| MZ - Aforizmë: Nuçi D. Naçi prej Korçe |
| Korça është një nga më të bukurit, nga më të mbëdhenjëtë, e nga më të qytetëruarit, qytete të Shqipërisë. Korça duke patur shumë shtëpi, quhet qytet, edhe me qënë atdheu jynë, ku kemi lindur e jemi rritur, kemi nevojë ta dimë më mirë nga çdo vënd tjatër... (viti 1923, cituar këtu sipas morfologjisë së shqipes së asaj kohë) |
| KE1/34 - Kolovajzet |
Nuk mund të përcaktohet dot etimologjia e kësaj fjale. Ndoshta rrjedh nga fjala kolovit, që presupozon të lëvizurit, pa mundim që bën njeriu, fjalë kjo që përdoret shumë në zonën tonë si p.sh., kolovit me makinë, e kolovita në kurriz, etj. Mundet pra që fjala kolovajze që presupozon të rrëshqiturit pa mundim në akull, të lidhet me fjalën kolovit.
Kolovajze quhej një koridor i ngushtë akulli, i krijuar prej dëborës së ngjeshur dhe i fërkuar deri në shkëlqim, i cili krijonte mundësi që mbi të, të rrëshqisje lehtë. Kolovajzet ndërtoheshin në vënde të pjerta, gjë që jepte mundësi të shfrytëzoheshin dy forca, ajo e vrullit dhe ajo e gravitetit. Është kjo arsyeja që në Korçë, kolovajzet më të mira, krijoheshin në pjesët më të pjerrta të qytetit, në rruga që të çon sot për në varret e dëshmorëve dhe në paralelet e tjera rreth saj, sidomos pjesa që dikur quhej, ‘Qeroska’.
|
Molla (Malus comunus)
Për mollën e Korçës, hulumtimet e bëra tregojnë, se është pikërisht malësia e Gorës ku mendohet se ajo është më e lashtë dhe shumë e vjetër. Këtu por edhe në Opar madje, konstatohet edhe një lloj molle e egër, e rrjedhur jo prej fidani por prej fare, e quajtur në gjuhën e popullit, Mollçinka. Kjo më pas shërbente edhe si nënshartesë.
Në mes të shek. 20 – të, në malësinë e Gorës gjendeshin akoma këto lloje të vjetra mollësh, e quajtura Majoshka, ajo Kulaçe, Ohrinka (me origjinë të vjetër, prej Ohri) dhe Ajvaneja. Këto konsideroheshin si shumë të vjetra. Ndërkaq, Ajvaneja gjendej në ato kohë edhe në Teqenë e Leskovikut, kurse në Pogradec gjendej një soj i vjetër i quajtur, E Shtrëmbra, e cila prodhonte mollë jo simetrike, por shumë të mira. Në Bilisht gjendej molla e quajtur, E Shënd’Ilisë, e cila kish si karakteristikë se hynte vonë në prodhim (pas 13 – 14 vjet).
| Share |
Copyright © 2011 Ilia V. Ballauri
All Rights Reserved.