Aforizma të eruditëve grekë dhe romakë: Për bukurinë.

 


Bukuria është dhuratë e Zotit.
Aristoteli
*
Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim.
Aristoteli
*
Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të liq.
Shën Agustini
*
Në çastin që një vajzë fillon e nuk ka më ndrojtje dhe nuk skuqet më, atëhere ajo ka humbur pjesën më tërheqëse dhe më fuqiplotë të bukurisë së vet.
Grigori i 1-rë, shek 6-të
*
Të lutem o Zot, më bëj të bukur përbrenda.
Sokrati
*
Bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia.
Platoni
*
Njësoj si mund të gabojë një mëndje kur ajo gjykon nën veprimin e pijes së verës, ose një sy, kur ai sheh në errësirë, ashtu mund të gabojë edhe një shpirt, kur ai është i dehur prej një bukurie.
Ovidi
*
Njoh dikë që kur pa një grua me një bukuri goditse, ju lut Krijuesit për të. Duket pra se pamja e saj e ndriçoi atë burrë, që t'i drejtohej Zotit me përdëllim.
Shën Joan Klimakus, shek. 7-të
*
Ç'ka është e bukur është e mirë dhe, kush është i mirë, shpejt do të konsiderohet edhe si i bukur.
Safo
*
Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet.
Horaci
*
Kur në mesnatë kandili shuhet,
të gjitha gratë, kanë një bukuri që s’thuhet.
Plutarku





 

Në mitologjinë indiane, Tvastri, ose siç quhet ndryshe, Visvakarma, është artizani  dhe arkitekti i perëndive, njësoj si dhe Hefesti apo Vullkani, për të dymbëdhjetë perënditë e Olimpit. Ambientet hyjnore të perëndive indiane ishin krijuar prej tij, dhe njëkohësisht perënditë e luftës, farkëtimin e armëve të veçanta që ato kishin, ia dedikonin mjeshtërisë së Tvastrit. Gjithashtu, ai mprihte sopatën prej hekuri të Brahmanaspatit (Agnit) dhe njëkohësisht po ai, rrihte e farkëtonte shkrepëtimat dhe vetëtimat e Indras. Ai krijoi botën dhe gjithçka që ndodhet në të dhe po ai, është mbrojtësi i gjithë krijesave të veta. Ndërkaq Tvastri ishte njëkohësisht i lidhur fort edhe me njerëzit. Ishte ai, që krijoi burrin dhe po ai krijoi edhe gruan, duke i bekuar këta që të martoheshin, të bashkoheshin dhe të sillnin mbi dhè pasardhësit e tyre. (1)

Mithet thonë se kur mjeshtri, Tvastri krijoi burrin, mendoi: - “Më duhet që tani të krijoj sa më shpejt edhe gruan, mbasi vetëm kështu, puna ime do të jetë e plotë, e kompletuar.”

Dhe vërtet, pasi kaloi ndërmënd materialet me të cilat pat krijuar burrin, vështroi pastaj mirë materialet që kish dhe:


Mori,

rrumbullakësinë e hënës së plotë,
përdredhjet e bimëve kacavjerrëse,
ganxhëzat e degës së pjerrgullës,
dridhjen e barit të gjelbër të luadheve,
përkuljen e kallamit,
butësinë e petaleve të luleve,
lehtësinë e gjetheve,
shikimin e shpejtë të sorkadhes,
zellin për punë si të bletës,
kënaqësinë që sjellin rrezet e diellit,
lotët që bien prej reve,
paqëndrueshmërinë e erës,
ndrojtjen e lepurit,
kryeneçësinë e ngricës,
dinakërinë e krillës,
fortësinë e diamantit,
ëmbëlsinë e mjaltit,
egërsinë e tigrit,
shkëlqimin përflakës të zjarrit,
freskinë e borës,
si dhe të tjera të mira dhe të këqia të tilla të rralla,
dhe me to, krijoi gruan, që t’i bëjë shoqëri burrit. (2)

 

Nxjerrë dhe shqipëruar prej Ilia V. Ballauri:
1) Hindu Mythology, Vedic and Puranic,
kap.9-të, nga W.J. Wilkins, [Calcutta1900],
2) Oi laoi milane,
Ekdh. Astrapi, nga A. Papas [Athinë, 2010] fq. 253,4.

 



 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE4/2 - Teksti i plotë i këngës korçare, që njihet me titullin, “Kur vjen behari çel qershia”

Kjo këngë  kaq e vjetër dhe kaq e bukur, që njihet jo vetëm prej korçarëve por prej kujtdo, gjithandej, nuk ka këtë titull, por ka për titull vargun filozofik: “Dashuria është djallush”.Teksti i saj i mahnitshëm është thurur plot art prej L. Logorit, ndoshta në fillim të shek. 20-të. Dashuria është djallush nënkupton...

» MZ - Poezia - Homeri: Iliada, Rapsd. II-të, (vargj.orgj., 278 - 332)

Për një çast, gjatë luftës së gjatë dhe të lodhshme të Trojës, turma e Akejve e grumbulluar, para mureve të pamposhtur të qytetit, në një gjëndje dëshpërimi dhe të pashpresë, kërkonte të kthehej në atdhe, duke hequr kështu dorë njëherë e mirë, prej qëllimit të dyfishtë, d.m.th. prej rimarrjes së Elenës së bukur...

» MZ - Vargje erotike bizantine: "Gërsheti i mplakur"

 Përse m’i përbuz të dobtat flokë,të mplakura, bërë gërshet me zor në kokë?Përse,m’i përbuz sytë që prej lotëve më janë zbutur,më janë tretur, më janë errur, më janë futur?Eh, këto pra lulëzojnë tani, me dhimbjen time,tallen, më përqeshin, ushqehen me shqetsimet.Ato janë shënja të plagëve, të shigjetave, të...

» KE9/3 - Fasulja, groshi dhe koçkulla dikur, në zonën e Korçës.

 Fasulja (Phasoelis vulgaris)Korça konsiderohet si ndër zonat që ka pas prodhuar fasule të mira, të shijshme dhe të shumëllojshme. Populacionet e fasules së trevës tonë kanë qënë të shumta, madje edhe sot, një sy i hedhur në tregun fshatar, tregon për vazhdimësinë e shumëllojshmërisë së populacioneve tona për këtë...

» MZ - Poezia : Safo - Jo vajza e fshatit nuk ka fort magji!

 Jo vajza e fshatit nuk ka fort magji,Të fitojë zemrën nuk ësht’ lozonjare,Veshur fshatçe, as të sillet nuk di,S’di si thithen vështrimet tinzare.

Share