| MZ - Aforizma nga Zambia - Afrikë: |
1. Në qoftë se nuk i ble gruas cohë për fustan aq sa duhet, atëhere dije, ajo do t'i nxjerrë kofshët sheshit. |
| KE1/34 - Kolovajzet |
Nuk mund të përcaktohet dot etimologjia e kësaj fjale. Ndoshta rrjedh nga fjala kolovit, që presupozon të lëvizurit, pa mundim që bën njeriu, fjalë kjo që përdoret shumë në zonën tonë si p.sh., kolovit me makinë, e kolovita në kurriz, etj. Mundet pra që fjala kolovajze që presupozon të rrëshqiturit pa mundim në akull, të lidhet me fjalën kolovit.
Kolovajze quhej një koridor i ngushtë akulli, i krijuar prej dëborës së ngjeshur dhe i fërkuar deri në shkëlqim, i cili krijonte mundësi që mbi të, të rrëshqisje lehtë. Kolovajzet ndërtoheshin në vënde të pjerta, gjë që jepte mundësi të shfrytëzoheshin dy forca, ajo e vrullit dhe ajo e gravitetit. Është kjo arsyeja që në Korçë, kolovajzet më të mira, krijoheshin në pjesët më të pjerrta të qytetit, në rruga që të çon sot për në varret e dëshmorëve dhe në paralelet e tjera rreth saj, sidomos pjesa që dikur quhej, ‘Qeroska’.
|
![]()
Konstandin Kavafi, lindi dhe vdiq në të njëjtin qytet, në Aleksandri të Egjiptit (1863 – 1933). Lindi dhe vdiq në të njëjtën ditë më 29 prill. Ishte fëmija i nëntë i Petro Kavafit, tregëtarit të madh të pambukut, në Egjipt i cili origjinonte në thellësi prej një familjeje të vjetër greke bizantine nga Kostandinopoja. Kavafi konsiderohet si njëri prej poetëve më të mëdhenj të Evropës, në kapërxyell të të dy shekujve, konsiderohet gjithashtu si një fizionomi paralele e Fernando Pessoas. Gjithë vepra e tij janë vetëm 154 poezi të botuara dhe rreth dhjetë të tilla të tjera të pabotuara. Kavafi vlerësohet si mjeshtër i shkëlqyer për përdorimin prozaik të metaforave, për imagjinatën e përsosur historike, për finesën estetike, etj. Nga vargjet e tij kam sjellë këtu, të shqipëruar, poezinë e shkurtër, të njohur në mbarë botën, të titulluar “Qirinjtë”, e cila konsiderohet si një kryevepër për të gjitha kohët.
Qirinjtë
Ditët e së ardhmes, ditët pra që vijnë,
një rresht qirinjsh të ndezur,
përpara na qëndrojnë,
të artë, të nxehtë, qirinj të gjallë.
Ditët që shkuan, mbeten prapa,
një rresht i dhimbshëm qirinj të shuar,
qirinj të ftohtë, të shkrirë, të krusur.
Më të afërmit, akoma nxjerrin tym.
Nuk i shoh dot,
pamje që më këput shpirtin,
kujtimi i dritës së tyre më trishton.
Të ndezurit qirinj që kam përpara veç shoh.
Kokën prapa, jo, nuk dua ta kthej,
dhe bën vaki i shoh, këta qirinj, kam frikë.
Sa shpejt që zgjatet i errëti rresht,
të shuajturit qirinj sa shpejt që shtohen.
v. 1899
Shqipëroi: Ilia V. Ballauri
| Share |
Copyright © 2011 Ilia V. Ballauri
All Rights Reserved.