm fjala xhiro e mbush kuptimin e kësaj lloj shëtitjeje, ndaj dhe ne theshim, takohemi në xhiro dhe ne nuk theshim kurrë, takohemi në shëtitje.

Anglezët e kohëve viktoriane – Victorian era, xhiron tonë e quanin walking ose thjesht walk, ndërsa francezët e kohëve të bukura – de la Belle Epoque, e quanin promenade. Spanjollët vëndin ku bëjnë xhiro e quajnë, esplanada ndërsa grekët e Athinës dhe të Selenikut, xhiron dikur e quanin, peripato, dhe më pas e emërtuan volta, fjalë kjo italiane që e përkthyer do të thotë edhe kjo xhiro, rrotullim, vërtitje. Fjala peripato për xhiron dëgjohej dikur edhe në Korçë sidomos prej më të vjetërve. 
Në Korçë ne xhiron e bënim në bulevard, nga teatri në kinema Morava, prej këtej në Lëndina e Lotëve dhe kthim. Verës pastaj xhiroja bëhej edhe më e gjatë dhe përfshinte edhe bulevradin e Parkut të Rinisë.
Në Kubë, në Havanë, bëhet xhiro në Malecon një esplanadë e madhe kjo buzë detit, shumë e bukur rreth 8 km e gjatë. Në Paris xhiroja bëhet tek, Esplanade La Defense, ndërsa në Nicë bëhet në Promenade des Anglais e cila quhet ende kështu, qysh prej shek. 18, kur anglezët e pasur që kalonin dimrin në Nicë, bënin aty a walk, pra një xhiro. Në Tel Aviv bëhet në, Tel Aviv Promenade, ndërsa në Selenik në Paralia, pra  buzë detit Egje. Në Ontario bëhet në Bell Park, në Riga në Esplanadë, në Budapest në Danube Promenade, në Dresden në Beruhl Terrace, në Berlin tek blirët - Unter dem Linden, etj, etj.

Nuk dihet se kur filloj në Korçë, të behej xhiro. Ndoshta njohja e kohës se kur mund të jenë shkruajtur vargjet: Bulevardi i Korçës ka vajza pa masë,/ dalin e shëtisin pa lejën e mamasë, etj, .. . do të mund të na hidhte dritë me përafërsi se kur filloi xhiroja në qytetin tonë. 
Pavarësisht, një gjë është e sigurtë. Xhiroja është karakteristikë e një shoqërie qytetare të zhvilluar dhe ka shumë mundësi, që Korça ta ketë filluar xhiron si traditë, diku aty, pas mesit të shek të 19-të, atëhere pra kur qyteti ynë filloi të shquhej për shkolla dhe sidomos si qendër e zhvilluar tregtare, me pazar të madh dhe me emigracion të fortë në Rumani dhe Misir.

Sido që të jetë, xhiroja tek ne pasi lindi, u bë thelbësore dhe jetike për qytetin tonë.
Xhiroja vazhdoi etshëm edhe në periudhën e artë të Korçës, pra në periudhën midis dy luftërave. Në atë kohë, në xhiro dilte i gjithë qyteti, të varfër, të pasur, të rinj, pleq, studentë, puntorë, të thjeshtët, seriozët, sqimatarët, me një fjalë gjithçka kish qyteti ynë.
Profesori i njohur, Spiro Konda mblidhte studentët e liceut dhe në xhiro, filozofonin duke të rikujtuar kështu shkollën peripatetike (= shëtitëse, në xhiro e sipër), filozofike të Aristotelit.
Xhiroja vazhdoi e fortë edhe në kohën e komunzmit, madje në atë kohë, ishte edhe e vetmja mënyrë masive për tu çlodhur, dhe pastaj filloi disi të zbehet, pas vitit 1991.

Xhiroja kish mënyrën e vet sesi kryhej, kish kohën e vet, itinerarin e vet, kish botën e vet psikologjike, botën e vet ekonomike, kish ngjyrat e veta shoqërore dhe politike, xhiroja kish terminologjinë e vet, kish aktorët dhe spektatorët, kish statistikën e vet madje edhe matematikën e vet, (kurbat dhe ndofta edhe funksionet e veta algjebrike), etj, etj, të cilat do t’i shohim në vazhdim, aq sa do të mundim.

