Aforizma - Jorge Luis Borges |
Gjithmonë paradisin e kam imagjinuar si një lloj biblioteke.
*
Si paradisi ashtu dhe feri më duken si shume, qoftë per të shpërblyer qoftë për të ndëshkuar. Veprimet e njerëzve nuk meritojnë as njërën as tjetrën.
*
Një përkthim asnjëherë nuk është besnik ndaj origjinalit.
*
Të biesh në dashuri, do të thotë të ndërtosh një lloj besimi ndaj një perëndie që një ditë, do të bjerë.
*
Asgjë nuk është ndërtuar mbi gur, të gjitha janë ndërtuar mbi rërë, por ne duhet të ndërtojmë, sikur ndërtojmë mbi gur.
*
Çapitem aq ngadalë, njësoj si dhe ai, që vjen së largu dhe që nuk pret, që të arrijë kurkund.
*
Të pranosh të panjohurat, do të thotë që, të gjitha gjërat të jenë të mundëshme, edhe Zoti edhe Trinia e Shënjtë. Bota që jetojmë është aq e çuditshme sa gjthçka mund të ndodhë dhe mund të mos ndodhë. Duke pranuar të pa njohurën, i jap mundësi vetes të jetoj në një botë më të madhe, më fantastike, në një lloj bote misterioze. Dhe kjo gjë, më bën që të jem më tolerant.
*
Kur vjen fundi, njeriu nuk ka më fantazi dhe imagjinatë, ka vetëm fjalë, fjalë.
|
Manat e zeza (Lat. Morus nigra) janë veçanërisht shumë të përhapura në dy fshatra Drenovë dhe Boboshticë. Nuk ka vënd tjetër në Shqipëri që të jetë aq i lidhur me manin e zi, sa janë banorët e Drenovës dhe të Boboshticës dhe kjo është një gjë interesante. Pse, si, qysh dhe kur, ky lloj mani është aq i dashur për këto fshatra është një enigmë. Për këtë gjë, nuk ka patur asnjëherë një studim shpjegues, shkencor, të thellë dhe bindës, por vetëm supozohet.
Sidoqoftë, nga ana botanike mani i zi është një specie që origjinon nga Azia perëndimore, Kaukazi, Armenia, Irani, etj, dhe në Evropë është introduktuar dhe kultivuar fillimisht në Mesdhe, qysh në kohët antike. Mani i zi është një bimë dhekaheksaploide me një numër shumë të madh të kromosomeve (2n = 308), ëshë bimë monoike, vetë fekonduese, lulëzon në pranverë dhe krijon fruta deri 25mm. Mani i zi arrin lartësinë deri 20m dhe sipas literaturës rron deri 200 vjet por, disa burime thonë se rron deri 500 vjet.
Në Drenovë dhe Boboshticë, këto shifra duket se nuk qëndrojnë mbasi manat aty, duken se janë shumë, shumë të vjetra ndofta qysh para sundimit turk. Sidoqoftë, kjo gjë do studime. Një burim i vitit 1888 që përshkruan manat e Drenovës dhe të Boboshticës i konsideron ato që atëhere si: “…mana të vjetra me fruta të kuqe në ngjyrë mellani, prej nga banorët prodhojnë një pije alkolike (raki) me vlerë…”
Manat e Drenovës dhe Boboshticës kanë qënë shumë të dashura edhe për piktorin Vangjush Mio i cili, peisazhin e tyre e ka hedhur në telaro disa herë.
Mani i zi, me ngjyrën e vet të kuqe gjak të frutit, përmëndet edhe në mithet e botës së lashtë, madje në një idil dashurie shumë të bukur.
Kështu, sipas një mithi të Babilonisë, të treguar prej Ovidit, mith ky që më pas frymëzoi edhe Shekspirin për Romeo dhe Zhulietën, e që gjendet edhe tek Purgatori i Dantes, dikur dashuroheshin fort dy të rinj, Pirami dhe Tisbea, të cilët pengoheshin prej familjeve të tyre në armiqësi, që të takoheshin. Të rinjtë, të përfshirë prej dashurisë së zjarrtë e shprehnin këtë plot pasion e lotë, fshehurazi, rrëzë një muri të lartë, nëpër të çarat e tij, mur ky që u ndante shtëpitë, diku në Babiloninë e vjetër. Vuanin pra, pa parë njëri tjetrin, njëri në një anë të murit dhe tjetri anë anën tjetër. Së fundi, në një çast, ata vendosin të ikin larg. Takimi u la rrëzë një mani. E para arriti këtu Tisbea që u ndodh aty papritur, përpara një luaneshe me gojën plot gjak, prej gjahut të freskët. Duke vrapuar larg për të shpëtuar asaj i bie tyli, të cilin e merr dhe e gjakos me gojën e vet luanesha. Pas pak bisha e lëshon tylin dhe pasi pi ujë në një burim aty afër, largohet. Tisbe shpëtoi. Nërkohë këtu arrin Pirami. Ky kur sheh tylin me gjak mendoi për keq dhe vrau veten me shpatë. Duke rënë rrëzë manit ai leu edhe pemën me gjak e cila dalngadalë ndërroi ngjyrën e frutit në ngjyrë gjaku. Tisbea me tu rikthyer tek mani, sheh aty të vrarë Piramin dhe pas vajtimesh të dhimbshme, vetëvritet edhe ajo, me të njëjtën shpatë. Edhe gjaku i saj u përthith prej pemës.
Qysh atëhere në limfën e manit të zi rrjedh gjaku i të dashuruarve. Është kjo arsyeja, thotë mithi, që mani i zi bën gjithmonë fruta me lëng ngjyrë gjaku. Mani i zi pra, nderon dashurinë e zjarrtë që nuk mundi dot të realizohej.
Share |
Copyright © 2011 Ilia V. Ballauri
All Rights Reserved.