| Aforizma të eruditëve grekë dhe romakë: Për bukurinë. |
Bukuria është dhuratë e Zotit. Aristoteli
*
Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim.
Aristoteli
*
Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të liq.
Shën Agustini
*
Në çastin që një vajzë fillon e nuk ka më ndrojtje dhe nuk skuqet më, atëhere ajo ka humbur pjesën më tërheqëse dhe më fuqiplotë të bukurisë së vet.
Grigori i 1-rë, shek 6-të
*
Të lutem o Zot, më bëj të bukur përbrenda.
Sokrati
*
Bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia.
Platoni
*
Njësoj si mund të gabojë një mëndje kur ajo gjykon nën veprimin e pijes së verës, ose një sy, kur ai sheh në errësirë, ashtu mund të gabojë edhe një shpirt, kur ai është i dehur prej një bukurie.
Ovidi
*
Njoh dikë që kur pa një grua me një bukuri goditse, ju lut Krijuesit për të. Duket pra se pamja e saj e ndriçoi atë burrë, që t'i drejtohej Zotit me përdëllim.
Shën Joan Klimakus, shek. 7-të
*
Ç'ka është e bukur është e mirë dhe, kush është i mirë, shpejt do të konsiderohet edhe si i bukur.
Safo
*
Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet. Horaci
*
Kur në mesnatë kandili shuhet, të gjitha gratë, kanë një bukuri që s’thuhet.
Plutarku
|
Biblioteka e fëmijëve Korçë, një dhuratë e bamirësit të ndritur të qytetit tonë Thoma Turtullit, për popullin e Korçës, ku që të gjithë kemi kujtimet tona të fëmijnisë, veç shërbimit edukativ që ajo ka ushtruar për qytetin, është për ne edhe një vepër e rrallë e papërsëritshme arkitektonike.
Ndonëse një godinë e vogël, ajo është në miniaturë, një vepër e përsosur, e ngritur sipas stilit neoklasik me elemente të botës antike, arkitekturë kjo që mbizotëroi, në ndërtimin e institucioneve të rëndësishme të vëndeve më të zhvilluara dhe më të qytetëruara në Evropë dhe Amerikë, në fund të shek. 19-të dhe në fillim të shek. 20-të.
Biblioteka jonë pra, e dhuruar prej Turtullit, përngjet me parlamente, universitete, teatro, opera, muzeume, auditoriume, biblioteka, etj, të këtyre vëndeve dhe, elementi bazë i këtij përngjasimi janë kollonat e famshme të saj të stlit ionik.
Mjafton vetëm të themi se me të tilla kolona janë zbukuruar: Erekthioni në Akropolin e Athinës, Coloseumi në Romë, Shtëpia e Bardhë në Washington, Memoriali i luftës në Indiana (Sh.B.A.), Muzeumi Britanik në Londër, Universiteti në Minessota, Universiteti i Oslos, Posta qëndrore në Dublin, Akademia e Athinës, etj, etj.
Ekzistojnë tre, të ashtuquajtura ritme apo stile, kryesore të kolonave klasike: stili korinthas, dorik dhe ai ionik.
Nga të tre këto tipe, stili ionik është më i himtë (hollë) dhe më elegant. Koka e kolonës në këtë rast zbukurohet prej një dizaini që përngjet me letrën e mbështjellë rolò, pra në formën e një tubi ashtu siç edhe mbështilleshin dikur në kohët e vjetra mesazhet, apo dokumentet me vlerë. Ky element në arkitekturë, quhet volute, që do të thotë mbështjellje spirale (në analogji pra me pamjen tërthore të një letre të mbështjellë rolò). Përngjasime të tjera të këtij ritmi bëhen edhe me përdredhjen e brirëve të dashit si dhe me ovulën e trifilit. Pavarësisht, voluta është një kompozicion i ëmbël, i bukur gjeometrik.
Ndërmjet volutave ka pastaj zbukurime të tjera zakonisht të formave ovale, si vezë dhe majë shtize, të cilat konturojnë kështu të plotë kokën e kolonës. Kjo e fundit, kolona pra, zakonisht është e punuar me rripa të luguar që fillojnë prej majës e përfundojnë deri në bazë, ku ka pastaj të quajturin bazament, platformën ose stilobatin.
Elementi ionik është përdorur jo vetëm në arkitekturë por edhe si zbukurim dhe dekor në të tjera punime si p.sh., në mobilieri, në punimet prej druri, prej qelqi, prej alabastri, porcelani, metali, gipsi, etj.
Nuk ka dyshim që bamirësi i qytetit tonë, të cilit për mëse pesëdhjet vjet as nuk i përmëndej emri, madje edhe fisi i të cilit u përtall sa s’bëhet tek të ashtuquajturat, “Vite të rinisë”, ku thirrej e bërtitej: “Poshtë Turtulli!” (?), e pra sigurisht që ky, duke ngritur bibliotekën e qytetit tonë sipas elegancës së këtij stili, nisur nga dashuria për vëndlindjen, kërkonte të fut’te në Korçë sadopak, erën e elementeve më të përsosura, të institucioneve administrative dhe kulturore të vëndeve më të përparuara të botës.
Ilia V. Ballauri
| Share |
Copyright © 2011 Ilia V. Ballauri
All Rights Reserved.