Para luftës së dytë botërore

Sesi bëhej xhiroja në gjysmën e parë të shek. të 20-të, unë nuk e di mirë.
Kam dëgjuar nga më të moshuarit se pas luftës së parë, xhiroja bëhej prej atyre që dilnin enkas për xhiro dhe prej atyre që ktheheshin nga punërat e ditës. Këta të fundit, të cilët zakonisht punonin në pazar ose në fund të qytetit tek disa punishte pas pazarit, teksa ngjiteshin për në shtëpi, takonin dikë dhe bënin kështu në muzg edhe një xhiro të vogël.

Të tillë që, rastësisht bënin xhiro, kish prej të gjitha shtresave shoqërore të qytetit.
Ndërkaq, grupi i parë, pra ai i atyre që dilnin enkas për xhiro, thonë se përbëhej kryesisht prej zotërinjve të asaj kohe, intelektualëve, studentëve të liceut, pedagogëve francezë aty, punonjësve të bashkisë, të ardhurve, tregëtarëve, beqarëve të pasur, avokatëve, etj. të cilët visheshin mirë, me kostum, me papjona apo gravata, me këpucë me mbulesa të bardha kumboto, me borsalina të modës, madje thonë se kish prej tyre edhe disa që mbanin bastun dhe e tundnin atë gjith’ elegancë. Pra xhiroja në atë kohë duket se kish një bon viver, që pak a shumë mund ta imagjinojmë të tillë, si tek jeta që na përshkruhet, në filmat e dikurshëm pa zë.
Kam parë foto të vajzave të Korçës të viteve ’25 – ‘35, me kapela ose bombe (më saktë bombay hat, lloj kapele sipas stilit indian, të cilat dikur ishin shumë në modë), me flokë alla - Greta Garbo, me guna, bizhu, varëse dhe gjerdhanë e byzylykë të çmuar, të bukura yll. Këto thonë, se dilnin në xhiro gjithmonë të shoqëruara prej pjestarëve të familjes, babait, vëllait apo kushëririt, pra me kavalier. Pas xhiros, zakonisht ktheheshin tek Kafe - Kristal.

Pak më pas, disa vite para se të fillonte lufta, xhiroja në Korçë mori përmasa më të madhaja se më parë, madje kish edhe nivel më të ngritur. Në këtë kohë në qytetin tonë, kish mjaft djem që u kthyen prej studimeve nga jashtë, nga Athina, Milanoja, Roma, Parisi, kish gjithashtu disa konsullata dhe në to mjaft personel me familjarë dhe jo, të cilët edhe këta nuk mungonin në xhiro, ishin pastaj profesorët dhe studentët e liceut që siç dhe e thamë, ishin të përditshëm në bulevard, ku jepnin - mernin me biseda e diskutime, nga më të ndryshmet, etj.
E pra, shumë a pak unë kështu e imagjinoj xhiron deri sa filloj lufta.

Pas luftës së dytë botërore.

Xhiron e pas luftës, pra të periudhës së komunizmit, mendoj se e njoh më mirë, ndaj dhe do të flas më hollësisht për të, gjë që do të më bëjë të zgjatem, ndonse nuk i kam qejf shkrimet e zgjatura.
Pavarësisht, gjatë gjysmës së dytë të shek. 20-të, xhiroja në Korçë bëhej gjatë gjithë vitit, pra në çdo stinë por, kulmi i saj, “dyndja” pra më e madhe, ndodhte në verë gjatë xhirove që bëheshin mbrëmjeve të freskëta, sidomos në periudhën korrik - gusht, kohë kjo, kur në Korçë mblidheshin studentët, apo edhe korçarë të tjerë të larguar prej vitesh, që punonin gjithandej nëpër Shqipëri dhe sidomos në Tiranë, si mësues, inxhinierë, profesorë, mjekë, teknikë, etj, të cilët vinin aty për pushime. 
Megjithatë, xhirot më të bukura ishin ato të netëve të mesit të qershorit, kur jeshili, lulet e oborreve dhe aroma e blirave, dehnin çdo gjë.

