| Aforizma të eruditëve grekë dhe romakë: Për bukurinë. |
Bukuria është dhuratë e Zotit. Aristoteli
*
Bukuria individuale i hap rrugën njeriut, më tepër sesa një rekomandim.
Aristoteli
*
Sigurisht që bukuria është një dhuratë e mirë e Zotit, por duket se vetë Zoti mendoi se kjo, bukuria pra, nuk është ndonjë e mirë e madhe, përderisa ai e dha atë edhe tek njerëz të liq.
Shën Agustini
*
Në çastin që një vajzë fillon e nuk ka më ndrojtje dhe nuk skuqet më, atëhere ajo ka humbur pjesën më tërheqëse dhe më fuqiplotë të bukurisë së vet.
Grigori i 1-rë, shek 6-të
*
Të lutem o Zot, më bëj të bukur përbrenda.
Sokrati
*
Bukuria e stilit, e harmonisë, e hijeshisë dhe e një ritmi të mirë, varen nga thjeshtësia.
Platoni
*
Njësoj si mund të gabojë një mëndje kur ajo gjykon nën veprimin e pijes së verës, ose një sy, kur ai sheh në errësirë, ashtu mund të gabojë edhe një shpirt, kur ai është i dehur prej një bukurie.
Ovidi
*
Njoh dikë që kur pa një grua me një bukuri goditse, ju lut Krijuesit për të. Duket pra se pamja e saj e ndriçoi atë burrë, që t'i drejtohej Zotit me përdëllim.
Shën Joan Klimakus, shek. 7-të
*
Ç'ka është e bukur është e mirë dhe, kush është i mirë, shpejt do të konsiderohet edhe si i bukur.
Safo
*
Asgjë e bukur nuk është e bukur, po qe se shikohet nga të gjitha këndvështrimet. Horaci
*
Kur në mesnatë kandili shuhet, të gjitha gratë, kanë një bukuri që s’thuhet.
Plutarku
|
"Mbreti Amasis i Egjiptit i dërgoi Viandës, [njërit prej shtatë njerëzve më të ditur të botës së lashtë] një problem logjik, të ngritur prej mbretit të Etiopisë, për të zgjidhur. Le ta dëgjojmë:
Mbreti i Etiopisë haet me mua se, kush është më i ditur, ai apo unë. Ndonëse është mundur në të gjitha matjet, tani po bën një përpjekje të fundit dhe më kërkon që, të pi gjithë ujët e deteve. Si përfundim, në rast se gjej një zgjidhje për këtë kërkesë, do të marr shumë qytete dhe vënde të mbretërisë së tij. Në qoftë se nuk gjej zgjidhje, atëhere duhet të tërhiqem nga rajoni i Elefantisë, [kufiri ndërmjet Egjiptit dhe Etiopisë së dikurshme]. Të lutem pra Vianda të mendosh një përgjigje për këtë çështje dhe pastaj unë, do të shpërblej me gjithçka që do të duash ti, miqtë dhe bashkëqytetarët e tu.
Vianda pasi lexoi letrën e mbretit, u përqëndrua, këmbeu disa fjalë me Kleovulin të cilin e kish pranë dhe pa e zgjatur shumë i tha kasnecit të mbretit:
“ Si thua ti? Amasis që është mbret i kaq e kaq njerëzve dhe që ka nën zotërim një vënd kaq të madh dhe kaq të bukur është i predispozuar që për disa vënde pa vlerë të pijë kaq dete?
“Le të supozojmë se po, ... Vianda - tha kasneci - ja mendoju se ç’mund të bëjë.”
“Bukur - tha Vianda – atëhere le t’i thotë mbretit të Etiopisë që, të ndalojë lumenjtë që rrjedhin në det, derisa ai të pijë ujët e deteve që gjendet aty tani, mbasi kërkesa bëhet për ujët e deritanishme të deteve dhe jo, edhe për atë që do të shtohet”
*
Plutarku, tek, Epta sofon symposio. prgrf. 6,8,9.
Zgjodhi dhe shqipëroi: Ilia V. Ballauri
| Share |
Copyright © 2011 Ilia V. Ballauri
All Rights Reserved.