Aforizma të eruditëve grekë dhe romakë: Për bukurinë. |
Bukuria është dhuratë e Zotit. Aristoteli
*
Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim.
Aristoteli
*
Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të liq.
Shën Agustini
*
Në çastin që një vajzë fillon e nuk ka më ndrojtje dhe nuk skuqet më, atëhere ajo ka humbur pjesën më tërheqëse dhe më fuqiplotë të bukurisë së vet.
Grigori i 1-rë, shek 6-të
*
Të lutem o Zot, më bëj të bukur përbrenda.
Sokrati
*
Bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia.
Platoni
*
Njësoj si mund të gabojë një mëndje kur ajo gjykon nën veprimin e pijes së verës, ose një sy, kur ai sheh në errësirë, ashtu mund të gabojë edhe një shpirt, kur ai është i dehur prej një bukurie.
Ovidi
*
Njoh dikë që kur pa një grua me një bukuri goditse, ju lut Krijuesit për të. Duket pra se pamja e saj e ndriçoi atë burrë, që t'i drejtohej Zotit me përdëllim.
Shën Joan Klimakus, shek. 7-të
*
Ç'ka është e bukur është e mirë dhe, kush është i mirë, shpejt do të konsiderohet edhe si i bukur.
Safo
*
Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet. Horaci
*
Kur në mesnatë kandili shuhet, të gjitha gratë, kanë një bukuri që s’thuhet.
Plutarku
|
(Vazhdon: shih dhe pjesën 1-rë e cila flet për mendimet e L. Poradecit për kulturën botërore)
Ja tani dhe disa mendime të Lasgushit, për shkrimtarin dhe teknikat e shkrimit, të kapura dhe të shënuara duket me plot mprehtësi, prej P. Kolevicës gjatë orëve që të dy kalonin bashkë duke diskutuar për letrat.
*
Gjeniu i beson përhumbësisht asaj që krijon nëpërkëmb interesat, të gjitha, e sidomos interesat materiale.
*
Të tërë do të ikim nga kjo botë, por ne intelektualët, kemi për detyrë të lemë veprën që do të na përfaqësojë.
Ein Lebenswerk (Vepër jete)! Kjo duhet.
Mund të bësh shumë gjëra, mund të shkruash shumë, por s’ka rëndësi. Rëndësi ka të arrish veprën që do të përfaqësojë. Kur sjellim ndërmënd artistin duhet të sjellim menjëherë ndërmënd veprën që e përfaqëson. …
*
Asnjë poezi popullore, e çdo populli qoftë, nuk është e përsosur. Gjenden kur e kur vargje ose strofa të përsosura, por asnjëherë s’gjen një poezi të tërën të përsosur.
Poezia popullore kështu është, po asnjë poet s’mund të krijojë pa studiuar poezinë popullore, të paktën të vëndit të vet. Bërnsi ka marë nga poezia popullore jo fjalë, jo vargje, po stanse të tëra dhe i ka shkrirë në poezinë e vet. Nga poezia jonë popullore më të mira janë, “Kënga e Gjergj Elez Alisë” dhe një variant i këngës së, “Dhosi Zados Korçarit” botuar nga Thimi Mitko.
*
Poezinë e bën Toni
Der Ton macht die Musik! (Toni e bën muzikën)
Ky e bën edhe poezinë.
P.sh. në poezinë time:
Fryn veriu në mal të thatë,
Thotë vasha lele ngriva, …
Vargu i parë i jep menjëherë tonin tërë poezisë, por ai që e ka përkthyer në frëngisht ia ka prishur tamam këtë ton kësaj poezie. Ja si thotë:
Le vent soufle sur la montagne seche, …
*
Poezia ka mundësira shprehëse më të mëdha nga ç’ka muzika.
*
Rimën ne nuk vëmë për formë, por e vemë, sepse potencializon vargun; dhe që të bëhet e tillë, duhet në harmoni me zhvillimin e brëndshëm spiritual të vargut.
*
Unë jam, Bucherwum (krimb librash) që ri ditë e natë mbi libra.
*
*
E vetmja gjë që mbetet është poezia. Dhe nga kjo mbetet poezia e shkurtër. Vetëm kjo kalon shekujt. Nga proza s’mbetet gjë. Edhe kur mbeten, mbeten ato të shkurtrat.
*
Poetët s’kanë nevojë të shkruajnë shumë vëllime. Prej të gjithë poetëve na kanë mbetur nga dhjetë, pesëmbëdhjetë poezi. Le të shkruajnë sa të duan, prapë kaq mbeten. Sa poezi ka Fan Noli? S’ka as dhjetë! Kjo s’e ka penguar të jetë një nga poetët tanë më të fuqishëm.
*
Gjuha shpreh shpirtin dhe kulturën e një populli, prandaj dhe fjalë të njëllojta kanë kuptime jo të barabarta, ekuivalente nga njëra gjuhë te tjetra, sepse shprehin shpirtra dhe kultura të ndryshme. Kështu fjala Bukë ka një kuptim më të gjërë, më të thellë, më jetësor në shqip se sa p.sh. në rusisht fjala Hleba!
Ne themi: haj të hamë bukë, ose ke ngrënë bukë? Ose më hahet bukë!
Rusi thotë: haj të hamë, ose më hahet, kam uri.
Për rusin buka nuk është gjithë ushqimi, është një pjesë e ushqimit. Për shqiptarin, gjithmonë të varfër, buka shpreh tërë ekzistencën e vet.
Po kështu fjala Madamme, në frëngjisht shpreh një kulturë e një respekt tjetër nga ç’shpreh fjala Zonjë në shqip. Dhe kështu mund të vazhdojmë për shumë fjalë. Kjo specifikë e veçantë e gjuhëve e bën të vështirë përkthimin dhe prandaj përkthyesi duhet të ketë kulturë shumë të gjërë, … .
*
Gëtja i madh kish respekt për përkthyesin. I faleminderit - thesh - atij përkthyesi që na jep një poezi të përkthyer në prozë sipas një përkthimi në prozë nga një gjuhë tjetër. I faleminderit dhe atij që na i jep një poezi të përkthyer në prozë, por nga origjinali. Më shumë i faleminderit atij që na i jep një poezi të përkthyer në poezi, por jo nga gjuha e origjinalit. Ca më shumë i faleminderit atij që na i përkthen një poezi në poezi nga origjinali edhe kur s’është përkthimi artistik.
Pastaj i faleminderit shumë e më shumë atij që na i përkthen një poezi në poezi nga gjuha e origjinalit dhe na i përkthen artistikisht. Kjo është një kënaqësi e veçantë. Kështu thesh Gëtja. Vetë ai nuk ish përkthyes i mirë.
*
Naimi nuk fitonte para me ato që shkruante, po harxhonte për ato që shkruante. Nuk ngopte barkun, por ngopte shpirtin!
*
Naimi gjenial para pothuaj se njëqindvjetësh, kur kudo flitej shqipe e përzjerë me turqizma, e shkroi poezinë të pastër shqip. Naimi ishte i pari që shkroi shqipe të kulluar, që e spastroi nga fjalët turqisht, në një kohë kur vetë, ndoshta gjithë ditën, fliste vetëm turqisht. Nuk ka përdorur as fjalën nur që e kam përdorur unë. Ai ka thënë hir në vënd të nur, me gjithëse nur është fjalë shumë e bukur.
*
Nga muzika jonë popullore më e mirë është ajo e sazexhinjve të Korçës. Ajo ka orkestracion.
Zgjodhi dhe përgatiti:
Ilia V. Ballauri.
Share |
Copyright © 2011 Ilia V. Ballauri
All Rights Reserved.