Xhirot më të varfra, më melankolike, më të trishtueshme ishin ato të mesit të vjeshtës, kur Korça zbrazej, ditët ftoheshin, zvogëloheshin, fillonin shirat, ngricat dhe tek gjithkush, endej akoma në shpirt, shija e netëve të bukura të verës që tashmë kishin kaluar.
Xhiro bëhej edhe në ditët me dëborë dhe akull. Ndonëse ngrinte dhe bulevardi bëhej i rrezikshëm, kallkan, një pjesë e atyre të cilët ishin fort të lidhur me xhiron edhe në këto ditë, nuk mungonin. Të veshur dhe të ngjeshur, këmbëngulës dhe të pa lëkundur, ata bënin të vetmuar xhirot e tyre tradicionale.
Përkundrazi, kur binte dëborë, madje e dendur, me flokë të mëdha, pa pushim dhe ishte butë, pra kur mbi gjithçka shtrohej një shtresë e bardhë e cila merrte ajo pastaj fuqinë e konturimit të siluetës së qytetit dhe të gjithçkaje, xhiroja në Korçë në mbrëmje të tilla, kish një shije aq të veçantë, një bukuri të tillë aq magjepse, sa që unë nuk di si ta shpreh. Ndjenja dhe ngazëllimi që i lindte njeriut në ato çaste, prej atyre pamjeve, mua qysh atëhere, më është kujtuar dhe e kam ndjerë të gjallë, vetëm pak herë, ... në ato raste, kur prej mallit të tepruar, qytetin tim e kam parë në ëndërr.

Pavarësisht, në qoftë se do të na duhej të ndërtonim një grafik vjetor të dëndësisë së xhiros, për Korçën, shumë a pak do të kishim një dinamikë të tillë: Maksimumi arrihej në korrik - gusht dhe pastaj fillonte rënia deri në nëntor, më pas me ardhjen e Vitit të Ri, kish njëfarë ngritje, pastaj përsëri një rënie në shkurt dhe në mars, thuajse në nivelet e nëntorit dhe, duke filluar nga prilli e tutje, fillonte ngritja e vazhdueshme, për të arritur në verë, përsëri maksimumin dhe kështu në vazhdim.

Xhiro bëhej çdo ditë por, xhiroja më e madhe bëhej, të dielave.
Ndërkaq netëve të bukura të verës kish ditë të mesjavës, që bëhej xhiro aq e dendur sa edhe të djelave. Po ashtu, në dimër rastiste që e djela të ish tepër e  ftohtë dhe të mos bëhej xhiro, ndërkohë kur gjatë mesjavës zbutej dhe bëhej xhiro më e madhe.
Xhiroja gjithmonë fillonte mbasdite, pra pas punës dhe vazhdonte deri në mbrëmje. Vetëm ditëve të djela dhe festave, bëhej xhiro edhe paraditeve, a më mirë të themi pardrekave. Mbasdite xhiroja fillonte pak kohë para se të perëndonte dielli, kur ngrysej dhe pastaj në vartësi të stinave, ajo vazhdonte deri natën vonë në verë, ose netëve të ftohta të vjeshtës dhe dimrit, ajo mbyllej shumë shpejt në mbrëmje.

* * *

Xhiroja lëvizte, duke mbajtur gjithmonë krahun e djathtë. Njerëzit dilnin e shëtitnin në grupe: familjarë, të afërm, shokë, të njohur që i lidhte mosha, jeta, profesioni, ngjarjet, interesi, diskutimi, botkuptimi, qëllimi, piksynimi, etj. Shpesh formoheshin edhe grupe shumë të mëdhaja dhe tepër inerte për të lëvizur, të cilët mund të shkaktonin edhe konfuzion dhe të pengonin rrjedhën. Nga ana tjetër, individët e veçantë rrallë bënin xhiro në bulevard, zakonisht ata ecnin të vetmuar anës, në trotuar.

