Aforizma: Nga filozofia e lashtë, për shkrimin dhe leximin. |
Shfrytëzoje kohën, duke përmirësuar vetveten, nëpërmjet atyre ç’ka të tjerët kanë shkruajtur. Kjo do të thotë që të mbërrish lehtë, atje ku të të tjerët, kanë mbërritur duke punuar shumë.
Sokrati
*
Quhet se një shkrim të pëlqen, atëhere kur të pëlqen edhe pasi e ke lexuar dhjetë herë. Horaci
*
Për të shkruajtur mirë, shprehe vetveten si një njeri i zakonshëm dhe mendo si një njeri i zgjuar. Aristoteli
*
Mëndjen duhet ta përformojmë, duke lexuar në thellësi dhe jo në gjërësi. Quintilian
*
Ai që nuk lexohet, konsiderohet sikur nuk ka shkruar gjë. Marciali
*
Krehjet e shumta të një shkrimi, e dobësojnë më tepër atë, sesa e përmirësojnë. Plini (i Ri)
|
Nuk ka më kuptim,
të thuash: “Jetë qeni!”
mendoja,
një ditë tek shikoja,
qentë, që para portës së shtëpisë na kalojnë,
qentë, që në lagjen tonë banojnë.
Këtu tek ne, qentë anekënd,
si në Wonderland,
shëtisin të larë, të pastër si drita, qimengrehur,
shpesh me pallto, papion, a në kokë fjongo, stil Barbie cullufekrehur,
si qeni Rudolf, fjala vjen, që pashë dje,
tek ecte, para portës tonë më nge.
Më erdhi për të zili,
a më mirë t’ua them hapur, më lindi për atë qen, një cmirë,
sidomos kur pashë, sesi ky qen tërhiqte pas, të zotin e vet të mirë,
i cili, me bermuda, lesh pakrehur, sy palarë,
ngritur prej shtëpie aron-aron,
sepse, qeni duhej nxjerrë për nevojën e parë,
me letra, celofane nëpër duar, mbushur, ngarkuar,
gjith’ shqetësim, por i duruar,
gati nevojën e qenit priste, si njeri i qytetëruar.
-Mirëmëngjes!- i thashë të zotit dje,
-Ç’thotë Zonja?-
dhe me kokë i tregova qenin e tij, që pranë portës nuhatte më nge.
Bah!
Ai, ç’të shikoje, i mërzitur, i ofenduar, i fyer sa s’ka,
më pa shtrembër, as mirëmëngjes s’më tha.
-Nuk është Zonjë, zotëri, shikoje mirë,
është Zotni, Rudolf e quajnë! -
Dhe morri pastaj, me vrap tatëpjetë,
sepse Rudolfi shkoj gjetkë të nuasë, të ngrerë këmbën përpjetë,
të marrë vesh, se kush më parë andej pat kaluar,
“të lexojë” gazetën e qenërve, që këta e botojnë duke e lëshuar,
atë,
anë e kënd,
tek ne, këtu në Wonderland.
Ilia V. Ballauri,
duke zbardhur ditët,
7/7/ dhe 8/7/, 2013.
Share |
Copyright © 2011 Ilia V. Ballauri
All Rights Reserved.