MZ - Aforizmë: Nektar Tërpo - Voskopojari

Stilponi që ishte filozof në Megara, u zu rob, kur u pushtua vëndi i tij prej tiranit Dhimitër.
Si skllav atë e shpunë përpara mbretit, i cili e pyeti:
A humbe ndonjë gjë ti nga ky pushtim?
Stilponi u përgjegj:
 “Jo, nuk humba asgjë. Ato çka ishin të miat, pra mësimet dhe studimet, i kam përsëri. Përsa u takon të tjerave, e dija se ato ose do të ishin të miat, ose të pushtuesit.

 

“I pendolari”, i quajnë në Itali, punonjësit që për të arritur në vëndin e punës, u duhet të lëvizin, të bëjnë një rrugë të gjatë ndoshta dhe me orë, vajtje pra dhe kthim, njësoj si penduli apo lavjerrësi i orës. “I pendolari”, pra pendularët, janë punonjësit – lavjerrës (në qoftë se mund të shprehemi kështu).
Dikur, dekada më parë, Korça si rreth kish për detyrë që të mbulonte me specialistë, pra me intelektualë, një sërë rrethesh të tjera të afërta ose të largëta, si Ersekën, Pogradecin, Gramshin, Librazhdin dhe pjesërisht Skraparin, Pukën, Peshkopinë dhe rrallëherë edhe Kuksin ose Tropojën.
Të gjithë këta kuadro (siç quheshin atëhere) pasi mbaronin universitetin, caktoheshin larg, të detyruar të punonin në këto rrethe, pa afat, për një sërë të papërcaktuar vitesh pra për sa kohë kish nevojë atdheu (si thuhej atëhere). Shumica e këtyre kuadrove, shpesh ndodhte që të punonin kështu larg Korçës edhe mbi njëzet vjet ose, të nguliteshin një herë e përgjithmonë në këtë mënyrë, larg saj.
Për hir të së vërtetës duhet thënë se këta specialistë, ndryshe nga të tjerët që nuk dërgoheshin nëpër rrethe, kishin vetëm një ndryshim, ishin pa përkrahjen e sistemit, ishin në duart e fatit.
Ndërkaq lidhja me vendlindjen pra Korçën, për këta të tillë kuadro, ishte gjithmonë me doza trishtimi.
Kështu, për një pjesë të tyre që, nisur edhe nga vështirësitë e komunikacionit, mbeteshin për një kohë të gjatë, p.sh. me muaj, pa erdhur në Korçë, lidhja  apo ndjenjat për vëndlindjen fillonin dhe mjegulloheshin e ngathtësoheshin dhe këta, fillonin të harroheshin si prej qytetit, ashtu dhe prej të afërmëve, madje kur këta dukeshin apo shfaqeshin herë pas here, befasonin të njohurit, sidomos me ndryshime të tilla si thinjat, mplakja etj, që bihen në sy veçanërisht kur tjetrin e takon rrallë. Një pjesë e tyre u ngulitën njëherë e përgjithmonë në këto rrethe, u martuan dhe pastaj u harruan prej kohës.
Një pjesë tjetër, ktheheshin në pendolarë, për vite të tëra dhe këta, edhe ishin, edhe s’ishin, në qytetin tonë.
Unë njoha pendolarët korçarë të viteve ’70, në rrethin e Librazhdit, ndaj dhe do të them dy fjalë për vajtje - ardhjet, (pendolarìzmin) e këtyre viteve, të intelektualëve të qytetit tonë në këtë rreth.
Librazhdi si qytet është rreth 100 km larg nga Korça ndërsa Prrënjasi, që përfshihej në këtë rreth afërsisht 70 km. Korçarët në Librazhd ishin të shumtë dhe për popullin e këtij rrethi, ata qenë kryesisht të dashur dhe të nderuar. Ndjenja ime është se, korçarët që jetuan vite të tëra në Librazhd dhe që ikën prej andej, gjithmonë e ndjejnë se në një farë mase, i përkasin edhe atij rrethi.
Komuniteti ose të themi, masa e intelektualëve korçarë, të këtyre viteve të dërguar në rrethin e Librazhdit përfshinte në gjirin e vet të gjitha profesionet: mësues, mjekë, inxhinierë pyjesh, inxhinierë minierash, inxhinierë ndërtimi e mekanikë, kimistë, mercologë, ekonomistë, agronomë, veterinerë, zooteknikë, artistë, sportistë, mekanikë, elektriçistë, shoferë, etj, etj. Këta, në një farë mase, pas vitesh miqësoheshin me njëri tjetrin, herë në punë, herë klubeve, herë rrugëve tek lëviznin për Korçë.
Vajtje – ardhjet pendolare, Librazhd – Korçë, bëheshin për vite me rradhë me këto frekuenca lëkundjeje: një herë në çdo dy javë, një herë në muaj a më vonë. Vajtja në Korçë bëhej të shtunave mbasdite dhe kthimi, të hënë herët në mëngjes (ngarkuar apo furnizuar, siç thuhej atëhere, me torba dhe mbi të gjitha me një farë rigjallërimi shpirtëror, që njeriu gjithmonë merr kur thith ajrin e vëndlindjes).
Frekuenca e mësipërme e lëvizjeve të një lavjerrësi të tillë, varej nga shumë kushte si: gjëndja ekonomike, ambienti i punës, gjëndja e transportit, etj, por edhe nga gjëndja shpirtërore.
Jeta pendolare në ato kohë ishte tepër e vështirë. Lëvizja bëhej kryesish duke u dergjur rrugëve në pritje me orë të tëra, me dorën e ngritur lart, tek makinat e rastit, që ishin zakonisht Skoda, Zisa transporti apo autobote dhe rrallë ndonjë Zuk polak, të cilët ishin aq të paktë nëpër rrugë, sa nuk mund që të imagjinohet, në krahasim me lëvizjet që ka sot në to.
E pra, pasi vinte çasti i dëshiruar dhe makina gjendej, intelektualët hipnin kryesisht nëpër karroceritë e ndotura të këtyre mjeteve dhe ashtu, në çdo kohë dhe në çdo mot, me ëndrrën, “home sweet, home” udhëtonin të shtunave për orë të tëra drejt Korçës, ose ktheheshin prej saj, të hënave herët që në mëngjes, në errësirë, të trishtuar, duke marrë me vete një tufë brengash, për të arritur përsëri në vëndin e punës.
Thuajse kështu lëkundeshin këta njerëz, kështu shkonin muajt dhe vitet duke pritur të shtunën, përsëri, përsëri, si dhe lavjerrësi që, pasi shkon falë forcës së zemberekut që e shtyn, vjen pastaj përsëri, falë forcës së gravitetit që e tërheq.
Duhet thënë se pendolarìzmi Librazhd - Korçë i asaj kohe, kish edhe dy shanse për të qënë më komod: 1)Trenin, nga Librazhdi në Prrënjas (deri këtu kishin arritur binarët, në atë kohë) për të shpëtuar njëfarë rruge po qe se përputhej orari yt, me orarin e trenit dhe, 2)Autobuzat e linjës Prrënjës – Korçë, që edhe këta duhej të të përputheshin në kohë, por ç’ka ish më e vështirë akoma, duhej që për të hipur në to, të gjeje biletë.
Së fundi për të bërë më të kapshme, më të gjallë, faktin se sa e vështirë ishte gjetja e kësaj bilete në atë kohë, mjafton vetëm që të përmënd një rast, që e kam jetuar vetë.
Kështu, në një të shtunë të tillë, teksa ndodhesha në Prrënjas për të prerë biletën e shumëdëshiruar të autobuzit të linjës për në Korçë, mbërriti këtu prej Tirane, një inxhinier i uzinës së instrumentave të Korçës, që kthehej nga specializimi që kish bërë në Kinë, me një stemë në xhaketën prej doku dhe me një tufë bagazhesh përpara, të sjella prej andej. Shitja e biletave bëhej në një vrimë muri që quhej sportel, ku një masë prej disa qindra njerëzish pasi u shtynë dhe u vranë në atë vrimë vetëm për tre a katër minuta, buzëvarur dhe të zhgënjyer u larguan prej andej duarthatë.
I specializuari në Kinë që e kisha afër, thuajse i prerë fare shpirtërisht, ndonëse më njihte a s’më njihte, nuk e di, më tha:
Kisha të drejtë që kaq muaj në Kinë, mendoja vetëm për këtë gjë: nga Pekini në Prrënjas është e lehtë por, prej këtej në Korçë si i bëhet, që fillon e pamundura!(?)
Nuk e mbaj mënd nëse i dhashë a po jo këtij, një përgjigje, madje nuk mbaj mënd as edhe nëse atë të shtunë, munda apo jo, të shkoj dot në Korçë. Ndërkaq më ka mbetur në mënd shija sesi ai më shikonte. Duket se atij i bëri përshtypje, qetësia time me të cilën unë regaova kundrejt shqetësimit të tij ...
I specializuari i mësipërm, nuk i takonte masës së pendolarëve dhe nuk e di, nëse në atë çast, i shkoi apo jo ndërmënd për ne, pendolarët, që me të tilla beteja duhej të ndesheshim, sa herë që do të na duhej të ktheheshim në qytetin tonë të lindjes ...