Xhiroja kish edhe eksponentët e vet, njerëzit pra që binin në sy më tepër se të tjerët. Këta mund të ishin: një personalitet, një doktor i njohur me çantkën e stetoskopit nën sqetull, një drejtor që e kish me filankën, një femër e bukur, një punonjës i komitetit, një mesogrua që vishej shumë më ndryshe se të tjerat dhe thesh se Korça s’ka burrë për mua, një aktor që kish lënë mjekër sepse ashtu kish një rol, një i sapo ndarë nga gruaja, një hokatar, një femër e zënë në flagrancë me një tjetër, një gjerman që ishte teknik në filan fabrikë, një nga Tirana që theshin se sapo ishte transferuar në Korçë, një i sëmurë rëndë dikur që tashmë ishte shëruar, një fustan me përmbajtje më tërheqëse se fustanet e tjera, një që thuhej se kish vjedhur, por që ai ngulte këmbë se kjo ishte gënjeshtër, etj, etj. Këta ishin edhe aktorët e xhiros. Ata nuk u shpëtonin dot shikimeve direkte ose tinëz, të kthyerave të kokës, përshpëritjeve, thashethemeve, tjerrjeve të bëmave dhe tregimeve joshëse për ta, etj. Ndërkaq, ndodhte që kish nga këta aktorë, të tillë, që me sjelljet e tyre në xhiro, tërhiqnin edhe më, vëmëndjen e spektatorëve, duke u lënë të tjerëve të kuptojnë se ata ishin të ndërgjegjshëm për eminencën e tyre. Ndërsa kish të tjerë, që nuk u duronin dot shigjetave të spektatorëve dhe që nguteshin të bënin një xhiro, sa më incognito.

Spektatorët e xhiros ishin pjesa tjetër pastaj d.m.th. ata që bënin xhiro e s’binin në sy dhe ata që qëndronin anëve të bulevardit, disi mënjanë. Më të rregjur ishin sidomos ata, që uleshin anës, në gurët e trotuarëve dhe sidomos ata që qëndronin në anë, më këmbë mbështetur pas ndonjë bliri, apo kolone neoni, për orë të tëra. Këta kishin botën e tyre të vëzhgimit, të konstatimit, të evidentimit. Ata e dinin se kush zbriti poshtë për nga Çajupi, dinin se filanka sapo kaloi për nga Valbona, dinin se filanin ka një dy ditë që nuk e kishin parë, dinin se sesi kohët e fundit ajo që ka atë fustanin bojë qelli me një vijë anash, e kishin parë me filanin, etj.

Korçarët kur dilnin në xhiro, sidomos në xhiron e së djelës vishnin rrobat më të mira.
Të djelave në bulevardin e Korçës, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, bënte xhiro gjithë garderoba e qytetit. Shumë njerëz ishin të njohur në qytet ose identifikoheshin, bazuar në veshjet e tyre të veçanta që binin në sy, në xhiro. Thuhej për shëmbull atëhere, filani që ka një në pallto gube gri me rrip në mes, ose, filanka që ka atë fustanin nga Amerika me të çarë, etj, etj. Gjatë xhiros bëhej një paradë e vërtetë e veshjeve, gjë që për ato kohë, ishte nën një trysni kontradiktash. Nga një anë njerëzit kërkonin të dukeshin sa më të veshur, sa më të bukur, nga ana tjetër përmbaheshin sepse, ishte koha kur bukuria lidhej me veshjen e kominosheve. Pavarësisht,  të gjithëve pa përjashtim, edhe ju hante edhe ju diqte, siç dhe u thonë situatave të tilla, në Korçë.

