| MZ - Aforizmë: H. A. Korça |
Pasurinë mund ta vjedhin, por diturinë jo. |
| KE1/31 - Bliri |
| Bliri (Latn. Tilia cordata L.) është drupyjori karakteristik i bulevardeve të Korçës, të cilat janë zbukuruar me këtë specie, aty nga vitet ’60. Para këtyre viteve bulevardet kishin në të dy anët në shumicën e rasteve akacie, ose si quhen në gjuhën e popullit, ‘rogovecka’. Bliri i bulevardeve të Korçës në vartësi të motit, kulmin e lulëzimit e ka zakonisht në muajin Qershor. Në ditët e gjata dhe netët e bukura të këtij muaji, bulevardet e Korçës përfshihen nga një aromë veçanërisht e këndshme që përhapet prej luleve të kësaj peme. Në Korçë eshtë gjetur që gjatë dimrit i bëhet kësaj peme një krasitje e rëndë, e cila i jep drurit një kurorë të kontrolluar, sferike, dhe të përmasave që përputhen me hapësirat e bulevardeve tona. |
“Korça ose Gjiorça është qytezë me 800 shtëpi,…, ka pazar të mirë me rreth 300 dyqane, ka ujra të mira dhe ajër të shëndetshëm. [Korça] është ndërtuar në anën lindore të fushës [së Korçës] e cila ka gjatësi rreth 6 orë dhe gjërësi diku 2 dhe diku 3 orë, fushë kjo pjellore në prodhimin e drithrave dhe bishtajoreve. … Terreni [i qytetit] është i butë, gjë që bën që, mallrat të transportohen me karroca lehtë, kudo që është nevoja.
Në Korçë të shtunë bëhet pazari, ku mblidhen plot njerëz prej rrethinave. Në qytezën e Korçës, ka qëndrën, kryetari i vëndit, gjykatësi dhe dhespoti, ….
Korça ndodhet 12 orë në perëndim të Kosturit, 18 orë në jugë të Manastirit (Bitolës), dhe 14 orë në jugëlindje të Ohrit.
Në distancën prej një ore në lindje të Korçës, gjenden një sërë malesh [relativisht] të ulta, që janë degëzim dhe vazhdim i Pindit. Prej banorëve këto male quhen, Morava. Në majën e një prej këtyre maleve të ulta, ndodhet akoma në gjëndje rrënoje, një kala e lashtë, e cila duket edhe po të shikosh nga Korça, kala të cilën banorët e quajnë, Qyteti. Ndoshta ka qënë toponomia e lashtë e quajtur, “Guri i Bardhë”.
“Dolëm në këto male dhe gjuajtëm shpendë me dyfek, d.m.th. thëllëza e pëllumba dhe pamë gjëra të çuditshme. Në pjesën lindore të këtyre maleve, d.m.th. nga ana e prapme e tyre, në fshatrat Mborje dhe Drenovë, gjetëm fosile të forta dhe të rënda, të pesë a gjashtë lloje krustaceve deti, me forma të përsosura, [gjetëm gjithashtu] kokilie (guaska deti) të rrumbullakta, kokilie në formë konike, ngjyrë të kuqëremtë, [gjetëm] goca deti e të tjera. [Gjetëm gjithashtu] edhe një lloj petle, me trajtë plotësisht të rrumbullaktë, të përmasave të vogla dhe të mëdha, si para, si rupi, si groshë për nga madhësia. Disa prej këto i hodhëm në zjarr dhe pamë se u bënë hi. Ne duke bërë shaka, i quajtëm këto para të botës së lashtë. Përsa u takon fosileve, ato gjenden me shumicë në sipërfaqe ose po qe se gërmon pak, në shtresat e tokës.”
Shënime : 1) Për të llogaritur distancat atëhere, për 1 orë largësi më këmbë, që thuhet këtu, mund të konsiderohet rreth 5km. 2) Lidhur me petlat (pllakëzat) që digjeshin dhe bëheshin hi, kuptohet se kemi të bëjme me qymyrin e gurit të kësaj zone. Indirekt kuptojmë se, më 1830 minierat e Mborie - Drenovës ndofta nuk ekzistonin.
| Share |
Copyright © 2011 Ilia V. Ballauri
All Rights Reserved.