Ilia V. Ballauri


 
Lexoni gjithashtu / More Articles :

» KE5/8 - Pikat postare në trojet e qarkut të Korçës, nga viti 1912 deri në vitin 1940.

 Më 1914 nga gjithsej 19 pika postare që kish vëndi, në zonën tonë kanë qënë këto pika:Korçë Qukës Starovë.Më 1922 nga gjithsej 47 pika postare që kish vëndi, në zonën e Korçës kanë qënë këto pika: Korçë Bilisht Kolonjë (Ersekë) Pogradec Leskovik. Këtu jepet një vulë postare e vitit 1913 e pikës postare të...

» KE2/35 - Rruga e moçme e karvaneve

Rruga e moçme e karvaneve, Vlorë-Berat-Voskopojë-Korçë dhe mallrat që transportoheshin.Zona e Korçës lidhej në Adriatik me dy skela, atë të Durrësit dhe të Vlorës. Skela kryesore për tregtarët e anëve tona dhe sidomos për ata voskopojarë ka qënë skela e Durrësit.Ndërkaq një tregëti e konsiderueshme zhvillohej edhe duke...

» KE1/38 - Disa prej markave më të njohura të biçikletave të përdorura në Korçë.

 Disa prej  markave më të njohura të biçikletave të përdorura në Korçë janë këto të mëposhtmet.‘Herkules’ prodhim angles, biçikleta me dy hekura, me goma të trasha, të rënda, të cilat numuroheshin në majë të gishtave, prodhim i viteve ’20[?], ’30.‘Gana’, ‘Dei’, ‘Legnano’ dhe ‘Bianchi’’,  prodhim...

» KE8/8 - Numri i automobilave në Korçë më 1926.

 Numri i automobilave sipas T. Selenicës tek, punimi i tij me titull, "Shqipëria më 1927", në disa qytete të Shqipërisë më 1926, ka qënë:Berati, 15Durrësi, 34Elbasani, 17Gjirokastra, 25Korça, 48Shkodra,  43,Tirana, 85Kukësi, 0Peshkopia, 0

Share