Xhiroja në njëfarë mase shprehte nivelin ekonomik të qytetit dhe të qytetarëve. Në Korçë, në xhiro, kuptoje shumë a pak se cilët ishin më të kamur dhe se cilët vinin më hollë dhe bënin një jetë më të shteruar. Kjo gjë nuk fshihej dot, as i kamuri nuk mund të loste dot për një kohë të gjatë të varfërin, por as edhe ky nuk mund të rezistonte gjatë, duke u shtirur sikur ishte mirë nga gjëndja sepse, vinte një çast dhe detajet e tradhëtonin, aty në xhiro. Pavarësisht, xhiroja e Korçës, për të dhënat e Shqipërisë ishte xhiroja më e fisme, duke e kaluar edhe atë të Tiranës, e cila filloi të shfaqej dekada më pas sesa ajo e Korçës.
Dhe me që jemi këtu, unë mendoj se, xhiroja e Korçës ka qënë për Shqipërinë, xhiroja më e vjetër, më tërheqëse, më e konsoliduar, më tradicionale, sesa xhirot e qyteteve të tjera që sigurisht në kohë janë shfaqur pas saj.

Xhiroja kish edhe botën e saj socialo - politike.
Në xhiro nuk mungonte të dilte, as sekretari i parë i partisë, as kryetari komitetit, as drejtori dhe as i përndjekuri (siç edhe thuhej në ato kohë).  Dilnin shefat e ndryshëm të kuadrove me rroba doku sipas stilit kinez, në grup, madje shpesh edhe me nga një zinxhirkë në dorë që e dridhnin, dilnin veteranët me kapella republike edhe këta në rresht, duke bërë gjithmonë kritika majtas djathtas, dilnin punonjësit e sigurimit me kostume e gravata, dilnin kryetarët e kooperativave të sapondodhur atje në mbledhjen e komitetit. Të gjithë këta sipas rastit, derdheshin në xhiro mes për mes bulevardit, të vetëkënaqur, të sigurtë dhe si përfaqësues të popullit. Të tjerët që mund t’i quajmë masë, i shikonin këta dhe vetëm kaq. Një pjesë tjetër pastaj të quajturit, jo mirë nga përbërja, edhe këta bënin xhiro por, xhiroja e tyre ishte e heshtur, e tërhequr, e matur, që të jepte përshtypjen se ata po e vidhnin xhiron dhe jo po e bënin. Pavarësisht, erdhi një kohë që njerëzit u mësuan me këto të gjitha dhe i kuptonin. Kuptonin se kur duhej të hapnin rrugë në xhiro që të kalonin të tjerët, pra të mëdhenjtë dhe pse ai që ish aty në qoshe të trotuarit, bënte xhiro gjithmonë vetë.

* * *

Ndërkaq bota më e pasur e xhiros ishte bota psikologjike.
Vështrimet e njerëzve në xhiro mund të ishin: soditëse, të qeta, të drejtpërdrejta, tinëz, ngulitëse, të fshehta, etj, ndërsa këmbimet e shikimeve, ishin më domethënëse. Kur sytë ndeshnin sytë e tjetrit, kryhej njëfarë komunikimi, një farë bashkëbisedimi kuptimplotë e pa fjalë, por me përmbajtje, duke reflektuar kështu: sjelljen e ngrohtë ose të ftohtë, dashamirësinë, keqdashjen, urrejtjen, epërsinë, mospërfilljen, përbuzjen, inferioritetin, etj, etj.
Gjuha e trupit, e lëvizjeve, e gjesteve, e impozimit, e sjelljes, e të ecurit, e të qëndruarit, etj, ishte pastaj edhe më e kapshme. Kështu në xhiro disa ecnin me kokën ulur dhe disa të tjerë e mbanin kokën përjetë dhe kjo gjë lidhej me shumë faktorë, disa ecnin të heshtur dhe disa të tjerë nuk pushonin së foluri, disa flisnin sikur pëshpërisnin dhe sikur theshin gjithmonë sekrete a diçka me rëndësi dhe disa të tjerë flisnin me zë të lartë, sikur u thoshin të tjerëve dëgjomëni mua, disa teksa përshëndesnin skuqeshin dhe turpëroheshin, ndërsa disa të tjerë nuk e kishin për gjë, që një e dy, të kthenin kokë prapa, e të shikonin ndonjë femër, siç i theshin atëhere, “nga trarët”.
Përshëndetjet pastaj, tundjet e kokës, salutimet ishin të domosdoshme dhe të rëndësishme. Një pakujdesi në këtë çështje mund të shkaktonte mëritje dhe e kundërta një këmbëngulje për të salutuar dikë mund të sillte miqësi të reja, me interes, etj.
Të gjitha këto fenomene psikologjike, mund të studioheshin në xhiron e dikurshme të Korçës shumë mirë, mjafton që një specialist, të rrinte diku aty në anë të trotuarit, i ulur në një gur fjala vjen dhe të bënte vrojtime.

Xhiroja ishte një vënd ku dashurohej ose më mirë të themi, ishte arena ku erosi gjuante dhe shponte zemrat me shigjeta. Në xhiro u jepej mundësia të rinjve të shihnin dhe të shiheshin, aty fillonte të trokiste zemra për herë të parë, aty këmbeheshin shikimet, me të cilat pastaj fillonin ëndrrat dhe pagjumësitë. Xhiroja pra, ishte tepër themelore për të dashuruar, madje shpesh ishte mundësia e vetme. Aty ndiqeshin dhe nuk diktoheshin, shikoheshin dhe nënkuptoheshin, lloj-lloj marrëdhëniesh këto, që shpesh ishin më tronditëse për shpirtin, ndoshta edhe se një e puthur. Ata që e kishin (siç thuhej atëhere për dy të dashuruar), shpesh ndodhte që të bënin xhiro me shokët, thuajse formalisht . Ashtu të goditur prej zjarrit, të dashuruarit, mezi prisnin të këmbenin vështrimet domethënëse, mezi prinin çastin e përshtatshëm, për tu shkëputur nga rrjedha e xhiros dhe për tu takuar pastaj gjithë pasion në errësirën e rrugicave me kalldrëm.
Mbrëmjeve të bukura të verës, shkëputjet e tilla ishin të shumta.

Për  më tepër, në xhiro zhvilloheshin edhe mblesëri, njiheshin dhe jepnin fjalën të rinjtë dhe familjet. Kështu palët, njëra duke patur në krah vajzën dhe tjetra palë duke patur në krah djalin, dilnin në xhiro, këmbeheshin enkas disa herë dhe pastaj më të shkathtit e secilës palë, krijonin mundësi që të takoheshin të rinjtë që po mblesëroheshin. Në xhiro dilnin të sapofejuarit, të lumtur, të qeshur, të bukur, të gëzuar. Në xhiro dilnin edhe të sapomartuarit, shumica të qetë tashmë prej flërteve. Dilnin edhe ata që sapo kishin lindur fëmijën e parë, prindër të rinj gjithë krenari, etj.
Dilnin edhe të moshuarit, me atë shikimin e tyre prej trajneri, për atë lojë që quhet jetë. Të rrahur prej tallazeve të xhiros së fatit, ata ecnin qetë, me duart prapa, hera herës duke qëndruar dhe duke parë turmat në rrjedhën e tyre, turma këto, që tashmë atyre u dukeshin profane, të pa djallëzuara.
Dilnin pastaj edhe ata që quhen gjetkë (jo në Korçë) hokatarë, ose më mirë të themi filozofët praktikë të jetës, por që njerëzit i dinin për gjysmë të marrë. Dilnin pastaj edhe të marrët e vërtetë.

Të flasësh për xhiron është një punë që s’ka fund.
Për të rinjtë që shumë nga këto, ç’ka thuhen në këto rreshta, ndofta do të duken pa kuptim, s’ka gjë, po u shpjegoj më thjesht me gjuhën që ata e kuptojnë: xhiroja pra për ne, në një formë ose në një tjetër, ishte facebook-u i kohës sonë.

* * *

Mbi një këndvështrim më shkencor të xhiros.

Xhiroja e Korçës sipas itinerarit nga kinoteatri në Lëndina e lotëve, vajtje – ardhje, zhvillohej në një gjatësi rreth 2.5 km. Pra në dy xhiro kryheshin 5km rrugë, ose në një muaj (përllogaritur për mesatarisht, 20 ditë xhiro në muaj ) kryhej distanca rreth 100 km, në një vit me përafërsi (përllogaritur për thuaj se 10 muaj xhiro në vit) 1000 km dhe për 20 vjet, afërsisht 20 mijë km. Një cikël nëpër Europë, sipas këtyre qyteteve, Sofje – Helsinki – Amsterdam – Lisbonë – Sofje është rreth, 8 mijë km.
Pra, sipas këtyre përllogaritjeve teorike, aproksimative, një i moshuar, duke bërë xhiro nëpër Korçë, sipas ritmeve kohore që përmëndëm pak më lart, i bie t’i ketë erdhur përqark Europës më këmbë, mbi dy herë.
Ndërkaq, duke marë me përafërsi, për 1m linear të bulevardit, 8 veta në xhiro, del se në gjithë distancën prej 1250 m (kinoteatër - L. lotëve) të paktën në kohën e pikut të xhiros (në muajt, korrik - gusht) në Korçë ishin në bulevard rreth 10 mijë veta, pa llogaritur këtu trotuaret. Pra rreth 1/5 e qytetit në atë kohë ishte në bulevard.
Gjithashtu, bazuar në të tjera këndvështrime, mund të bëhen përllogaritje kalorifike dhe prej këtej, mund të kalohet pastaj në përllogaritjen e konceptit fizik të punës së kryer për një diagramë kohore si më sipër dhe rezultati, të krahasohet në format nga më të ndryshme.
E njëjta gjë duhet thënë edhe për studime të tjera të mundëshme dhe përngjasuese, nën prizmin e fizikës së lëvizjes së rrjedhjeve, të informatikës dhe sidomos nën këndvështrimet e njërës prej shkencave më të reja sot, të memetikës.


Fund

 

 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE1/17 - Drutë e dimrit në Korçë

 Zona e Korçës ka dimër të gjatë dhe të fortë, që do të thotë se ambienti i shtëpisë, që të jetë komod, duhet me patjetër që të ngrohet mirë. Kjo gjë duhet bërë, prej Nëntorit e ngadonjëherë edhe më parë, d.m.th. në Tetor dhe deri në Prill, e ngadonjëherë edhe më vonë, deri në Maj. Korça gjithmonë është...

» BK/SHJT - Sociale - Psikologji - Histori: Humori në Korçë

 Qyteti ynë dikur ka patur humor të hollë, pavarësisht se dalngadalë, kohët e fundit, mundet që ai degjeneroi. Karakteristikë e humorit të Korçës ishte se, ai shpesh vinte në lojë jetën e gjithë shtresave të shoqërisë së qytetit, pa kursyer këtu askënd.Banorët dikur bënin një jetë më të afruar me njëri tjetrin dhe...

» BK/SHJT - Buka e dheut. Skicë

 Para disa kohësh, një qiparis i limontë mu tha.Unë, që këto punë i di fort mirë o miku im dhe që e di se edhe bima ka shpirt, paçka se Aristoteli dhe Platoni për njëzet vjet mes tyre, debatonin nëse bimët kanë apo jo shpirt, e pra unë që e di më mirë se ata dhe që jam i bindur që bima ka shpirt, vendosa ta shoh këtë...

» KE2/6 - Një listë me lloje emra grash e vajzash, që gjendeshin në Varoshi i Korçës në vitet 1700

Agni (shek. 18-të)Altana (1710)Avllona (1769)Bonda (1784)Bozha (shek. 18-të)Dhespo (1769)Flora (shek. 18-të)Irina (shek. 18-të)Jana (shek. 18-të)Kalia (1769)Kaliani (shek. 18-të)Kalica (1783)Katina (1769) [Katerina]Koçka (1725) [Kostandina ?]Kondo (shek.18-të)[Kostandina]Krisa (1769)Krisomalina (shek. 18-të)Leno (1784) [Elena]Lona (1725)...

» KE11/8 - Biçikletat italiane Benotto, në Korçë.

 Biçikletat Benotto, e fillojnë historinë e tyre që më 1931, kur edhe u bënë të famshme në gjithë botën. Kjo firmë u themelua në Torino prej një çiklisti 24 vjeçar, me famë botërore, të quajtur Giancinto Benotto.Firma Benotto, prodhoi biçikleta për njëzet vjet me rradhë në Evropë, madje fitoi edhe tre herë kampionin, si...

Share